Intervistë ekskluzive
“Kam studjuar shkencat sociale në ZHAW, Zürich. ZHAW ofron studimin e përgjithshëm, i cili më mundësoi të punoj në këto role profesionale, si: punonjëse sociale, edukatore sociale dhe animatore socio-kulturore. Shumë nga specializimet e këtij profesioni nuk mund të adaptohen në sistemin e Kosovës apo të përkthehen në gjuhën shqipe. Arsyeja për këtë është se ky profesion i përshtatet zhvillimeve dhe nevojave sociale”, na tha ndër të tjera, zonja Cakolli Kqiku.
Zonja Kqiku, ju jeni emër i njohur për diasporën tonë në Zvicër e më gjerë, sepse ishit edhe pjesë e Shoqërisë Kulturo Artistike “Dardania” me qendër në Winterthur të Zvicrës, të cilën babai juaj e ka drejtuar dhe e drejton edhe sot e kësaj dite suksesshëm. Po e fillojmë këtë intervistë apo bashkëbisedim drejtpërdrejt me pyetjen e parë. Si po ju duket kjo ide e librit?
Për mua, kjo ide e librit është një nismë shumë e suksesshme, por edhe e rëndësishme. Fatkeqësisht, edhe sot nuk mund të pretendojmë se janë arritur mundësitë e barabarta dhe barazia gjinore. Botime si ky synojnë të fuqizojnë vajzat e reja dhe t’u tregojnë atyre se gjithçka është e mundur. Asnjë strukturë shoqërore nuk mund ta ndalojë atë, në atë që ajo dëshiron të arrijë. Megjithatë, ky libër nuk duhet të përdoret vetëm si motivim nga vajzat e reja. Djemtë e rinj, gjithashtu, mund të identifikohen me sukseset e ndryshme të gjinisë së kundërt dhe mund të përdorin qëndrimin e tyre për të parandaluar sjelljen e disa qëndrimeve stigmatizuese dhe patriarkale. Të gjithë jemi të barabartë dhe të gjithë vlejmë njësoj. Ne, të gjithë, e jemi NJERËZ!
Mendoni se gruaja shqiptare është paksa e harruar në diasporë?
Këtë nuk e besoj fare, por e besoj krejtësisht të kundërtën. Gratë dhe vajzat e diasporës tani thuajse shihen si ambasadore të vendit. Nëse ne nisemi nga të gjitha fytyrat e njohura dhe publike që njihen ndërkombëtarisht, mund të themi se këto femra po japin një shembull aq të mirë, sa ne na bëjnë të qëndrojmë në një këndvështrim tjetër. Ne nuk jemi të reduktuar vetëm në temën e luftës apo në karakteristikat tona në rolin e punëtorëve sezonalë. Jo! Ne përceptohemi si një komb i larmishëm dhe përparimtar. Kjo është shumë e dobishme për kombin tonë.
Por, unë, gjithashtu, mendoj se është e rëndësishme që nuk janë vetëm yjet e mëdhenj që mund të lëvizin botën dhe të ndikojnë në pikëpamjen e kombit shqiptar. Thonë se ndryshimet e mëdha vijnë nga ndryshimet e vogla. Pra, është e rëndësishme të theksohet këtu se gratë mund të dëshmojnë përkushtimin e tyre në nivele të ndryshme dhe gjithashtu mund t’u tregojnë shoqërive të tjera se gruaja shqiptare është shumë më tepër sesa thjesht një viktimë e patriarkalizmit.
Jeni duke punuar në këshillin kantonal të arsimit të Cyrihut. Çfarë pune bëni?
Kam studjuar shkencat sociale në ZHAW, Zürich. ZHAW ofron studimin e përgjithshëm, i cili më mundësoj të punoj në këto role profesionale si: punonjëse sociale, edukatore sociale dhe animatore socio-kulturore. Shumë nga specializimet e këtij profesioni nuk mund të adaptohen në sistemin e Kosovës apo të përkthehen në gjuhën shqipe. Arsyeja për këtë është se ky profesion i përshtatet zhvillimeve dhe nevojave sociale. Në thelb, punonjësit socialë këshillojnë dhe mbështesin njerëzit në situata të vështira të jetës që karakterizohen, për shembull, nga varfëria, mungesa e aftësive, sëmundja, varësia ose abuzimi. Ata mbështesin njerëzit në çështjet financiare, në gjetjen e hapësirës së punës dhe të jetesës ose në krijimin dhe dizajnimin e rrethit social. Në thelb, ka të bëjë, gjithashtu, me kundërveprimin e pabarazisë sociale. Andaj, definiconet e profesionit varen shumë me temat sociale të një vendi.
