Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me përqindje të votimit deri në ora 11:00. Deri në këtë kohë në Kosovë votuan 169 mijë 32 votues, apo përkthyer në përqindje 8.58 për qind.
Katër vjet përpara në të njëjtën periudhë kohore kishin votuar 8. 30 për qind apo 145 mijë 650 votues.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi po vijon normalisht. “Sipas informacioneve që ne i kemi të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë. Kemi pasur ca probleme me qendrat e votimit me kusht, por kemi pasur problem, lidhur me përdorimin e “llogarive”. Për neve gjithçka është në rregull. Ky problem nuk ka qenë vetëm në veri të vendit, por edhe në komuna të tjera në qendrat e votimit me kusht”, tha Radoniqi.
I pyetur rreth problemeve që qytetarët kanë për të gjetur Qendrat e Votimit, Radoniqi tha se KQZ-ja u kishte dhënë kohë mjaftueshëm qytetarëve që ta bëjnë ndërrimin e qendrës.
“Ju e dini se fushata për ndërrimin e Qendrës së Votimit ka qenë mjaft e gjatë, dhe ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të kontrollojnë qendrën e tyre të votimit dhe në rast nevoje nëse dëshirojnë ta ndryshojnë, dhe e kemi njoftuar me mesazhe ta bëjnë këtë gjë. Nëse nuk e kanë bërë gjatë asaj periudhe nuk mund ta ndryshojmë, meqë është certifikuar periudha e ndryshimit të Qendrës së Votimit”, tha ai.
Sqarime ka dhënë edhe Arianit Elshani që tha se gjatë këtyre katër viteve nga 2021 e tutje kanë përditësuar gjatë gjithë kohës listën e votuesve.
“Personat që kanë pasur adresat në Agjencinë e Regjistrimit Civil, kur kanë tërhequr dokumentet e identifikimit në komunë të Prishtinës ne i kemi përditësuar ato adresa. Për këtë gjë, siç u tha, ne kemi dërguar mesazhe në të gjithë numrat e telefonit, për të shikuar qendrën e tyre të votimit. Deri me 26 dhjetor ka qenë i hapur afati. Përgjatë katër vitesh ka pasur informim të vazhdueshëm që është vetëm një Qendër Votimi me kusht dhe ndërrimi i Qendrave të Votimit. Ata persona që në regjistrat shtetëror figurojnë në ato adresa, janë përcaktuar afër vendbanimit të tyre”, sqaroi ai, njofton rtk.