/ Nga: Rexhep ELEZAJ
Fushata zgjedhore e cila zgjati një muaj para zgjedhjeve të 9 shkurtit, e cila ishte fushatë tepër e gjatë, tregoi qartë se kush janë përçarësit e vërtetë të kombit shqiptar në Kosovë, se kush janë nxitësit e fyerjeve dhe etiketimeve të kundërshtarëve politik, siç tregoi se cilët politikanë vepruan sipas doktrinës staliniste; “se kush nuk është me neve, është kundër nesh”, madje duke thënë se ata janë me Serbinë, se janë zuzarë, hajvanë, humbës të mëdhenj, etj.
Mjerisht, kjo veti e shëmtuar nuk ka qenë kurrë në traditën e shqiptarëve, bile shqiptarët edhe familjen e vrasësit e kanë lejuar të marrë pjesë në varrim.
Me një fjalë, nuk ka asgjë më të rrezikshme për një popull të vogël në numër, siç jemi ne shqiptarët në Kosovë, se sa përçarja e tij nga brenda nga disa grupe politike dhe individë të caktuar, të cilëve me vite asgjë nuk po iu bije tamam në skenën politike në Kosovë, përveç logjikës autoritare dhe konceptit të majtë politik, duke mos e vrarë kurrë mendjen, se as ideologjia e tyre nuk i bije tamam gjysmës tjetër të popullit, pra të djathtës shqiptare, pa marrë parasysh përqindjen e saj, meqë ky është parim i përcaktuar me normat e demokracive të mirëfillta, pluralizëm të cilin ne shqiptarët e kemi përqafuar me dëshirë pas rënies së Murit të Berlinit me 1989.
Pra, ta përçash dhe ndash një popull pa ndonjë arsye politike, për shkakun e vetëm se pjesa tjetër e popullit nuk e pranon si të vetën ideologjinë e majtë politike, ose për faktin e vetëm se e kanë votuar një lideri tjetër partiak, thjesht nga bindjet personale të tyre, një mohim dhe injorim i vullnetit të tyre, thënë më së buti, është veprim antikombëtar i cili për pasojë e ka dobësimin e forcës kohezive të një populli-komb të lirë dhe sovran, siç janë shqiptarët e Kosovës.
Pra, një Kosovë e vogël gjeografikisht dhe me numër të vogël të banorëve, nuk e ka luksin dhe as komoditetin që të ndahet në patriotë dhe tradhtarë, në armiq dhe zuzarë, në pro-serb dhe pro-rus, ngase kështu si popull i ndarë dhe i copëtuar nga brenda dhe jashtë, na donë vetëm armiku ynë barbarë, prandaj askush më shumë se përçarësit e kombit shqiptar nuk është në shërbim të interesave të armikut tonë shekullor, siç janë serbët dhe Serbia..!?
Merreni me mend, mbrëmë në Gjermani vetëm 3 orë pas mbylljes së kutive të votimit, dhe pas daljes së rezultateve të para, se cila parti i ka fituar zgjedhjet, të gjithë kandidatët për kancelar të 7-8 partive garuese u bën bashkë në një studio televizive, u ulën afër njëri tjetrit që të bisedojnë për të ardhmen e Gjermanisë.
Madje, kryetari i FDP-së, i cili nuk e kaloi pragun, para se më hy në studio televizive dha dorëheqje. Ja pra, nga kjo kulturë dhe demokraci perëndimore do duhej të merrnin mësim politikanët tanë kokëfortë në Kosovë..!?