Sot, nga ora 13.00, pas Bujanocit e Preshevës, u protestua edhe në Medvegjë për të drejtat qytetare, me moton kryesore “Kthema Adresën”! Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar z. Nevzad Lutfiu, ka bërë të ditur, gjatë fjalës së tij, se adresat e mijëra shqiptarëve janë pasivizuar.
Me një fjalë, para të pranishëmve, një fjalim rasti e mbajti edhe z. Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin e Serbisë dhe njëherit Kryetar i PVD-së. Në këtë protestë kishte veprimtarë të shumtë nga tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës, si znj. Ardita Sinani, Kryetare e Komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa, Këshilltar i zv. Kryeministrit të Kosovës, z.Shpiprim Musliu, kryetar i Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD), por nuk munguan as veprimtarë nga diaspora, ku në mesin e tyre ishte edhe Ambasadori i Paqes, z. Zenel Neziri, Kryetar Nderi i Sh. H. “Medvegja” në Zvicër, pastaj, anëtari i kryesisë së shoqatës, z. Shaban Bislimi dhe veprimtarë të tjerë medvegjas. Ndërsa, e para e Preshevës, znj.
Ardita Sinani, në profilin e saj ka shkruar: “Protesta e sotme “Kthema adresën” në Medvegjë ishte një zë i fuqishëm për barazi dhe drejtësi, një sfidë ndaj përpjekjeve për pasivizimin e adresave dhe për fshirjen e identitetit tonë kombëtar nga këto troje. Medvegja sot u bë simboli i zërit të çdo shqiptari që kërkon të drejtat e tij. Me flamurin tonë kombëtar qëndruam krenarë, kërkuam mbështetje ndërkombëtare për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”.
Ndërsa, z. Ragmi Mustafi, ndër të tjera, ka shkruar në profilin e tij në FB: “
Sot, Medvegja është zëri i çdo shqiptari që kërkon të drejtat e tij!
Në protestën “Kthema Adresën” para stacionit policor, qytetarët tanë të guximshëm kanë kërkuar të drejtën e thjeshtë dhe të patjetërsueshme – adresën e tyre, të drejtën për të qëndruar dhe për të jetuar në tokën e të parëve. Kjo protestë ishte thirrje e fortë për barazi dhe drejtësi. Pasivizimi i adresave është akt i padrejtë dhe përbën përpjekje për të shlyer identitetin tonë kombëtar në këto troje. Në Medvegjë ishim për të treguar se nuk do të dorëzohemi përballë padrejtësisë. Me flamurin tonë kombëtar që valëvitet si simbol i qëndresës dhe i krenarisë sonë, kërkuam ndërhyrje dhe mbështetje ndërkombëtare për të ndaluar këtë padrejtësi. Medvegja është Luginë, Lugina është shqiptare, është zëri i ndërgjegjes kombëtare! Do të qëndrojë ashtu dhe nuk do të lejojmë që të na zhdukin nga historia e nga toka jonë. 
“.





Ashtu siç theksoi z. Kamberi, nëse nuk do të reagojë faktori ndërkombëtar, do të rikërkojmë të drejtat tona në Strasburg, Bruksel, Berlin, Washington. Redaksia e ‘HelveticAlForum’ ka mësuar që protestuesit janë shpërndarë të qetë. / HelveticAlForum, Medvegjë