Funksioni im aktual është një pozicion staf për Ministrinë e Arsimit të Qytetit të Cyrihut. Nëpërmjet punës sonë, ne promovojmë masa për parandalimin e dhunës dhe japim këshilla për incidente dhune, shkelje kufitare dhe kriza. Ne mbështesim shkollat dhe organizatat partnere në promovimin e një kulture konstruktive konflikti dhe në krijimin e një klime mbrojtëse. Nëse është e nevojshme, ne, gjithashtu, mbështesim shkollat përmes ndërhyrjeve apo intervenimeve në grup, ku përfshihen fëmijët dhe të rinjtë e përfshirë. Ne, gjithashtu i kushtojmë vëmendje zhvillimeve problematike sociale dhe ofrojmë bazën për veprim nëse është e nevojshme.
Si është të jesh e bija e z.Shefqet Cakollit, veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare,i cili, kurrë nuk diti dhe as që di të ndalet së vepruari për të mirën e kombit?
Të jesh bija e një aktivisti të madh dhe të përkushtuar ngjallë ndjenja të ndryshme. Nga njëra anë, ndjhesh krenare dhe e privilegjuar që ke përjetuar vlera të tilla. Nga ana tjetër, është edhe një përgjegjësi e madhe. Është sfidë e madhe, nëse do t`ia dalësh të zësh vend në hapat e mëdha të atit. Asnjëherë nuk munguan vizitat në muze të ndryshme dhe teatër, ku arti ishte, pothuajse, si anëtar i familjes. Ky është një bekim i madh për mua.
Unë jam lindur dhe jam rritur në Zvicër. Sigurisht që jetën në mes të dyja kulturave e shoh si një pasurim. Në të njëjtën kohë, megjithatë, është një sfidë dhe ti e pyet veten nëse mund të jesh e zonja ndaj të dyja kulturave, asaj shqiptare dhe asaj zvicrane.
Kur bëhet fjalë për babin tim, apo prindërit e mi, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të përzemërta. Prindërit e mi ishin një mbështetje e rëndësishme dhe e pashmangshme në jetën time.
Në përgjegjësi është e rëndësishme që prindërit t’i mbështesin fëmijët e tyre, por që ata të mundohen ti mbrojnë fëmijët dhe në të njëjtën kohë të mundohen që ata mos të jenë të kufizuar në aftësinë e tyre për të vepruar si fëmijë dhe më vonë si të rritur. Nuk duhet të jesh nën hijen e askujt, por duhet të jesh në gjendje të bëhesh një version edhe më i mirë i vetes me të gjitha vlerat që ke. Andaj e falenderoj babin, aktivitetet e të cilit më lejuan të bëhem versioni më i mirë i vetvetes!
Nga kush keni marrë mbështetje më të madhe pas babit dhe mamit?
Mbështetja e prindërve të mi ,vështirë se mund të shprehet me fjalë. Kujdesi dhe ndihma e tyre shkojnë përtej detyrës prindërore. Për mendimin tim, është një akt i madh dashurie që ata u vunë plotësisht në dispozicion për çdo nevojë timen – si fëmi apo edhe si e rritur. Meqenëse të dy prindërit e mi kishin studjuar në universitet, ishte një lehtësim i madh për mua të flisja me dikë për sfidat, me të cilat po përballesha gjatë studimeve të mia. Nëna dhe babai im ishin për mua prindë shumë më të mirë dhe për fëmijët e mi, gjyshër aq të përkushtuar, se sa unë që mund ta imagjinoja veten ndonjëherë të jem për fëmijët e mi.
Në të njëjtën kohë, falenderimi im i madh shkon për motrën dhe vëllain. Thuhet se janë gjërat e vogla që të bëjnë të dështojnë në përditshmëri, por ata nuk më lanë vend për dështime. Fakti që ata më mbështesin në jetë, për mua ka kuptimin sa e gjithë bota!
