Pasi ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për pritjen në Milano, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka falënderuar vendin fqinj, Italinë, për mikpritjen që u ka bërë në të gjitha kohërat, shqiptarëve.
‘Marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë marrëdhënie qindra vjeçare, por ne shqiptarët kemi një fjalë: miku i mirë në ditë të vështirë’, theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha.
Sali Berisha: Të dashur bashkëatdhetare dhe bashkatdhetarë! Falenderime të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për këtë pritje madhështore. Entuziazmi, energjia, dashuria juaj për vendin, njerëz të lirë, atdhetarë të flaktë po shkrijnë sot ngricën e dimrit të narkodiktaturës në Shqipëri, dhe po sjellin pranverën e bekuar të demokracisë. Mirënjohje të pakufishme për këtë pritje kaq të zjarrtë. Pritje të cilat po kthehen në himnin më të bukur të rikthimit të PD, të fitores së opozitës shqiptare. Është kënaqësi e madhe ky takim sot me ju, një takim në Milano, qytetin e mikut italian më të shquar të shqiptarëve, e mikut të pavdekshëm të Shqipërisë dhe Sali Berishës, Silvio Berluksoni. Ky takim në Itali, në vendin mik të sprovuar në kohërat më të vështira për shqiptarët. Prandaj dhe, një falënderim i veçantë shkon për miqtë tuaj në këtë vend, për kombin e madh italian, për gjithçka kanë bërë për Shqipërinë, për shqiptarët.
Miqtë e mi, marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë marrëdhënie qindra vjeçare, por ne shqiptarët kemi një fjalë: miku i mirë në ditë të vështirë. Dhe italianët iu janë gjetur shqiptarëve në ditët më të vështira të tyre, bashkëpushtimit otoman, qindra e mijëra shqiptarë gjetën strehën në këtë vend të bekuar. Pas rrëzimit të diktaturës komuniste, Itali ishte vendi i parë që u mësy nga shqiptarët si toka e premtuar për të shpëtuar nga dhimbjet e tmerrshme të skamjes së diktaturës.
Këto vite të narkodiktaturës, përsëri ky komb, ky vend mik, hapi dyert dhe zemrat për shqiptarët e përzënë nga narkodiktatura e Edi Ramës. Ndaj dhe, le të shprehim bashkë një mirënjohje të pakufishme për miqtë tanë italianë dhe Italinë mike, njofton oranewsal.