/ Nga PhD. Xhavit LIPAJ, Zvicër
Në mes të natës, kur yjet rrëqethen,
një hije lëviz mes gurëve të heshtur,
një luftëtar, i vetmuar dhe krenar,
me plagë të hapura, por shpirt të paepur.
Mbi supet e tij bie hija e historisë,
zërat e shokëve të rënë e thërrasin,
këmbët e lodhura shkelin mbi dheun
që dikur e mbrojti me gjak e me zjarr.
I heshtur si mali, i fortë si era,
ai ecën rrugëve ku dikur luftoi,
mban në sy betimin e dhënë,
se liria s’vdes – ajo vetëm rritet.
E ka parë vdekjen në sytë e armikut,
ka ndier plagët të digjen pa lot,
por kurrë nuk u gjunjëzua, nuk u thye,
se shpirti i tij ishte betuar në Zot.
Tani ai endet mes hijeve të kujtimeve,
mes varreve ku shokët e tij pushojnë,
në heshtje ai mbetet një emblemë e gjallë,
një zë që s’ndalet, një frymë që jeton.
Se luftëtari i vetmuar nuk është kurrë vetëm,
ai jeton në zemrat e atdheut të tij,
në këngët e burrave, në gjakun e dheut,
në kujtimin e përjetshëm të një populli të lirë!
Për ata që luftuan, që mbijetuan, që nuk u harruan! Lavdi e përjetshme