Një burrë australian 40 vjeç, ka jetuar për 100 ditë me një zemër artificiale prej titani, duke shënuar periudhën më të gjatë që dikush ka kaluar me këtë teknologji.
Pacienti, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim, iu nënshtrua operacionit në Spitalin në Sidnei nëntorin e kaluar.
Në shkurt të këtij viti, ai u bë personi i parë në botë që doli nga spitali me këtë pajisje, e cila e mbajti gjallë deri sa iu gjet një donator këtë muaj.
Sipas një deklarate, pacienti po e rimerr veten mirë. Ky sukses konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt përdorimit afatgjatë të zemrave artificiale për pacientët me insuficiencë kardiake.
Zemra artificiale BiVACOR ka vetëm një pjesë lëvizëse, që përmes magneteve pompon gjakun drejt trupit dhe mushkërive, duke zëvendësuar të dyja ventrikujt e zemrës së njeriut. Duke qenë se nuk ka valvula apo kushineta mekanike, zvogëlohet rreziku i konsumimit.
Kjo teknologji, e krijuar nga inxhinieri australian Daniel Timms pas vdekjes së babait të tij nga sëmundjet e zemrës, ofron një alternativë premtuese për pacientët që presin një transplant zemre.
Në Australi, ky implant është pjesë e një programi prej 50 milionë dollarësh australianë për zhvillimin e pajisjeve për trajtimin e insuficiencës së zemrës.
Ekspertët shpresojnë që brenda dekadës së ardhshme, zemrat artificiale të bëhen një alternativë standarde për pacientët që nuk mund të presin donatorë, njofton oranewsal.