“Dy shtetet tona shqiptare, respektivisht ministritë e arsimit të lidhin marrëveshje me të gjitha shtetet, ku shqiptarët janë me numër të madh në mërgatë, që të dërgojnë kuadro nga vendi (vendet) amë dhe mësimi shqip ta merr vendin e merituar. Me gjithë respektin për angazhimin individual të LAPSH, mendoj se nuk mjafton dhe po dëshmohet që ka efektin e duhur angazhimi në baza vullnetare. Mërgatës duhet dhënë më tepër hapësirë për investime të vogla që mos të investohet vetëm në ndërtimin e shtëpive, por të fillojmë të mësohemi që investimet në grup (aksionare) sjellin suksesin, jo vetëm për investitorët, por edhe për shtetin dhe punëmarrësit”, na tha, ndër të tjera, z. Ibrahimi.
Intervistë me veprimtarin Nderim Sali Ibrahimi, që jeton dhe vepron në Zvicër
Një biografi me disa fjalë, ju lutem!
Quhem Nderim Sali Ibrahimi, nga fshati Përlepnicë, Komuna e Gjilanit. Jam i martuar, babë i tre djemve, me të cilët krenohem që kam arritur ti edukoj në frymën atdhedashëse. Jetoj dhe veproj në Kantonin Aargau që nga 22 gusht 1997. Jam udhëheqës i logjistikës në një kompani, e cila prodhon elemente të gatshme për ndërtim, si dhe fasada tridimensionale, e cila është monopol në tregun zviceran.
Data e lindjes, vendi, shkollimi?
I lindur më 9 shtator 1981 në Përlepnicë (Gjilan), ku kam kryer shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e kam filluar në Gjimnazin ‘Zenel Hajdini’ në Gjilan dhe pastaj, pas bashkimit familjar në Zvicër, kam vazhduar dy vite në shkollim integrues për të rritur në Frick si dhe Aarau. Jam i diplomuar në shkollimin e mesëm profesional për Winzer (Verëbërës) si dhe pastaj përmes shkollës virtuale me korrespondencë ‘Klett Akademie Management’ – Buchhaltung (Kontabilist). Këtë vit filloj një Weierbildung (edukim vazhdues) si Logistikfachmann HF/BP.
Na flisni pak për motivin dhe arsyet që ju shtynë të linit vendlindjen për të ardhur këtu?
Pasi që babi im, Saliu, nga viti 1987 vendosi ta linte punën në postën e qytetit të Gjilanit dhe emigroi për në Zvicër, ku ishte edhe xhaxhai i tij, Vehbiu (ndjesë pastë), pas gjendjes së paperspektivë dhe të brishtë politike, në verën e vitit 1997 emigruam edhe pjesa tjetër e familjes, pra bëmë bashkim familjar. Fatkeqësisht, jo edhe gjyshja, e cila mbeti e vetme ne Kosovë.
Me çfarë vështirësish jeni përballur në vitin e parë, si mërgimtar?
Eh, tani më ktheve pak prapa. Më e vështira për mua ishte, natyrisht, mësimi i gjuhës gjermane edhe pse shumë shpejt arrita ta mësoja, pasi që u angazhova me kurse intensive. Adaptimi në këtë shtet me kushte rigoroze, përpikëri e saktësi, ishte shumë i vështirë, por më e vështira ishte se më mungonte aq shumë vendlindja, gjyshja e cila më kishte rritur dhe fatkeqësisht nuk arritëm qe edhe ajo të na bashkohej, sepse ashtu ishin kushtet e bashkimit familjar nga shteti helvetik. Shoqërinë e ‘zëvendësoja’ me disa kushërinj bashkëmoshatarë, të cilët kishin emigruar më herët. Thjesht, më mungonte aroma e vendlindjes, e që tani, edhe pas gati tre dekadave, ende e kam në shpirt dhe nuk mund ta zëvendësoj.
Cila ka qenë puna e parë që keni arritur t’a gjenit në mërgim?
