Ishte dhe po mbetet diaspora shqiptare si shpresa e vetme për të marrë frymë shqip si duhet ato treva shqiptare, Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë. Secili qytetar i asaj treve e di se nëse mungojnë mërgimtarët për një vit gjatë pushimeve të verës, pranverë apo dimër, do të jetë krejtësisht ndryshe. Ajo trevë ka mbetur e ngulfatur. Se kush e solli atë gjendje, nuk po ndalemi kësaj here. Një është e sigurtë, faji mbetet jetim gjithmonë. Kjo thënie nuk vlen tek ekspertët e fushave përkatëse, tek e fundit. Është historia që do ta gjykojë secilin prej nesh, me aq sa jemi angazhuar.
Është mërgimtari ai që pasurinë e ruajtur brenda një viti në mërgim e harxhon për një muaj, sapo të vijë në atdheun e tij, në dasma apo gazmende të tjera, por edhe në ndërtim të shtëpisë, por pa munguar edhe ndihma familjarëve e shokëve. Ndihma ishte dhe do të mbetet dhe mirë që është për njëri tjetrin. Malli i mërgimtarit nuk largohet prej atdheut. Ai bie në gjumë dhe zgjohet me atdheun. Pa dyshim se ëndrra e tij është që ta shohë mirë.
E tash, në rastin konkret, ajo etni shqiptare ka mbetur në mëshirën e fatit. Pushtetet lokale mundohen, si në Preshevë dhe Bujanoc, por e pamundur të përbushin të gjitha hallet e asaj ane, duke e ditur edhe në çfarë gjendje politike po jetojmë. Nuk po ndalemi në atë temë, sepse kemi shumë për të thënë. Po ndalemi te zbutja e varfërisë në atë anë. Të gjejmë mundësi punësimi për atë popullatë, e cila, dita ditës po zbrazet. Kemi kërkuar, apo kemi ngritur zërin me vite që të kemi një spital, por nuk ka lëvizje. Largim, politikë, hasmëri mes veti politikanët tanë dhe kush po e pëson, dihet, qytetari.
Të jesh në parti, gjenë vend pune. Por, në anën tjetër është rreziku, se po hyre në politikë, nuk i dihet se sa do të zgjasë dhe përsëri të largojnë. Fat i madh është që ka veprimtarë ajo anë dhe nuk ndalen me aq mudësi sa kanë për të kontribuar. Dihet se ajo trevë ka pasur e ka shumë intelektualë, bëmirës, por edhe patriotë.
Unioni i Afaristëve Vizioni-Preshevë, Medvegjë, Bujanoc
E kemi mësuar këtë emër, në kuadër të të cilit po bëhen përpjekje maksimale që të gjenden rrugëzgjidhje për zbutje të varfërisë. Rreth këtij unioni janë disa veprimtarë, disa nga diaspora dhe disa nga ato treva. Kanë pasur shumë takime në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe tash edhe në shtetet e Perëndimit. Ky artikull ka të bëjë me, jo për punët që i kanë pasur, por një ngjarje, qe cila, mbrëmë u zhvillua në Wetzikon të Cyrihut-Zvicër.
Mirë thuhet, aq sa mundesh dhe di, por vepro dhe më kryesorja angazhimi të jetë i sinqertë. Mos të lashtë Zoti pa miq! Miqtë janë në ditë të vështira! Po, shumë e vërtetë, Lugina e Preshevës ka vite që është me sy nga Shqipëria e Kosova. Kohëve të fundit, e dimë se Kosova ka dhënë disa kontribute, por sa janë të mjaftueshme ato? Është një pikëpyetje. Po nëse do të kishte shumë investim, shumë punë, a do të ishte më mirë? Përsëri një pikëpyetje, sepse është në pyetje siguria.
Banorët e atyre trevave, të cilët përfaqësojnë diasporën, ku edhe mbrëmë patëm rastin të bashkëbisedojmë me disa prej tyre thonin: “është politika serbe ajo që po na ngulfatë dhe nuk ka të ardhme pa u ribashku me Kosovën”. ‘Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc’, pas dy konferencave që i ka zhvilluar në Preshevë dhe para një muaji në Bujanoc, ka dalur me disa konkluzione nga disa punime shkencore dhe ato organizatorët apo drejtuesit e vizionit, kanë menduar se do të ishte mirë ti paraqesin te mërgimarët tanë, duke filluar me Zvicër dhe pastaj edhe në shtetet tjera të Evropës e deri në ShBA.
Është nismë e mirë që të dihet se ku jemi me ato dy konferenca
Kështu që më 9 nëntor 2024, e shtunë, në afërsi të Cyrihut, në një qytezë që quhet Wetzikon, ku jeton një numër i madh i bashkëkombësve tanë, ishin mbledhur personalitete për të parë shpalosjen e konkluzioneve nga konferenca e dytë me temën që ishe zhvilluar në Bujanoc: “Ekonomia Shpëton Luginën”.
Sa mundet ekonomia ti shpëtojë ato treva?
Edhe kjo është një temë e gjatë dhe do zbërthim dhe studim nga studjues të fushave përkatëse. Megjithatë, po ndalemi te mbrëmja e djeshme, e cila filloi diku nga ora 19:00 dhe zgjati deri 22:30.
Mikëpritës ishte z. Xhelal Mehmeti, Kryetar i Unionit të Afaristëve, ‘Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc’, i cili priste musafirët e kësaj mbrëmjeje. Mërgata shqiptare, thuajse në çdo takim është e përpikët. Takimet fillojnë me kohë. Ashtu ndodhi edhe mbrëmë.