Megjithatë, kur bëhet fjalë për shtyllat e jetës, nuk do të ishin të mundura arritjet e mia pa mbështetjen e bashkëshortit tim. Një karrierë e tillë do të thotë që shpesh herë të jesh larg familjes dhe atyre u mungon, sepse ke obligime mësimore apo obligime të tjera. Kjo nuk ka qenë kurrë pengesë për partnerin tim dhe ai më mbështeti në çdo hap të jetës sime.
Na thoni drejt, si i shihni gjeneratat e reja që po rriten në diasporë?
Kjo është një pyetje shumë e hapur dhe subjektive, por edhe e bukur. Nisur nga ambienti im, i cili përbëhet edhe nga gjenerata të reja, më duhet të them se nuk kisha mundur të jem më krenare se tani. Anëtarët tanë të shoqërisë kulturore dhe artistike ‘Dardania’ janë tashmë një shembull i mirë se si mund të shkëputemi nga shumë stigmatizime. Ne japim një shembull të mirë dhe kontribuojmë në shoqëri civile, me vallet, këngët por edhe përqendrimet e tona. Sigurisht, profesioni im më jep edhe një perspektivë të orientuar drejt deficitit. Sigurisht që takoj edhe njerëz që kanë pësuar goditje të rënda të fatit. Asnjë akt nuk qëndron i vetëm. Gjithmonë ka një histori pas saj, kështu që sigurisht që ka lexues që njohin shembuj këtu që nuk e mbështesin teorinë time pozitive. Megjithatë, unë jam e mendimit se ka të rinj dhe të reja që në shumë situata atyre u munguan arritjet, për shkak se u ka munguar mbështetja apo u mungonin disa qasje. Për këtë ndjej shumë keqardhje. Prandaj edhe zgjodha profesionin të cillin e kam, për t’u munduar që asnjëherë pyetja e suksesit, të mos jetë pyetje e qasjes.
Për ta mbyllur këtë përgjigje me një term pozitiv: brezi i ri është si një shkurre trëndafili. Shumë trëndafila janë në lulëzim të plotë dhe të tjerë do të çelin së shpejti. Ky është një imazh shqisor i bukur dhe i përshtatshëm.
Sa shpesh e vizitoni Kosovën?
Që kur ishim fëmijë, e vizitonim me prindërit Kosovën 2 deri 4 herë në vit. Që nga martesa me burrin tim, ne kemi shkuar në Kosovë edhe deri në 8 herë në vit. Nga njëra anë, është e rëndësishme për ne që fëmijët tanë ta njohin këtë pjesë të identitetit të tyre, ta njohin kulturën shqiptare, si identifikimin e tyre. Nga ana tjetër, vizitat në Kosovë nuk i përdornim vetëm për t’u rikuperuar nga puna e përditshme dhe për të kërkuar ndryshimin e peisazhit. Vizitat i shfrytëzojmë edhe për të vizituar familjen e burrit tim. Fëmijët tanë duhet të njohin gjyshërit, atmotrat (hallat) dhe gjitonët (kushërinjtë) e tyre. Ata duhet të krijojnë një marrëdhënie me njerëzit atje, me kulturën dhe me vendin e tyre. Kushdo që i njeh rrënjët e tij, mëson, gjithashtu, të vlerësojë edhe kulturat e tjera. Ky është një mesazh, një këshillë, të cilën e praktikoj dhe që më ka hapur shumë dyer.
Cila grua (fytyrë publike) në atdhe [Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, etj.] mendoni se ka bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë?
E kam shumë të vështirë të përcaktoj një numër të grave, të cilat bënë shumë për avancimin e gruas, sepse ka shumë që mund t’i përmend. Si për shembull, mund ta cekim Sevasti Qiriazin, e cila luajti një rol të madh në arsmimin e grave. Ajo ishte organizatore e arsimit shqiptar për vajza dhe gra dhe mori pjesë në ngritjen e shkollës së vajzave. Sevasti Qiriazi është gruaja e parë shqiptare që studjoi në institucionin amerikan “Robert College”. Apo, si një shembull tjetër, mund ta quajmë Ikbal Çika, e cila është gruaja e parë gazetare shqiptare dhe e para grua e revistës ekonomike-letrate “Java”. Ajo hapi nivel për fillimet e përfshirjes së grave në të gjitha fushat e jetës dhe dha një kontribut të rritur në ngritjen e arsimit, kulturës, emancipimit për gratë.