Puna e parë për mua ishte riangazhimi im si muzikant, pasi që, krahas shkollimit, kam luajtur në klarinetë me Grupin ‘Ndriçuesit.’ Në Zvicër arritëm ta krijonim një orkestër të re, Grupi ‘Hareja’, nëse nuk gaboj ,diku në fund të vitit 1997. Ky grup ka funksionuar deri në vitin 2011, kur vendosa të ndahesha nga ky profesion për arsye të degjenerimit të muzikës shqipe.
Për çka ju merr malli më së shumti nga të gjitha ato që keni lënë në atdhe?
Kësaj pyetjeje mund t‘i përgjigjem shumë gjatë, por me pak fjalë për gjithçka.
Diaspora shqiptare ka dëshmuar që di dhe mundet të organizohet në mbështetje të interesave kombëtare. Sipas jush, cili është niveli i organizimit të saj sot dhe çfarë potenciali kontribues përfaqëson diaspora jonë në ditët e sotme?
Personalisht, nuk jam i kënaqur me këtë punë, duke njohur kapacitetet që neve kemi dhe të cilat, fatkeqësisht, nuk po arrijmë t‘i shfrytëzojmë. Kam përshtypjen që jemi kapluar nga egoja personale dhe interesat kombëtare, shpesh, po i mënjanojmë. Nuk dua të tingëlloj pesimist, por edhe pse ka aq shumë shoqata shqiptare në mërgim, mendoj që neve, si komunitet (së paku flas për Zvicër), kemi kapacitet shumë më të madh se kaq. Duhet t‘i mënjanojmë bajraktarizmat, lokalizmat dhe sa ma pak të punojmë ‘me bërryla’.
Si e kaloni kohën e lirë kur nuk jeni në punë?
Leximin e kam shok të pandashëm. Kryesisht, gjithçka që lidhet me histori mesjetare, si dhe etimologji. Pastaj, klarinetën nuk kam arritur ‘ta tradhtoj’, pra i bëj qefin vetes thuajse çdo ditë.
Kohën e lirë, mundohem ta ndaj në tri pjesë: angazhime familjare (edhe pse ndoshta nganjëherë u hyj në hak për arsye të angazhimeve aktive), angazhime në shoqata të ndryshme, si dhe vetvetja. Thjesht, aty ku flitet për të mirë të atdheut, kulturë shqiptare, mundohem ë jem prezent me trup e mendje.
Sa mendoni që ka arritur të integrohet gjenerata e re e diasporës shqiptare në shtetin ku ju jetoni e veproni?
Gjenerata e tretë, tani nuk mund të thuhet se ‘po integrohet’, por është pjesë faktike e shtetit helvetik. Thjesht, nuk dallon asgjë nga një ‘vendës zviceran’. Ndoshta gaboj, por kam frikën se duke u fokusuar shumë në intergrim, shpesh po ngatërrohemi me asimilim. Prandaj, duhet të jemi fort të kujdesshëm që asimilimin ta vonojmë sa më shumë që është e mundur.
Sipas mendimit tuaj, për çfarë mbështetje konkrete të shteteve shqiptare ka nevojë urgjente diaspora shqiptare?
Gjëja e parë, më e rëndësishmja, sipas mendimit tim, do të ishte që dy shtetet tona shqiptare, respektivisht ministritë e arsimit, të lidhin marrëveshje me gjitha shtetet ku shqiptarët janë me numër të madh në mërgatë, që të dërgojnë kuadro nga vendi (vendet) amë dhe mësimi shqip ta marrë vendin e merituar. Me gjithë respektin për angazhimin individual të LAPSH, mendoj se nuk mjafton dhe po dëshmohet që ka efektin e duhur angazhimi në baza vullnetare. Nën dy, mendoj që mërgatës duhet dhënë më tepër hapësirë për investime të vogla që mos të investohet vetëm në ndërtimin e shtëpive, por të fillojmë të mësohemi që investimet në grup (aksionare) sjellin suksesin, jo vetëm për investitorët, por edhe për shtetin dhe punëmarrësit.
