/ Nga: Rexhep ELEZAJ, Gjermani
Duke marrë parasysh rezultatin preliminar zgjedhor, i cili nuk pritet të ndryshojë shumë nga përqindja aktuale pas përfundimit të numërimit të votave, edhe nga diaspora,
Duke pasur parasysh faktin, se partia fituese e këtyre zgjedhjeve, LVV-je nuk e ka arritur shumicën absolute që i mundëson formimin e qeverisë pa bërë koalicion me ndonjë parti opozitare,
Duke marrë parasysh faktin, se mandatari i parë sipas Kushtetutës së Kosovës, e që është kryetari i partisë fituese, Albin Kurti, nuk mund ta formojë qeverinë e vetme pa bërë marrëveshje me njërën nga minoritetet,
Duke marrë parasysh faktin, se formimi i qeverisë nga ana e mandatarit të parë, A. Kurtit, vetëm me minoritetet jo serbe, nuk i garanton sukses dhe stabilitet qeverisës për katër vite, sidomos faktin se në maj të vitit 2026 janë zgjedhjet për presidentin e Kosovës, ku me atë rast pa pjesëmarrjen e partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nuk mund të zgjidhet presidenti,
Duke marrë parasysh faktin, se mandatari i parë, e që është A. Kurti, nuk e formon qeverinë me Listën Serbe, ngase kjo do të nënkuptonte bërje koalicion me Aleksandar Vuçiqin dhe Beogradin zyrtar, gjë të cilën A. Kurti nuk do duhej ta bënte,
Duke pasur parasysh faktin, se partitë opozitare, edhe pse mund t’i bëjnë votat për formimin e qeverisë, si mandatar i dytë, në rast se mandatari i parë, A. Kurti, nuk mund ta formojë atë, as në këtë rast qeveria nuk do ishte e qëndrueshme, për shkakun e njëjtë, sepse me rastin e zgjedhjes së presidentit në vitin 2026, do ballafaqoheshin me problemin e njëjtë, pra me mungesë të kuorumit prej 80 deputetësh në sallën e Kuvendit, ngase LVV-je si opozitë nuk do t’ua bënte numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, gjë që kjo situatë do ta qonte vendin në krizë të thellë qeveritare, madje në zgjedhje të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme,
Prandaj, mendoj dhe jam shumë i sigurt, se zgjidhja më e mirë për Kosovën në periudhën e ardhshme katër vjeçare, gjatë së cilës duhet të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, patjetër me njohje reciproke, çështje të cilën edhe Administrata e re amerikane e presidentit D. Trump, dëshiron që ta përmbyllë gjatë mandatit të saj katërvjeçar.
Pra, zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe popullin shqiptar, do të ishte një Marrëveshje historike mes partisë fituese, LVV-je dhe opozitës, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, për formimin e Qeverisë së Unitetit kombëtar, deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila duhet përfundojë me marrëveshje gjithëpërfshirëse, të obligueshme ligjërisht si dhe me garanca ndërkombëtare.
Me këtë akt do të përfundonte njëherë e përgjithmonë njohja e plotë ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës, pastaj anëtarësimi i saj në OKB si dhe gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, akt i cili kombin shqiptar do ta forconte dhe përfundimisht vendoste në Bllokun perëndimor, aty ku e kemi vendin si popull, si kulturë dhe si racë iliro-evropiane.