Banorët e Ulqinit kërkojnë anulimin e tenderit për dhënien me qira të plazheveQiramarrësit e deritanishëm të plazheve të Ulqinit kërkojnë anulimin e tenderit që e fitoi një investitor i huaj, i cili bëri ofertën më të lartë për të marrë me qira plazhet e qytetit në Mal të Zi. Përveç kësaj, ata kërkojnë zgjatjen e kontratave të qirasë të lidhura vitin e kaluar, me të njëjtat kushte. Kjo u bë e ditur në një konferencë për media më 18 mars.
Kërkesat e tyre janë mbështetur edhe nga kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu.
Tenderi për qiranë katërvjeçare të plazheve të Ulqinit ka shkaktuar revoltë mes qiramarrësve të deritanishëm dhe autoriteteve lokale, të cilët besojnë se plazhet po u lihen investitorëve të huaj “përmes marrëveshjeve të dyshimta të arritura pas dyerve të mbyllura”.
“Një sulm i organizuar dhe i paprecedentë, i sinkronizuar me institucionet e sistemit, ka ndodhur gjatë tenderit të zgjatur, në të cilin ka marrë pjesë kompania Eagle Hills Montenegro,” ka vlerësuar Nimanbegu një ditë më parë.
Kompania arabe Eagle Hills ka paraqitur ofertat më të larta për numrin më të madh të plazheve në Plazhin e Madh në Ulqin, të cilat deri më tani janë dhënë me qira kryesisht sipërmarrësve vendas, njofton euronewsal.