LETËR E HAPUR MËRGIMTARIT
I dashur lexues,
Rrugëtimin e detyruar drejt mërgimit e morën shumë bashkëkombës para teje, disa për t’iushmangur dhunës së papërballueshme të pushtuesit, e shumë të tjerë për të derdhur djersën që të tjerët e mbetur rreth vatrës të kishin mirëqenie të sigurtë. E kam lexuar diku një thënie që dikur qarkullonte ndër oda kullash se familja shqiptare duhej të kishte gjashtë djem, dy prej tyre që të kujdeseshin për familjen, dy të tjerë për të migruar që ta mbanin familjen financiarisht dhe dy të mbeturit të viheshin në dispozicion për të luftuar armikun. S’do mend që ti e gjenë veten te, të paktën, njëra nga këto tri kategori.
Përmbajtja e kësaj dritareje do të ngërthejë brenda vetes për ditshmërinë tënde, sado të rraskapitshme e të përmallueshme ta kesh. Ajo do të pasqyrojë rrëfimet tua të interpretuara objektivisht e sinqerisht, në kuadër të shkrimeve, në formë kronikash e intervistash.
Megjithë thjeshtësinë e vet, në kuptim të përmbajtjes me karakter kujtimesh, analizash, kritikash konstruktive, nga lexuesi pritet të ndjejë mallin që ti kishe kur le shtëpinë ku u linde, hapëron nëpër peripecitë që ti përjetove gjatë rrugëtimit të mundimshëm në drejtim të botës së premtuar, e cila t’u imponua si zgjedhje, pastaj ndjen lodhjen e përditshme mbi supet tua, e i gëzohet stinës së verës që të fton të vizitosh vendlindjen.
Pikërisht në këtë dimension, të mbushur me thjeshtësi e sinqeritet, redaksia e ‘Helveticalforum’ e sjell të shpalosur profilin e mërgimtarit, brenda të cilit, lexuesi e sheh të pasqyruar babain, vëllain, motrën, kushëririn … sepse është e pamundur që cilido lexues, i cili viziton këtë portal, të mos ketë lidhje familjare me, të paktën, një të mërguar.
Shtetet e Evropës e Amerikës, të cilat u bënë vendlindja e fëmijëve të tu, strehuan shumë shqiptarë mendjendritur e zemërbardhë në periudha të ndryshme kohore. Nga ky dhé i huaj, por mikpritës, një shekull më parë, dolën burra e gra që i dhanë shpirt e shpresë popullit se Shqipëria do bëhej, nga atje larg, para dy dekadash, u mobilizua i madh e i vogël për të mbrojtur Kosovën që po shembej.
Ne nuk jemi i vetmi popull, të cilit iu desh ti nxirrte jashtë bijtë më të mirë, përmes të cilëve, në rrethana të skajshme, do të mund të rilindte gjithçka shqiptare. Bërthama e etnisë sonë e zhvendosur jashtë kufinjve arbërorë, të cilën e simbolizon ti, vëlla i dashur, ishte garanca e vazhdimësisë së sojit tonë, nëse shfarosja e nisur do të mund të ndodhte. Ishe ti, dhe shumë të tjerë si ti, që e mbajte shpresën gjallë dhe u ktheve me ballin lart, xhepat plot e gjoksin hekur, sa herë që t’u kërkua.
Përtej historisë sonë të dhimbshme e krenare, të cilën, sa më shpesh ta kujtojmë, aq më mirë do të dimë ta ndërtojmë të ardhmen, vëmendje të pakursyer nga shteti amë meriton investimi në diasporën tonë mbarëkombëtare, kudo nëpër botë. Ambasadori më i denjë e më efektiv i shqiptarisë je ti, miku im i mërguar, që duke qenë një fqi i sjellshëm me bashkëqytetarët ‘tu joshqiptarë, duke qenë koleg i respektueshëm në vendin e punës, duke qenë një klient i mirëkuptueshëm i shoqërisë që të ofron shërbime, e bën atdheun të duket më fisnik në sytë e botës.
Mërgimi, si proces i lëvizjes së njerëzve nga vendlindja në një vend me më shumë perspektivë, i ka ndihmuar njerëzimit të shpërndajë heterogjenitetin e kulturave të pasura etnike, duke zvogëluar, kështu, ndryshimin midis popujve e duke e bërë botën një të vetme e të njëllojtë.
Andaj, rrugëtimi yt jetësor, ajo që ti ke dhënë nga kultura jonë e ke marrë nga kulturat tjera brenda këtij cikli, ka lënë gjurmët e pashlyeshme në ngritjen e urave ndërkulturore, për të cilat do të jenë mirënjohëse brezat pas teje.
Duke shëtitur nëpër shkrimet e publikuara brenda këtij protali, do të gjesh veten të pasqyruar në petk finsikërie, të cilin ti nuk e ke vënë re te vetja nga modestia që të ka shoqëruar si virtyt emblematik shqiptar.
Mos harro, ti je si uji që rrjedh, i pijshëm e i kristaltë që lë gjurmë jete prapa vetes!
Të falemnderit që, në cilësinë e vizitorit të kësaj faqeje, u bëre pjesë e komunitetit shqiptar jashtë trungut amë!
Sinqerisht
Jeton ARIFI