Koalicioni i Organizatave, Demokracia në Veprim që këtë proces zgjedhor po e monitorojnë me 500 vëzhgues në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kanë raportuar se 9 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë, e arsye kryesore ka qenë mungesa e komisionerëve dhe atë në 6% të vendvotimeve.
Megjithatë, sipas tyre aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja. Nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që do të mund të cenonte fshehtësinë e votës. Po ashtu, thonë se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që do të mund ta cenonte fshehtësinë e votës.
DnV thotë se edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100 metër të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit.
Por, edhe në këtë proces zgjedhor, 20 për qind e Qendrave të Votimit, sipas DnV-së nuk kanë infrastrukturë adekuate për votim nga personat me aftësia të kufizuara fizike.
“Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate (pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt”, thuhet në raportin e DnV-së.
Vëzhguesit e DnV-së gjithashtu kanë raportuar se posterët informues që duhet të jenë në qendra të Votimit, kanë munguar në 15% të tyre, derisa e kanë raportuar si të ulët praninë e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje.
Ndërkohë, kanë raportuar se në dy raste, vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit, Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07, njofton rtk.