Fuqia e fjalës së lirë! / Nga Ragmi MUSTAFI, Bujanoc /
Nëse dikush e di çfarë do të thotë të jetosh me dyshimin e përhershëm se çdo dokument që ke mund të jetë i fundit, nëse dikush e ka përjetuar në kurriz inxhinierinë e zhdukjes administrative, atëherë ai dikush është shqiptari i Luginës së Preshevës. Nëse dikush e njeh çmimin e ekzistencës, atëherë janë ata që nuk e kanë pasur kurrë të garantuar.
Për dekada të tëra, represioni nuk ka ardhur vetëm në formën e tankeve dhe operacioneve të dhunshme të Serbisë, por edhe përmes një mekanizmi cinik: heshtjes.
Një heshtje që lëndon thellë, një heshtje e administruar si projekt politik i Kosovës, një anomali që do të korrigjohej me kalimin e kohës.
Dhe kështu, Lugina nuk ishte problem politik, nuk ishte skandal ndërkombëtar, nuk ishte çështje e tryezave të Brukselit apo Washingtonit. Ishte një dosje e pluhurosur, një rresht i padukshëm në raportet e publikuara, një pengesë teknike në rrugën e Serbisë drejt Evropës dhe një dhimbje e Kosovës që gjithmonë mund të lihej për më vonë.
Institucionet që drejtonin shqiptarët në Luginë nuk ishin për t’u mbështetur, por për t’u menaxhuar si dosje burokratike, ndërsa Kosova zgjidhte heshtjen si një strategji më të lehtë për t’u duruar.
Por pastaj ndodhi diçka që duhej të ndodhte që në fillim. Kosova të marrë përgjegjësinë për Luginën. Se përçarja në mesin e partive politike të Luginës së Preshevës nuk ka ardhur kurrë nga Prishtina – ajo gjithmonë dhe gjithnjë ka qenë nxitur nga Beograd.
Sot Luginasit nuk kanë nevoj për shëtitje elektorale mes sloganeve dhe premtimesh boshe, si peng i një cikli të pafundëm të mashtrimeve të sofistikuara dhe iluzioneve të sajuara me mjeshtëri të vjetër burokratike.
Në vend të justifikimeve të zakonshme përse “nuk bëhet”, përse “nuk lejojnë”, përse “nuk është momenti i duhur”, papritmas kishte veprime konkrete me Qeverinë Kurti.
Papritmas, nxënësit e shkollave fillore kishin libra falas, studentë e nxënësit përfitonin bursa, sporti, kultura grante, media e Luginës nuk ishin më çështje bamirësie, por të gjithë ishin pjesë e projektimeve të politikës shtetërore të Kosovës dhe të lënë mëshirës së kohës.
Për herë të parë, diskriminimi e pasivizimi i adresave nuk ishte më një krim i heshtur, por një skandal ndërkombëtar që u ngrit në Bashkimin Evropian, në Kongresin Amerikan, në Këshillin e Evropës, në tavolinat ku dikur nuk përmendej fare.
Andaj, Vetëvendosja dhe Albin Kurti nuk janë thjesht një opsion politik. Janë përgjigja që Lugina e Preshevës ka kërkuar për dekada.
Prandaj, të dielën, çdo shqiptar i Luginës posaçërisht, që ka të drejtë vote ka një përgjegjësi që shkon përtej tij, përtej Kosovës, përtej interesave të zakonshme të një fushate zgjedhore.
Të dielën, Lugina nuk guxon të mbetet spektatore. Të dielën, duhet të vulosë rrugën që ka nisur me zemër edhe për Luginën e Preshevës.