Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së tha se marsi në Kosovë nuk është thjesht një muaj në kalendar, por një kujtesë e përhershme e sakrificës, heroizmit dhe vendosmërisë së popullit për liri.
Ajo tha se janë mbledhur në këtë ditë të shenjtë, në një vend me simbolikë të jashtëzakonshme, në kazermën “Adem Jashari”, aty ku tha se ruhen dhe vazhdojnë të jetojnë vlerat për të cilat ranë dëshmorët tanë.
“Ky është vendi ku trashëgimia e Komandantit Legjendar Adem Jashari nuk është thjesht vetëm një kujtim, por frymëzim për brezat e ardhshëm të ushtrisë sonë. Sot kujtojmë me krenari, Komandantin Legjendar, familjen e tij heroike dhe gjithë luftëtarët që i dolën zot atdheut duke paguar lirinë me jetën e tyre”, tha presidentja.
Tutje, Osmani tha se në ato tri ditë të marsit 1998 në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të historisë s kombit shqiptar ku dëshmorë përveç burrave u bënë edhe fëmijët, gratë e pleqtë.
“Sepse Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por një kështjellë e lirisë, një fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë, dhe i tillë mbetet edhe sot. Familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës, një monument i gjallë si sakrificës dhe heroizmit të pashoq”, tha Osmani.
Ajo tha se në ato ditë marsi 1998, kur flaka mbuloi Prekazin, kur shtëpia e Jasharëve u bë kalaja e lirisë, u flijua një familje, por lindi një epokë e re për Kosovën, epoka më e lavdishme e historisë.
“Liria nuk përmbyllet me betejat tona, sepse ajo kërkon përkushtim të përditshëm për ta mirëmbajtur, sakrificë të vazhdueshme për ta mbrojtur shtetin tonë të fortë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë e brezin e ri të Jasharëve”, nënvizoi Osmani.
E para e shtetit tha se FSK-ja si trashëgimtare e UÇK-së, me profesionalizëm, është gjithmonë e gatshme t’i dal zot vendit.
“FSK-ja e policia janë garanci për sovranitetin tonë, një mburojë për paqe dhe sigurinë e qytetarëve tanë, dhe dëshmi se sakrifica e dëshmorëve nuk ka qenë e kotë”, tha tutje ajo.
Osmani shtoi se Epopeja i mësoi se asgjë nuk është e pamundur kur është guximi që të jenë të bashkuar për idealin e lirisë.
“Sot më shumë se kurrë, ne, duhet sërish të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kosovën tonë, për ta bërë atë më të fortë, më dinjitoze e më të respektuar në botë”, tha komandantja supreme e FSK-së, presidentja, Vjosa Osmani.
Po mbahet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së
Ka nisur ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën që mbanë emrin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Në këtë ceremoni që po mbahet me rastin e shënimit të 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, po marrin pjesë, presidentja Vjosa Osmani që është edhe komandante supreme e FSK-së, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca e përfaqësues të familjes Jashari në krye më vëllanë e Adem Jasharit, Rifatin.
Fillimisht aty u nderuan të dyja himnet, ai i Kosovës dhe himni kombëtar, derisa u bënë nderime pranë obeliskut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, teksa ushtarët e Kosovës njëzëri këndonin këngën kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Në nisje të kësaj ceremonie u tha se Epopeja e UÇK-së është ngjarja më sublime e kombit, që ndezi zjarrin e lirisë, bashkoi shqiptarët anë e kënd botës, duke u mobilizuar për luftë e çlirim nga okupatori, njofton rtk.