Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump deklaroi gjatë fjalimit në Kongres se kishte marrë një letër nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në të cilën lideri ukrainas shprehte gatishmërinë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për luftën Rusi-Ukrainë.
“Ukraina është gati të ulet në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur për të sjellë paqen e qëndrueshme. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit”, tha Trump në fjalimin para Kongresit.
Trump vuri në dukje gjithashtu se ai kishte qenë në “diskutime serioze me Rusinë” dhe se “kishte marrë sinjale të forta se edhe rusët janë gati për paqe”.
“A nuk do të ishte e bukur? Është koha për të ndaluar këtë çmenduri. Është koha për të ndalur vrasjet. Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë. Nëse doni t’i jepni fund luftërave, duhet të flisni me të dyja palët”, tha Trump.
Trump pritej të përshkruante më tej planet e tij për Ukrainën dhe Rusinë në fjalimin në Kongres, por nuk zbuloi detaje të mëtejshme se si ai planifikon t’i japë fund konfliktit më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Trump shtoi më tej se Ukraina ishte gati të nënshkruante një marrëveshje mineralesh me SHBA-në, për të cilën Uashingtoni thotë se është thelbësore për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për mbrojtjen e Ukrainës.
Ndërkaq, burime për Reuters shpjeguan se administrata Trump dhe Ukraina planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshjen në këmbim të ndihmës ushtarake, të cilën Trump e ka ndërprerë.
Por më vonë të martën, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent tha për Fox News se “nuk ka asnjë planifikimin për të nënshkruar marrëveshjen”, sipas një postimi në X nga një gazetar i Fox News.
Trump nuk dha detaje të mëtejshme mbi marrëveshjen e mineraleve, duke e lënë të paqartë fatin e saj.
Nga ana e tij, Zelensky u zotua të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në pas përplasjes në Zyrën Ovale me Donald Trump javën e kaluar.
Zelensky tha se ishte gati “në çdo kohë dhe në çdo format të përshtatshëm” për të nënshkruar marrëveshjen e mineraleve, të cilën ai e la në tryezë gjatë një vizite në Uashington pas debatit të Zyrës Ovale me Trumpin.
Deklarata e tij erdhi një ditë pasi Trump ndërpreu ndihmën ushtarake për Ukrainën, masa e tij e fundit për të përmbysur politikën e SHBA-së dhe për të miratuar një qëndrim më pajtues ndaj Rusisë.
“Ekipi im dhe unë jemi të gatshëm të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe që zgjat”, tha Zelensky në deklaratën e tij.
Nga ana tjetër, Moska tha se ndërprerja e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën ishte hapi më i mirë i mundshëm drejt paqes, megjithëse po priste të konfirmonte masën e Trump, transmeton Reuters.
Demokratët e SHBA-së kanë protestuar për qasjen e papritur të Trumpit drejt Rusisë, ndryshimi më dramatik gjeopolitik në breza për Uashingtonin, ku qeveritë nën të dyja partitë që nga vitet 1940 kanë prioritet mbrojtjen e Evropës nga një Moskë armiqësore.
Gjithashtu, ndërpreja e ndihmës ushtarake të SHBA-së ushtron më shumë presion mbi aleatët evropianë, të cilët e kanë mbështetur publikisht Zelenskyn pas përplasjes në Zyrën Ovale.
Britania dhe Franca, udhëheqësit e të cilëve të dy vizituan Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, kanë ofruar trupa për të ndihmuar në ruajtjen e një armëpushimi të mundshëm. Të martën, konservatorët gjermanë dhe socialdemokratët njoftuan propozime për të krijuar një fond prej 500 miliardë eurosh për të ndihmuar në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, njofton rtsh.