Cili është kapitali juaj shpirtëror, të cilin keni arritur ta krijoni dhe me të cilin ndjeheni krenar?
Nga natyra jam i tillë që nuk preferoj të flas për krenarinë personale, por po e them thjesht, pas çdo angazhimi për të mirë të kombit, pas çdo aktiviteti human, ndjej kënaqësi shpirtërore.
A keni bërë plane se ku ti kaloni vitet pas pensionimit?
Sigurisht, ndoshta çdo ditë. Por, kur po i shoh disa familjarë dhe nga rrethi i gjerë, të cilët, pas pensionimit thonë; „nuk e di, po sˋpo mund të adaptohem në Kosovë“, apo arsye tjera, si: „të gjithë në Zvicër, çfarë të bëjë unë atje?“, për të qenë i sinqertë, më frikësojnë. Ndoshta edhe mua do të më gjejë e njëjta, por prapë mendoj se nëse jam shëndosh e kam fat të jetoj, në moshën e tretë, më së largu do tˋi kthehem vendit tim, ku ajri është më „i lehtë“, dielli të ngrohë më mirë e era e çdo fruti ndihet më larg.
Cila është porosia juaj për gjeneratën e re të komunitetit shqiptar që po rritet në diasporë?
I kam dy porosi, e këtu po e citoj Akademik Nexhat Dacin; „Zoti e ka krijuar ditën me 24 orë. Ndaje në tre pjesë, 8/8/8 punë, familje/aktivizëm/qetësi dhe gjumë! Kurse porosia tjetër është kryesisht për ata/ato të cilën shtirren „më katolik se Papa“ dhe në vend se të krenohen me kombin e tyre, „nganjëherë“ flasin gjëra jo të hijshme për atdheun e që mendojnë se po lartësojnë vetën e tyre, kujdes sepse EIDGENOSSEN i duan më fort ata të cilët e duan vetën, kombin dhe kulturën e vet. Prandaj, jo me çdo kusht, duhet të asimilohemi dhe të denigrojmë rrënjët tona.
I keni thënë vetes, ‘pse kam ardhur në mërgim’?
Sikur unë, vet, të kisha vendosur, kurrë nuk do tˋa merrja këtë udhë. Betohem! Por, nëse i referohemi proverbit që thotë: „vetëm kur se ke afër, ia di vlerën më fort!“, them, ndoshta kam fatin të jam mërgimtar e tˋa dua atdheun tim më fort sesa të isha në atdhe! Kush e di, ndoshta.
Mendoni se ju kanë shkuar shumë vite, duke menduar se një ditë do të ktheheni në atdhe?
Jo, e kam të „gravuar“ në kokë. Por çdo gjë me sukses, kërkon një plan paraprak. Prandaj, paraprakisht kam menduar që pas shkollimit të fëmijëve, të punoj edhe për disa vite që dekadën tjetër tˋa vazhdoj në Kosovë. Por, jo duke qenë pasiv dhe mysafir në vendin tim, me vazhdim të punës dhe eksperiencës personale.
Çka kujtoni më së shumti nga atdheu?
Për secilin nga ne, vendlindja është e pazëvendësueshme, e për mua Përlepnica, të cilën edhe pse mbi dy dekada e gjysmë larg saj, nuk arrij tˋa heq nga ëndrrat e mia. (As që e dua të më shlyhet ndonjëherë).
Më kujtohet koha e viteve të nëntëdhjeta. Isha rreth 10-11 vjeç. Në sallën e kulturës së fshatit tim, i cili ishte thuaja si „kodi sekret“ i çdo mbledhje që organizonte Komuna e Gjilanit, mbaheshin mbledhje. Kur vinte milicia gjakatare asokohe, tubimet ktheheshin nga politike, në koncert apo ndonjë dramë. Këtë e realizonin njerëz largpamës dhe pozita gjeografike që ka ky fshat. Edhe pse ndoshta të nesërmen lajmet ju shkonin në organet e rendit, pasi që kishte „ciceronë informatorë“ gjithandej. E kujtoj shkollën e fshatit tim, nga e cila kanë dalë shumë mësues, të cilët kanë shpërndarë mësimin gjithandej trojeve shqiptare, prandaj quhet edhe si „fshati eksportues i mësuesve“, vendlindja e Heroit të Kombit Zijah Shemsiu e Prof. Dr. Xhavit Ahmetit. Me tjera fjalë „është krenari, me qenë përlepnicali!“
Si ishte jeta e mërgimit më herët dhe si është sot, apo cila periudhë për ju është më e mirë, ajo më e hershmja, apo kjo e sotmja?