Për momentin, megjithatë, do ta vlerësoja shumë punën jashtëzakonisht të rëndësishme të presidentes sonë, Vjosa Osmani, tashmë me rolin e saj është një mbështetje e madhe për avancimin e gruas. Ajo, gjithashtu inkorporon në politikën e saj se stabiliteti mund të krijohet vetëm nëse të drejtat e grave dhe vajzave promovohen dhe mbrohen. Për mendimin tim, ky është kontributi më i rëndësishëm aktual në nivel strukturor.
Në cilin dimension mendoni se gruaja shqiptare e diasporës ka kontribuar më së shumti për çlirimin e Kosovës?
Degradimi i grave, në përgjithësi, mund të jetë një instrument lufte. Megjithatë, gratë luajnë një rol të veçantë në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe normalizimin e gjendjes pas konfliktit. Po ashtu, ato ishin në çdo luftë, qoftë botërore, qoftë lokale, zëvendësimi i të gjithë shoqërisë civile, në punë, në ekonomi, në edukim – çfarëdo qoftë. Duhet ta veçojmë se edhe vet gratë kanë qenë luftëtare dhe kanë pasur rol aktiv në luftë, e sidomos në luftën e Kosovës. Megjithatë, do të doja ta veçoja rolin e tyre “pasiv” kur kryesisht burrat dhe djemtë i mungonin vendit, sepse ishin në front, ato menaxhonin jetën komplet me forcat e veta. Pas luftës, ato u degraduan sërish në rolet e tyre të mëparshme. Kjo kërkon meritë dhe mirënjohje të pazakonshme.
Sa premtuese, sipas jush, është gjenerata e fëmijëve tuaj, në ruajtjen e traditës kombëtare [etnokulturës tonë]?
Edhe sa i përket kësaj pyetje, mendimi im ndahet në perspektiva të ndryshme. Së fundmi, një statistikë, e lansuar nga shteti zvicran, tregon se pas anglishtes, shqipja është gjuha e huaj më e folur në Zvicër. Do të ishte interesante të shihej nëse kjo ka të bëjë me shtimin e popullsisë shqiptare, d.m.th një çështje sasie, apo nëse njerëzit po ndërgjegjësohen më shumë për gjuhën e tyre.
Personalisht për mua është e rëndësishme që fëmijëve të mi të u flas vetëm shqip. Gjuhët e huaja gjithmonë ndërlidhen ose krahasohen – qëllimisht ose pa vetëdije – me gjuhën amtare. Në këtë mënyrë, tashmë mund të ndërtohet një bazë gjuhësore. Është, tashmë, një hap i parë i rëndësishëm në ruajtjen e kulturës. Edhe fëmijët e mi do të jenë pjesë e shoqërisë kulturore shqiptare. Ata duhet ta njohin historinë e vendit të tyre dhe ta mësojnë atë në mënyrën e duhur, duke vizituar muzetë apo bibliotekat, si dhe shfaqjet teatrale apo ato kulturore.
Si shoqëri, ne duhet të ndërgjegjësohemi për trashëgiminë tonë kulturore. Kjo vlenë, pa marrë parasysh se për cilen kulturë bëhet fjala.
A mendoni se gruaja shqiptare e diasporës duhet të jetë më e bashkuar për organizime të ndryshme në të mirë të shoqërisë sonë?
Unë mendoj se bashkëpunimi dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve janë përgjithësisht të rëndësishme, pavarësisht se cilët janë aktorët. Në frymën e pyetjes, është e rëndësishme të shpjegohet se cilat janë avantazhet e bashkimeve të tilla. Në shkëmbime të tilla mundësohet që pjesëmarrëset të rrjetëzohen, lidhen dhe bashkohen. Kjo lejon që vlerat, qëndrimet ose diskurset e tjera të zhvillohen.
Në cilat segmente vlerësoni se gruaja shqiptare e diasporës ka nevojë të mbështetet nga shteti amë?
