/ Cyrih, 8 Mars/
Në një mbrëmje të veçantë dhe plot emocion, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih organizoi para pak çastesh një takim solemn për të nderuar mësuesit shqiptarë në Zvicër me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit – Ditës së Gruas. Ky event, që u mbajt në ambientet e Konsullatës, shërbeu si një shenjë mirënjohjeje për kontributin e pashoq të arsimtarëve që mbajnë të gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgatë.
Mësues, veprimtarë të arsimit, veteranë të shkollës shqipe në Zvicër në kuadër të LAPSH, si Prof.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, pastaj, Dr.Vaxhid Sejdiu dhe mësues të tjerë si dhe disa përfaqësues të institucioneve të tjera shqiptare që veprojnë në Zvicër u mblodhën në këtë takim të organizuar nga Shefi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e madhe që ka puna e mësuesve në ruajtjen e identitetit kombëtar:
“Mësuesit janë shtylla kryesore e shoqërisë sonë dhe ruajtës të kulturës dhe gjuhës shqipe. Përmes punës dhe përkushtimit tuaj, fëmijët tanë jo vetëm që mësojnë alfabetin, por edhe ndihen krenarë për origjinën e tyre. Edukimi është investimi më i madh për të ardhmen, dhe ne do të jemi gjithmonë pranë jush.”
Me këtë rast, z. Berisha ndau edhe dhurata simbolike për të pranishmit, mes tyre Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa mësueseve iu dhurua nga një lule në shenjë respekti dhe vlerësimi për punën e tyre dhe për festën e 8 marsit.
Pas fjalës së tij, Dr. Dashnim Hebibi, publicist dhe president i Institutit Helvetik të Europës Juglindore në Zvicër, mbajti një referat të thelluar për rolin kyç të arsimit në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë. Ai citoi figura të njohura që kanë vlerësuar rëndësinë e arsimit, duke përmendur Luigj Gurakuqin, Malala Yousafzain dhe Konfucin, si dhe theksoi nevojën për një mbështetje më të madhe institucionale për mësimin plotësues të gjuhës shqipe:
“Mësuesit nuk janë vetëm edukatorë, por edhe ambasadorë të kulturës sonë. Është koha që shtetet shqiptare të angazhohen më shumë për ta institucionalizuar mësimin shqip në Zvicër.”
Fjalën e mori edhe z. Nexhat Maloku, ish-kryetar i LAPSH-it për Zvicër, i cili me humor dhe reflektim mbi përvojën e tij shumëvjeçare si mësues, theksoi se pavarësisht sfidave, LAPSH mbetet institucioni më i rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Zvicër.
Takimi u përmbyll me një koktej të organizuar nga Konsullata, ku të pranishmit patën mundësinë të shkëmbenin mendime dhe të diskutonin mbi sfidat dhe perspektivat e arsimit shqip në diasporë. Për ta bërë edhe më të veçantë këtë mbrëmje, Konsullata ndau libra për mësuesit, duke sjellë pak nga biblioteka e atdheut në zemër të Zvicrës.
Ky ishte një nga të vetmit takime të organizuara për nderimin e mësuesve shqiptarë në Zvicër, një gjest simbolik, por domethënës, që tregon se kontributi i tyre nuk harrohet dhe se ruajtja e gjuhës shqipe mbetet një kauzë e përbashkët për të gjithë shqiptarët. Këtë takim e moderoi znj.Blerta Nuhiu.
Menjëherë me një postim për rrjetet sociale edhe z.Berisha e përshkruajti takimin me këto fjalë:
Sonte, u bashkuam për të nderuar mësuesit tanë – figurat kyçe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Epopesë së UÇK-së dhe festave të 7 dhe 8 Marsit, kujtuam sakrificat dhe përkushtimin e atyre që me dije dhe edukim kanë ndriçuar rrugën tonë.
Mësimi plotësues në diasporë është shumë më tepër se një proces arsimor – është një mision kombëtar që siguron që brezat e rinj të mos harrojnë gjuhën dhe rrënjët e tyre. Faleminderit për punën e palodhur, përkushtimin dhe sakrificën tuaj! Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih do të jetë gjithmonë pranë jush“.
Foto nga Lulzim Hasi
helveticALforum