Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri në vitin 2027, Shqipëria përfundon negociatat me Bashkimin Evropian dhe më pas bëhet anëtare e familjes evropiane.
Për ta arritur këtë sipas Ramës, shqiptarët duhet t’i japin atij edhe një mandat tjetër qeverisës në zgjedhjet e 11 majit.
Duke folur në rubrikën ‘Sy m’sy’, Rama renditi disa nga përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nëse vendi bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
“Pasaporta evropiane na bën qytetarë të dorës së parë, sepse nuk ka më kufi për ne. Nuk hyjmë më në radhë për të shkuar te polici, nuk na pyet njeri sa do rrimë, as kur futemi, mund të rrimë sa të duam, mund të kërkojmë punë sa të duam.
Nëse kemi nevojë për një shërbim shëndetësor e marrim njësoj si ata që janë shtetas të atij vendi, rimbursohemi njësoj si ata.
Nëse jemi studentë, jemi studentë evropianë dhe jo të huaj siç jemi sot që do të thotë nuk kemi tarifa ekstra, nuk kemi kuota të veçanta e kështu me radhë.
Pra, pasaporta e BE-së na jep mundësinë që Shqipëria të bëhet sa Bashkimi Europian dhe BE të bëhet sa Shqipëria. Është e gjitha një Shqipëri e madhe, që ne lëvizim dhe jemi në Francë si francezët, në Gjermani si gjermanët, siç janë ata kur shkojnë te njëri-tjetri”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se me pasaportën evropiane shqiptarët do të trajtohen me dinjitet.
Sipas tij, nëse Partia Socialiste fiton zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, atëherë nuk do të humbet asnjë minutë kohë për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë më pas anëtar të Bashkimit Evropian.
“Është dinjiteti, me dinjitet të barabartë, nga na sheh njeri nga poshtë lart, nuk na trajtojnë; hajt se këta janë shqiptarë. Pasaportën mund ta marrim nëse bëhemi më 11 maj.
Nëse bëhemi bashkë më 11 maj, marrim një mandat të fuqishëm për të përmbyllur negociatat, pa humbur asnjë minutë kohë, pa asnjë luhatje, pa asnjë diskutim të brendshëm, ‘e lagu se lagu, jo se fitoi ky po shiko se duhet edhe ai’, dhe minutë për minutë, orë për orë, ditë për ditë, në 2027-n i japim fund negociatave dhe atëherë jemi anëtar të Bashkimit Evropian. Të gjithë me pasaportën e BE-së janë zotërues të hapësirës evropiane”, tha Rama, njofton rtsh.