Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në X ka thënë se mbajtja sa më e gjatë e Hashim Thaçit në Gjykatën e Hagës(Speciale), nënkupton njollë për institucionin.
“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”, ka shkruar ai.
Rama e ka bërë këtë koment si mbështetje për postimin e emisarit amerikan për misione të veçanta Richard Grenell, ku ky i fundit teksa ka uruar Kosovën për Pavarësinë, ka përmendur edhe ish-presidentin, që sipas tij po mbahet padrejtësisht në Hagë. “Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, shkroi Grenell, njofton rtk.