/ Nga Dahest LUMA, Prishtinë
Gjilan, 26 shkurt 2025
Sot u zhvillua një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Zvicër dhe drejtuesve të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Ky takim kishte për qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit mes atdheut dhe mërgatës, duke pasur parasysh sukseset e vazhdueshme të gjeneratave të reja të diasporës në fushën e dijes.
Në këtë takim morën pjesë presidenti i Institutit, PhD. Dashnim Hebibi, i shoqëruar nga bashkëveprimtari Rafet Ademi, të cilët e njoftuan rektorin Prof. dr. Artan Dërmaku për planet dhe objektivat e institutit, duke i kërkuar bashkëpunim akademik dhe shkencor. Rektori Dërmaku ishte i shoqëruar nga Prof. dr. Dukagjin Leka (prorektor për mardhënie ndërkombëtare) dhe Prof. dr. Lulzim Rashiti, prodekan në fakultetin ekonomik.
Takimi u zhvillua në rektorat në një atmosferë miqësore, ku z. Hebibi i dhuroi rektorit edhe dy libra të shkruar nga ai me rëndësi kombëtare: “Lugina e Preshevës pjesë e unitetit kombëtar” dhe “Atdheu portativ”. Palët ranë dakord që në të ardhmen të formalizojnë bashkëpunimin përmes një marrëveshjeje konkrete.
Pas takimit, u realizuan fotografi kujtimi dhe Prof. dr. Lulzim Rashiti i shoqëroi mysafirët për një vizitë në ambientet e universitetit, duke përfshirë sallat e ligjëratave, bibliotekën dhe dy amfiteatrot. Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të takojnë edhe profesorët Prof. dr. Selim Daki dekan i shkencave sociale dhe Prof. dr. Blerim Haziri.
Në fund, z. Hebibi dhe z. Ademi falënderuan Prof. dr. Lulzim Rashitin për mikpritjen dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm me Universitetin “Kadri Zeka”. Gjithashtu, PhD. Hebibi informoi drejtuesit e universitetit se së shpejti në Zvicër do të fillojë punën Qendra Mediale Shqiptare, SAM24. Info duke kërkuar dhe ofruar mbështetje për këtë iniciativë.
Në ditët në vijim, delegacioni i Institutit do të vazhdojë me takime të tjera, në kuadër të forcimit të lidhjeve akademike dhe shkencore mes institucioneve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.