Aleanca për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian, kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski, atij të Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, kryetarit të komunës së Koçanit, Lupço Papazov dhe drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Xhevad Selami. Nga ASH Sela thonë se personat që janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë për tragjedinë në Koçan, ku si pasojë e zjarrit në diskotekën “Puls”, jetën humbën së paku 59 persona, gjithashtu duhet të japin përgjegjësi.
“Pas 9 muajve dështimesh të qeverisë dhe më shumë se një vit paaftësi nga Toshkovski, qytetarët nuk mund të durojnë më. Kaosi institucional dhe mosveprimi nuk mund të justifikohen më! Ministri i Punëve të Brendshme Toshkovski, Ministri i Ekonomisë Durmishi, kryetari i Komunës Papazov, drejtori i Inspektoratit të Tregut, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe të gjithë përgjegjësit për këtë situatë, duhet të japin llogari për keqmenaxhimin dhe dështimet e tyre të rënda! Përgjegjësit e drejtëpërdrejtë, përfshirë pronarët dhe falsifikatorët, duhet të mbajnë përgjegjësi penale! Por nuk mund të harrojmë as ata që heshtën dhe nuk vepruan në kohë – edhe ata janë fajtorë dhe nuk mund të shpëtojnë nga llogaridhënia. Ky është kulmi i dështimit! Dorëheqje tani!”, thonë nga ASH Sela, njofton opentv.