Më 12 mars, nëntë universitete evropiane u bashkuan në Offenburg të Gjermanisë për të nënshkruar Marrëveshjen e Konsorciumit, duke nisur zyrtarisht Aleancën ChallengeEU. Kjo nismë synon të rrisë cilësinë dhe konkurrueshmërinë e arsimit të lartë evropian, të forcojë integrimin dhe të lehtësojë mobilitetin për studentët, stafin akademik dhe komunitetin shkencor.
Projekti, pos objektivave tjera strategjike, theks të veçantë i kushton transformimit të universiteteve në komponentët e impaktit mbështetës të industrisë, aspekteve digjitale, mësimxenies me dije e shkathtësi të së nesërmes, që do t’i përgjigjen gjeneratës digjitale dhe tregut te transformuar të punës dhe shoqërisë në përgjithësi.
Një ndër universitetet kryesore në këtë aleancë është Universiteti i Evropës Juglindore. Me këtë rast, Rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti theksoi:

“Konteksti rajonal është koncept i veçantë dhe vendet me përmasa të vogla gjeografike mund të kenë ndikim dhe bashkëpunim përtej kufijve të tyre. Aktualisht, rreth 10-15% e studentëve vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndryshimet po ndodhin me ritme të shpejta edhe në rajonin tonë, por ekziston një hendek i theksuar midis njohurive teorike që mësohen dhe aftësive praktike që zbatohen në realitet.”