Në zemrën e Evropës, aty ku majat e Alpeve prekin qiellin dhe lumenjtë rrjedhin si damarët e një trupi të gjallë, gjendet një copëz e madhe e kombit tonë, diaspora shqiptare në Zvicër. Mbi 500,000 shqiptarë, të ardhur nga çdo trevë etnike, kanë ngritur folenë e tyre me mund, mençuri dhe shpirt të pashuar. Dhe në këtë vend të bekuar, në këto vise madhështore ku shqiponja gjen lirinë e saj, pata fatin dhe nderin të jem mes tyre, të ndaj momente frymëzimi, gëzimi dhe vëllazërie.
Në këtë iftar të përbashkët, në festimet e 7 Marsit, shpirti shqiptar pulsonte fuqishëm. Ishte një ndjesi e papërshkrueshme të shihje sesi rinia jonë, si ylber i kulturës dhe vlerave tona, zbukuronte çdo cep të këtij vendi. Ata janë jo vetëm krenaria e kombit, por edhe garancia që flamuri ynë, gjuha jonë dhe vlerat tona do të qëndrojnë të përjetshme.
Sot, shqiptarët në Zvicër nuk janë më thjesht emigrantë; ata janë themelues të bizneseve të suksesshme, liderë shpirtërorë që mbjellin paqe e dashuri, diplomatë që mbrojnë interesat tona, filantropë që ndihmojnë komunitetin, akademikë e shkencëtarë që ndriçojnë rrugët e dijes, mësues që mbajnë gjallë gjuhën e shenjtë të të parëve tanë. Ata janë filozofët dhe mendimtarët që ndërtojnë urat mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes vendlindjes dhe vendit ku jetojnë.
Dhe teksa bisedoja me ta, ndjeja një forcë të jashtëzakonshme, një frymë vitaliteti dhe bashkimi që më dha shpresë të madhe. Shqiptarët e Zvicrës nuk kanë ngritur vetëm biznese, shkolla shqipe, qendra fetare e akademi – ata kanë ngritur një kështjellë të identitetit kombëtar në mes të Evropës. Ata janë shembulli i gjallë i një kombi të pathyeshëm, që kudo ku shkon, ndriçon.
Zemra plot përkushtim, shpirti plot krenari, do të jem gjithmonë pranë këtij komuniteti të jashtëzakonshëm. Do të mbështes me gjithë fuqinë time çdo përpjekje për forcimin e gjuhës, kulturës, fesë dhe identitetit tonë kombëtar. Shqiptarët janë një forcë e madhe, një dritë që nuk shuhet, një zë që nuk hesht.
Zoti i bekoftë shqiptarët! Zoti e bashkoftë kombin tonë dhe trojet tona të shenjta!