/ Nga Dahest LUMA, Cyrih /
Cyrih, 9 Mars 2025
Shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, ka pasur sot një mysafir të veçantë—babain e tij, Prof. Irfan Berisha, veteran i arsimit. Pas shumë personaliteteve që ka pritur në konsullatë gjatë shërbimit të tij, kjo vizitë kishte një peshë të veçantë emocionale.
Prof. Irfan Berisha, një figurë e njohur në fushën e arsimit, e përjetoi këtë takim me shumë emocion dhe krenari. Ai e falënderoi të birin për punën e palodhshme dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptar në Zvicër, duke shprehur bindjen se kontributi i tij do të vazhdojë edhe më tej në të mirë të mërgatës.
Një jetë ia kushtoi arsimit, duke edukuar breza të tërë, por vlerat dhe përkushtimi i tij reflektohen sot edhe në punën e të birit. Z. Vigan Berisha, i njohur për angazhimin e tij të përditshëm me diasporën, jo vetëm që përmbush detyrën e tij institucionale, por është gjithmonë pranë komunitetit, duke krijuar lidhje të forta dhe të sinqerta.
Z.Vigan Berisha e përshkroi këtë vizitë me fjalë të pakta, por të ndjera:
“Me mysafirin e veçantë në Konsullatë, babain tim, njeriun që më ka udhëhequr me mençuri e dashuri. Faleminderit për çdo sakrificë, këshillë dhe mbështetje të pakushtëzuar. Krenar për ty, babë!”
Një mesazh i pastërt dhe i mbushur me dashuri si dhe mirënjohje. Ky moment tregon jo vetëm përkushtimin familjar, por edhe përulësinë dhe profesionalizmin me të cilin z. Berisha e ushtron detyrën e tij. Gjatë një viti në detyrë, ai ka fituar besimin dhe respektin e mërgatës, duke dëshmuar se përtej protokolleve, një diplomat i mirë është edhe një njeri i afërt me komunitetin që përfaqëson.