Më 15-16 mars 2025, Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i Universitetit të Tetovës me programet studimore të Arkitekturës, Ndërtimtarisë, Mekatronikës dhe Inxhinierisë së Komunikacionit-Transportit mori pjesë në Panairin për Arsimin e Lartë, të organizuar në Shkup me moton “Përgatitu për të ardhmen”. Në këtë aktivitet ishin te pranishëm, institucione arsimore nga rajoni dhe më gjerë, për të ofruar mundësi të shumta informimi për studentët e ardhshëm.
Panairin e vizitoi edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i cili shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë dhe foli për rëndësinë e saj për promovimin e arsimit të lartë. Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi, i cili vuri në pah rëndësinë e përfshirjes së studentëve në projekte të bazuara në praktikë. Ai tha se synimi është të formojmë profesionistë të gatshëm për sfidat globale. “Këtu në panair, kemi demonstruar se si kombinimi i teorisë me teknologjinë moderne mund ta transformojë mësimin.” – deklaroi dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi.

Gjatë panairit, përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës zhvilluan takime me maturantë, prindër dhe profesionistë të arsimit, duke ofruar informacione të detajuara mbi procesin e aplikimit, kurrikulat akademike dhe avantazhet e studimeve në këtë institucion.
Ky aktivitet u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për të promovuar universitetin dhe për të nxitur të rinjtë të ndjekin studimet e tyre në një institucion me traditë dhe cilësi të lartë akademike si dhe hapi dyer për bashkëpunime të reja me institucione dhe organizata të tjera arsimore. /UT