Tani, jeta është shumë dinamike. Kam përshtypjen se ne, si komb, nganjëherë i ngjasojmë maceve, të cilat, po i sulmove, dinë të mbrohen, e po i le të qeta, mos prit që të bëjnë ndonjë sherr. Tani, nëse shohim nga aspekti personal, sigurisht që tani jemi mirë, por nga aspekti organizativ dhe kombëtar, nuk jemi aq lakmueshëm!
Çka nuk i falni vetes?
Për të qenë i sinqertë, sigurisht që ka plot gjëra, sikur secili njeri që jeton, edhe gabon. Por, nëse do të kisha pasur mundësi ta ktheja kohën prapa, nuk do të isha koncentruar fort te lëndët shkencore, por do të isha në mes të gjuhës, historisë apo gazetarisë investigative. Pos kësaj, angazhimet dhe aktivizmin do t‘a bëja më me kujdes, sepse shpesh keqpërdoret mirësjellja, sinqeriteti e bujaria.
Gjatë gjithë kësaj kohe sa keni në mërgim, keni fituar më shumë apo keni humbur?
Nuk e di se si do të ishte sikur mos të kisha jetuar në mërgim, prandaj vështirë tˋi përgjigjesh kësaj pyetje.
Si parim e kam të pajtohem edhe kur nuk pajtohem, prandaj mendoj që fitimi e humbja shkojnë bashkë me njëra-tjetrën.
Mendoni se edhe në të ardhmen, gjeneratat e reja që jetojnë e veprojnë në Zvicër, nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe?
Uroj që jo, por edhe mendoj se do të arrijmë ta ruajmë gjuhën, ndoshta edhe më mirë sesa që skeptikët mendojnë. Tani i kemi të gjitha mundësitë teknike ta bëjmë një gjë të tillë, prandaj kërkohet vetëm vullneti.
Nëse arbëreshët e Italisë e ata të Zarës kanë arritur ta ruajnë, duke mos pasur fatin asnjëherë të vizitojnë vendet e paraardhësve, pse mos ta bëjmë ne një gjë të tillë. Shto këtu edhe anën teknike dhe kapjen e çdo informacioni në kohën reale, pra, ne vetëm fizikisht nuk jemi në atdhe!
Sikurse të ishte e mundur që të vinit edhe njëherë prej fillimit në mërgim, çka do të kishit bërë në ditën e parë?
Ndoshta do të isha mërzitur më pak. (Buzëqeshje) Do të lëvizja „çdo gur“ që tˋi mundësoja edhe gjyshes sime (ndjesë pastë) tˋi lejohej bashkimi me ne, sepse nuk isha mësuar të ndahesha nga ajo. Ishte tmerr shpirtëror. Kjo është hera e parë që po e shfaq me ju. Edhe pse kisha fatin në fatkeqësi, kur më 14 prill të vitit 1999, i gjithë fshati ynë, i cili ishte si therë në sy për okupatorin serb, u detyrua dhunshëm ta lëshonte vendin dhe gjyshja pastaj rreth një viti kishte mundësinë e qëndrimit azil në Zvicër. Edhe pse babi im, me shumë angazhim u mundua ta parandalonte deportimin e saj, autoritetet kantonale na obliguan ta kthenim në Kosovë.
Për fund të kësaj interviste, ku kishit dashur të pinit pikën e fundit të ujit të kësaj bote?
Në oborrin e shtëpisë sime në Përlepnicë!
Intervistoi: Dashnim HEBIBI