Mendoj se mbështetja më e madhe që mund të merrnin gratë shqiptare do të ishte të përpiqeshin të shkëputeshin nga stigmatizimet dhe të përpiqeshin për barazi. Një nga qasjet më të rëndësishme për adresimin e barazisë gjinore është etika, pasi gratë përbëjnë më shumë se 50% të popullsisë në BE, për ta marrë këtë fakt si shembull. Gjithashtu, nga qasja e bazuar në të drejtat e barabarta – gratë dhe vajzat janë grupi social më i pafavorizuar nga të gjithë ata që preken nga pabarazia. Përveç kësaj, investimi në gratë është vërtetuar se rritë mirëqenien sociale dhe rritjen ekonomike. Ekziston një nevojë urgjente për të forcuar avokimin për barazi. Megjithëse barazia trajtohet, jo vetëm si çështje e të drejtave themelore, por edhe si burim ekonomik dhe nxitës i prosperitetit. Kjo do të ndihmonte çdo grua dhe çdo person në botë.
Sikur të ishit në Kosovë, ku do ta kishitgjetur veten, në cilin profesion?
Kjo është një pyetje jashtëzakonisht e vështirë, por edhe e njohur për mua. E kam pyetur veten shumë herë për këtë, sepse më duhet ta rrëfej, e kam menduar shumë herë idenë e kthimit në vendlindje. Nuk e kam përjashtuar kurrë mundësinë që baza ime jetësore të mos jetë në Kosovë. Pas dhe gjatë studimeve jam marrë nga afër me çështje sociale dhe mbi të gjitha me pabarazitë sociale, pasi këto janë disa nga detyrat thelbësore të profesionit tim.
Kjo më mundëson ta transferoj perspektivën te shoqëritë e tjera, por gjithashtu duhet të pranoj se puna ime është shumë e varur politikisht. Fatkeqësisht, disa profesione tashmë janë legjitimuar dhe disa jo.
Kur bëhet fjalë për pabarazitë sociale, gjithmonë bëhet fjalë për burime financiare. Kjo çështje është e varur nga politika. Kështu që nuk e di nëse mund ta bëj punën time me të njëjtën sasi dhe cilësi në Kosovë, deri sa ajo lufton me tema dhe sfida tjera për momentin.
Një pasion tjetër për mua janë proceset artistike dhe dekoruse. Më pëlqen të dekoroj ose edhe të shkruaj. Nëse do të pyesja veten se në çfarë karriere e shoh veten në Kosovë, me shumë mundësi do të ishte një përzierje e shumanshme e përfshirjes time. Njëkohësisht, sigurt në organizata jofitimprurëse për të mbështetur dhe fuqizuar ata në nevojë dhe grupe të margjinalizuara.
Nga ana tjetër, ndoshta do të punoja në sektorin e “dekorimeve” apo edhe në rolin e shkrimtares. Ky interpretim që unë mund të isha edhe pjesë e industrisë dekorative, veçantarisht të dasmave, përmbanë edhe kontradikta, sepse shumë festa në kulturën tonë janë grumbullime stigmash (gruaja si nuse/burri si dhëndër), por ndër të tjera, përpiqem të ruaj traditat dhe në të njëjtën kohë të fitoj vetëdijen se më pëlqen të shërbej çaj ose të futem në role të caktuara. Jo sepse nënshtrohem, por sepse marr një lloj roli kulturor apo tradicional.
Unë varem nga fakti të i sensibilizoj edhe ata që më rrethojnë dhe nuk u shmangem pyetjeve të tilla dhe qëndrimit tim. Dua që edhe rrethi im, apo vajza ime të kuptojë se unë bëj pjesë në tradita të ndryshme, por nuk definohem nga ato.
Për fund të këtij bashkëbisedimi, na thoni drejt, sa ju ka ndihmuar angazhimi në SHKA „Dardania“?
Përfshirja ime në Shoqërinë Kulturore Artistike ‘Dardania’, ka pasur një ndikim të madh tek unë. Nga njëra anë, më ka bërë të mundur që të dy kulturat t’i shoh si një pasurim e jo thjesht si një mundësi për të reduktuar veten në dallimet midis kulturave. Nga ana tjetër, ishte një shtesë pasuruese e edukimit tim, tashmë dukshëm shqiptare. Përmes ‘Dardanisë’ kam mundur të njoh zakonet dhe traditat tona, sikur të isha rritur vetë në Kosovë. Tani që jam vet nënë, më mundëson që pikërisht këtë njohuri t’ua përcjell fëmijëve të mi. Sipas mendimit tim, jeta është gjithmonë një çështje perspektive. Ky ndryshim në këndvështrimin e të qenit në gjendje të shoh një kulturë me sy krijues, më dha këto syze tepër të bukura për të parë botën me ngjyra.
Intervistoi: Dashnim HEBIBI