Komisionerja e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Marta Kos do të vizitojë Shqipërinë më 13 mars. Kjo është vizita e parë e komisioneres në Tiranë ku ajo do të zhvillojë takime me autoritetet më të larta shtetërore.
Sipas axhendës së vizitës së komisioneres Kos në Tiranë, së pari ajo do të ketë takim në Presidencë me kreun e shtetit, Bajram Begaj dhe më pas do të ketë një konferencë për mediet me Kryeministrin Edi Rama.
Sipas axhendës, Kos do të jetë e pranishme në një konferencë me temë zgjerimin e Bashkimit Europian që do të zhvillohet në Kolegjin e Europës.
Marta Kos po ashtu do të takojë kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe nënkryetarin e Kuvendit Agron Gjekmarkaj, së bashku me kryetaren e Këshillit të Integrimit Jorida Tabaku si dhe kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Kos e njoftoi vizitën gjatë janarit gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian ku u shpreh se Shqipëria pritet t’i përmbyllë negociatat deri në vitin 2027. “Ne do t’i mbështesim këto vende, por duhet një punë shumë e madhe”, tha ajo.
Komisionerja u shpreh sot në forumin e Bankës Evropiane të Investimeve se, zgjerimi nuk është një favor për vendet kandidate në BE, por “investim në paqen, lirinë, prosperitetin dhe sigurinë tonë”.
“Çdo reformë është një hap drejt një ekonomie më të fortë, një shoqërie më të drejtë dhe një të ardhme brenda Bashkimit Evropian. Me mbështetjen dhe garancitë e BE-së, ajo e ardhme nuk duhet të presë: mundësitë e investimeve dhe përparimi mund të fillojnë që tani”, tha Kos, njoftonn atsh.