/ Fjala e lirë nga PhD. Xhavit LIPAJ, Zvicër
Albin Kurti, kryeministri që dikur predikonte drejtësi, sot po e nëpërkëmb atë. Refuzimi i tij për t’iu përgjigjur Prokurorisë Speciale nuk është thjesht një akt arrogance – është një shkelje e hapur e parimeve që ai vetë pretendonte se mbronte. Dhe pyetja që lind natyrshëm është: çfarë ka për të fshehur Kurti? Pse i ikën drejtësisë si një politikan i zakonshëm i korruptuar?
Në vitet e opozitës, Kurti e denonconte kapjen e shtetit nga politikanët e pandëshkueshëm. Fjalët e tij ishin të forta: askush nuk është mbi ligjin! Por tani, kur ai vetë është thirrur nga drejtësia, përgjigjja e tij është heshtja, shpërfillja dhe arroganca. Kjo është hipokrizi e pastër.
Kryeministri që i ikën Prokurorisë – një precedent i rrezikshëm
Nëse një kryeministër refuzon thirrjen e Prokurorisë Speciale dhe nuk përballet me asnjë pasojë, atëherë drejtësia në Kosovë është e vdekur. Mesazhi që dërgohet është i qartë: pushteti është mbi ligjin. Nëse Kurti nuk jep llogari sot, nesër do ta bëjnë të njëjtën gjë edhe ministrat e tij, zyrtarët, kryetarët e komunave dhe çdo politikan tjetër që ndihet i paprekshëm.
Por mos të harrojmë, ky është i njëjti Albin Kurti që dikur organizonte protesta kundër sistemit të kapur. I njëjti që i quante politikanët e mëparshëm “hajna” dhe “tradhtarë” sepse nuk jepnin llogari. Çfarë ndryshoi? A mos u bë edhe vetë pjesë e të njëjtit sistem?
Prokuroria Speciale: E pafuqishme apo e …?
Në gjithë këtë histori, një tjetër skandal është edhe vetë Prokuroria Speciale. Si është e mundur që ky institucion nuk ka forcën të zbatojë ligjin kur bëhet fjalë për kryeministrin? Nëse një qytetar i thjeshtë nuk i përgjigjet thirrjes së prokurorisë, arrestohet dhe merret me forcë. Po Albin Kurti? Pse nuk veprohet njësoj ndaj tijë?
Qytetarët duhet të reagojnë – tani!
Dikur Albin Kurti i nxiste qytetarët të protestonin për drejtësi. Sot, qytetarët duhet të protestojnë kundër tij. Nuk mund të ketë dy standarde: një për qytetarët dhe një për pushtetarët.
Nëse Kurti nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë le të përballet me drejtësinë. Nëse është i pastër, prokuroria do ta vërtetojë. Por nëse vazhdon të refuzojë, atëherë qytetarët duhet ta trajtojnë atë si çdo politikan tjetër të korruptuar që përpiqet t’i ikë përgjegjësisë.
Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë me njerëz që e shkelin ligjin dhe e trajtojnë drejtësinë si një opsion dhe jo si një detyrim. Albin Kurti nuk është mbi ligjin – dhe nëse ai mendon të kundërtën, atëherë qytetarët duhet t’ia kujtojnë.