/ Nga Alketa Ktona Veshi/
Ashtu siç është bërë traditë e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. dje më datë 15 shkurt, u festua përvjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Ambientet e përcaktuara për festë të librarisë në lagjen Bay Ridge, Brooklyn New York, gumëzhinin nga zërat e bukur të fëmijëve të shkollës shqipe “Skënderbej”, të cilët mezi prisnin të performonin përpara syve të prindërve, anëtarëve e simpatizantëve të shoqatës. Flokët e dëborës përkëdhelnin xhamat e dritareve dhe brenda gjithçka veshur me mantelin e ngjyrave të Flamurit Kombëtar e atij të Kosovës. Punët artistike të fëmijëve të shkollës, krijuar enkas me tematikën ‘Kosova e Lirë” ishin ekspozuar dhe areduar si jo më bukur nga duart e mësueseve të shkollës “Skënderbej” zonja Adelina Lacaj, Gela Bulku dhe Anisa Preza.
Aktivitetin e nderoi prania e sekretarit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, dr. Pashko Camaj.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro–amerikane “Skënderbej” Inc. z. Imer Lacaj. Ai theksoi rëndësinë e kësaj dite historike për shqiptarët e Kosovës, si dhe për kombin shqiptar e të gjthë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë botën. Me këtë rast, z. Lacaj përcolli urimet e përzemërta, të kryesisë dhe të gjithë anëtarëve të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, dhe uroi gëzuar 17-Vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ai theksoi se 17 shkurti i vitit 2008 përfaqëson aktin më madhor në historinë e Kosovës, si një datë historike për kombin shqiptar dhe shqiptarët kudo që ndodhen, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe hapi një kapitull të ri të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit Kombëtar.
Në këtë ditë të shenjtë, së bashku me ju dhe gjithë shqiptarët anembanë botës, përulemi me respekt të thellë para sakrificës së dëshmorëve që dhanë jetën për këtë liri që populli shqiptar i Kosovës gëzojnë sot. Me nderim të veçantë, kujtojmë heroizmin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe të gjithë familjes së tij, të cilët u flijuan për themelet e pavarësisë së Kosovës, duke u përjetësuar në kujtesën kombëtare.
Zoti Lacaj vlerësoi dhe shtjelloi tri faktoret kryesore, të cilat sollën fitoren e pavarësisë:
1 – Ushtria çlirimtare e Kosovës dhe populli heroik i saj
2 – Kontributi i Shqipërisë në Luftën për Liri
3 – Ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës
I ftuari i nderit dr. Pashko Camaj përcolli përshëndetjet dhe urimet nga shoqata pan shqiptare ‘’Vatra’’, përgëzoi dhe vlerësoi punën dhe veprimtarinë e shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. si dhe simbolikën e vendit të festimit të përvejtorit të krijimit të shtetit të Kosovës në ambientet e librarisë, atje ku mësojnë dhe edukohen femijët e shkollës shqipe “Skënderbej” me gjuhën e traditat kombëtare. Ai shprehu rëndësinë e bashkëpunimit e shkëmbimit të vlerave midis Shqipërisë e Kosovës dhe transmetimin e këtyre vlerave te brezat e rinj. Zoti Camaj, në emër të shoqatës “Vatra”, dhuroi disa libra, Abetare për nxënësit e shkollës shqipe “Skënderbej”, si shkolla më e re shqipe ne qytetin e NY(NY City). Në shenjë falënderimi ai u rrethua dhe përqafua nga grupi i nxënësve, të kësaj shkolle.
Eventin e përshëndeti ish-luftëtari i UÇK-së dhe miku i shoqatës sonë, Blerim Gjocaj, djalë i familjes heroike, Gjocaj, e cila i ka dhënë kaq shumë luftës së Kosovës dhe Kombit.
Artan Dauti, anëtar i shoqatës solli fakte të përjetuara nga miq e ish-kolegë të tij, të cilët kishin marë pjesë në Luftën Çlirimtare të Kosovës
Znj. Alketa Ktona Veshi, sekretare e shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc., mbajti fjalën e rastit, e cila shprehu se: kujtimet mbi luftën çlirimtare janë si zahireja për shpirtin, ato na bëjnë të mos harrojmë kurrë atë që ka ndodhur. Ajo foli për masakrat, vrasjet, djegjet e shkatërrimet, përdhunimet, varret masive me të gjallë e të vdekur, nga agresioni serb, të cilat detyruan botën të kthente sytë nga Kosova, si dhe NATO-n të ndërmerte bombardimet ndaj Serbisë.
Vlera dhe kontributi i paçmuar i UÇK-së gjithashtu u trajtua nga znj. Alketa.
Më pas fëmijët e shkollës shqipe “Skënderbej” të drejtuar nga mësueset e devotshme të kësaj shkolle Adelina Lacaj, Gela Bulk dhe Anisa Preza, performuan me vallen “Marshi i UÇK-së”, ”Pavarësia” dhe “Mora fjalë”. Kori i shkollës këndoi “Unë jam shqipe nga Kosova”, si dhe recituan vargjet e poezizë “Njomëzak Marathonomak”, poezi nga Artan Dauti anëtar i shoqatës sonë, i cili ka marë frymëzimin nga një ngjarje reale e largimit të kosovarëve nga spastrimi etnik. Vëllai njomëzak mbajti në krahet e tij vëllain më të vogël për 30 orë ecje në rrugë e terrene të vështira për t’iu larguar barbarizmave serbe kundrejt popullsisë civile.
“Zgjohu Kosovë!” ishte interpretimi i nxënëses së shkollës shqipe “Skënderbej “ Kiara Laci, i cili mbylli programin artistik të shkollës dhe eventin në nder të Pavarësisë së Kosovës
Gëzuar përjetë Kosovë!
Gëzuar Shteti Shqiptar!
Alketa Ktona Veshi