Mbi 20 persona janë të dyshuar, ndërsa 15 prej tyre janë arrestuar, në lidhje me zjarrin që shpërtheu në diskotekën në Koçan, ku si pasojë humbën jetën 59 persona dhe 155 të tjerë u lënduan. Lajmi bëhet i ditur nga Alsat.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski informoi se në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të ngjarjes në klubin e natës, pjesëtarë të detyruar për sigurimin e spektaklit, por edhe përfaqësues institucionesh si ish sekretari i Ministrisë së Ekonomisë dhe ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
“Ka të dyshuar, janë më shumë se 20 persona. Rreth 15 persona janë në stacion policor. Një pjesë e të dyshuarve për shkaktim të kësaj ngjarje penale kanë ndërruar jetë, sipas dyshimeve që kemi deri më tani. Një pjesë janë në spital. 4 persona momentalisht kemi siguruar në spital, dy pjesëtarë të grupit muzikor, djali i pronarit të diskotekës dhe drejtues i personit juridik, i cili e ka menaxhuar diskotekën. Një pjesë e personave të arrestuar, të cilët momentalisht janë në stacion policorë, janë njerëz që kanë faj direkt në lidhje me këtë ngjarje penale sipas provave që kemi mbledhur deri më tani. Ndërkohë, është arrestuar një person, i cili është organizator i ngjarjes”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
“Gjithashtu, të arrestuar janë edhe ish sekretari i Ministrisë së Ekonomisë. Kemi arrestuar ish drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre të punësuar në kuadër të Drejtorisë”, u shpreh Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Toshkovski, konfirmoi se klubi i djegur Puls, nuk ka pasur licencë të vlefshme për punë dhe kjo, sipas tij, është e lidhur me korrupsion.
“Licencë legale për punë, kjo kompani nuk ka. Nuk dua të zbuloj më shumë detaje në atë drejtim pasi jemi në fazën shumë të herët në kuadër të kësaj procedure, por dua diçka të theksoj, se edhe kjo licencë, ashtu sikur shumë të tjera në të kaluarën në Maqedoni, është e lidhur me ryshfet dhe korrupsion”, theksoi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Toshkovski, informoi se në spektaklin e mbrëmshëm kanë marrë pjesë gjithsej 500 persona, ndërsa mes 59 viktimave deri më tani janë identifikuar edhe 3 të mitur.
“Deri më tani janë konstatuar mbi 20 persona të mitur që janë lënduar dhe 3 persona të mitur kanë ndërruar jetë. Në diskotekë ka pasur diku, sipas informatave të para që i kemi, rreth 500 persona. Diku rreth 250 bileta janë shitur sipas informacioneve që kemi marrë. Emrat e të ndjerëve, pas mbarimit të identifikimit do të dorëzohen te familjet. Shumica e viktimave janë identifikuar. Të gjithë trupat që kanë qenë në kuadër të ngjarjes janë nxjerrë nga vendi i ngjarjes. Në gjendje kritike kemi 22 persona dhe një pjesë e këtyre personave do të transferohen në Turqi, një pjesë në Bullgari, një pjesë në Greqi dhe të tjerëve do t’u jepet trajtim i duhur për mjekimin e tyre”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
47 persona me lëndime të rënda dërgohen për kurim jashtë shtetit
Rreth 117 pacientë po trajtohen nëpër spitalet e vendit. Ndërkohë 13 pacientë janë dërguar për kurim jashtë shtetit, ndërsa planifikohet që edhe 27 pacientë gjithsej të dërgohen po jashtë vendit.
“Në klinikën e Kirurgjisë këtu ndodhen 25 pacientë, në Kirurgjinë e qytetit 24, në klinikën 8 Shtatori gjithashtu ndodhen 24, në Shtip 31, dhe në Koçan 13. Gjithsej janë 117 pacientë, në ndërkohë jashtë shtetit janë dërguar 13 pacientë. Pacientët që janë dërguar për shërim jashtë vendit do dërgohen në Greqi, disa në Bullgari, në Turqi dhe në Serbi dhe të tjerët do të shërohen këtu”, tha Taravari.
Dy spitale private kanë vënë në dispozicion pesë automjetet e tyre për kujdes intensiv për transportimin e pacientëve. Gjithashtu, kanë arritur dy autoambulanca nga Serbia, të cilët transportojnë pacientët drejt Nishit, kurse disa ambulanca kanë arritur edhe nga Bullgaria, ndërsa një avion nga Turqia gjithashtu do të transportojë pacientë.
“Meqenëse këto janë djegie që mund të komplikohen, për në ditët në vijim këshilli i mjekëve mendoi se do ishte mirë që të gjithë pacientëve tu bëhej vend në Shkup, ndërsa më kritikët të dërgohen jashtë vendit. Tre pacient u dërguan në spitalin Papanikolaou në Selanik. Ka mbërritur edhe avioni nga Bullgaria atje ka 8 pacientë, pesë më kritikë dhe tre më pak kritikë”, u shpreh Sasho Klekovski, Drejtor i Fondit Shëndetësor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është duke u organizuar transport ajror për të lënduarit më të rëndë nga zjarri në diskotekën e Koçanit. Pesë pacientë do të dërgohen për trajtim në Bullgari, dy prej të cilëve janë nga Klinika e Kirurgjisë “Shën Naumi i Ohrit” dhe tre nga Klinika e Traumatologjisë.
Në Turqi do të dërgohen për trajtim tre pacientë nga traumatologjia dhe gjashtë nga Spitali i Përgjithshëm “8 Shtatori”. Po ashtu, për në Greqi, me mjete të ndihmës së shpejtë, janë transportuar tre pacientë nga traumatologjia. Me mjete të ndihmës së shpejtë gjithashtu do të transportohen pesë pacientë për në Bullgari dhe pesë për në Serbi, njofton rtsh.