Të gjithë të pranishmit kishin ardhur nga e gjithë Zvicra, por kishte edhe afaristë edhe nga Finlanda, Gjermania, Franca e Austria.
Presheva, Bujanoci e Medvegja do të na bashkojë!
Të gjithë shqiptarët e dinë se si janë ato treva dhe na shikojnë me një sy me plot dhimbje. Por, ne, banorët e asaj ane, nuk duam të na shikojnë si bonjakë, sepse ne kemi dy shtete shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën. Kurrë më mirë nuk kemi qenë. Kemi edhe miqtë amerikanë shumë afër dhe trupat e tjerë paqeruajtës. E ku është faji që ajo trevë është në atë situatë? Përgjigja dihet! Sa përshëndetesha me disa miq, të cilët nuk i kisha takuar me vite, mendoja nëse me ndihma do të jetojë më mirë ajo trevë e atdheut tim. Sa bisedoja me z. Rafet Ademin nga Fshati Tërnoc, i cili jeton në Argau, një atdhetar me zemër të pastër, me të cilin na shoqëronte edhe z. Fadil Selmani nga Topalla e Medvegjës, i cili jeton me familje në Zvicrën franceze.
Ai kishte ardhur me nipin e tij, pasi kishte bërë tri orë rrugë nga Gjeneva. Është për të përshëndetur që prezentë ishin edhe personalitete nga diplomacia, si z. Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëri ndër diplomatët më të dashur, modest dhe i sjellshëm që kam takuar gjatë këtyre 20 viteve që jetoj në Zvicër. I shoqëruar me disa miq e në mesin e tyre edhe atdhetari i madh, ai që di të bëjë ura bashkëpunimi, ai që ka receta të unitetit, kërçovari Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore.
Shiheshin edhe dy kamera që ishin vendosur në sallë, njëri i TV Syri Blue, me qendër në Kantonin e Solothurnit dhe para kamerës e fotoaparatit ishte drejtori i saj, z. Musli Saiti, i cili mundohej të merrte sa më shumë pamje e fotografi. Ndërsa, nga Kosova kishte ardhur një gazetar dhe kameraman i RTK-së. Në karrigat e fundit, aty ku ishim edhe ne, ishte Drejtori i Radios ‘Albradio’ në Zvicër, z. Premtim Sermaxhaj, radio e parë nacionale shqiptare me frekuenca në mbarë Zvicrën.
Se si po funksionojnë këto mediume në Zvicër në aspektin financiar, nuk po ndalem, por e di se dikur, para 15 viteve edhe ne kishim një gazetë ditore AMC PRESS edhe ate së bashku me Ph.D. Llukman Halilin, tashmë i ndjerë, që nuk ishte e lehtë të mbijetojmë dhe është dashur ta mbyllim edhe pse ishte në tërë Evropën para lexuesve me tema të diasporës. E atë guxim e morëm edhe ne edhe njëherë, me disa miq, përmes Institutit Shkencor Helvetik me seli në Cyrih, që ta informojmë mërgimtarin dhe atdhetarin me lajme të dorës së parë, me atë që shihet dhe si jemi.
Synimet tona janë që ti shërbejmë lexuesve lajme të sigurta me etikë, profesionalisht dhe pa shikur përfitime materiale, por që të mbijetojmë dhe të jetë e fortë fjala e lirë. Edhe kësaj here po ndahemi prej këtyre temave që i përmenda.
Si gjithmonë edhe kësaj here i përmenda këto mediume, sepse jemi për bashkëpunim, kemi qenë gjithmonë dhe do të jemi. Që të dyja na ofruan edhe bashkëpunim. Kjo është e rëndësishme. Po i kthehemi mbrëmjes së djeshme. Para se të fillonte takimi, që dikush e thirrte konferencë, dikush takim e dikush tjetër tubim, por në fakt ishte prezentim, bashkëbisedim me afaristë e bashkatdhetarë të tjerë në lidhje me dy konferencat e kaluara me temën: “Ekonomia Shpëton Luginën”.
Prof. Asoc. Fatgëzim Latifi, miku im i studimeve që kishte ardhur nga Kosova për këtë takim dhe është pjesë e këtij ekipi organizativ, priste dhe përgatitej që të dilnin sa më mirë. Shihet edhe qëndrimi i tij shumë serioz.
Ishte paraparë që të kishte edhe diskutime publike
Në karrigat e para ishte Ambasadori i Republikës së Maqedonisë Veriore, z. Rexhep Demiri, z. Valon Gashi, Sekretar i Parë nga Ambasada e Shqipërisë dhe z. Avni Zejnullahu, Zëvendës Konsull i Republikës së Kosovës. Z. Valon Gashi, i cili vjen nga Bujanoci, ishte edhe me emocione, pasi që thuajse të gjithë i njihte dhe situatën në Luginë të Preshevës e njeh mirë edhe gjatë kohës që ka punuar si gazetar. Është për të respektuar z. Gashi, i cili, edhe pse njihemi që moti, ai ruan dhe nderon punën e tij prej një diplomati dhe pas orarit të punës, atëherë bashkëbisedon si shok.
Është fat i madh i mërgatës sonë në Zvicër që kemi diplomatë të mirë dhe shumë të sjellshëm, si z. Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë Veriore, z. Valon Gashi, Sekretar i Parë nga Ambasada e Shqipërisë dhe z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih.
Aty afër shihej edhe z. Florim Useini me disa miq që kishte ardhur për të nderuar dhe përkrahur miqtë e tij nga Lugina e Preshevës, por edhe për gjithë atë trevë shqiptare.
Aty afër meje dhe z. Rafet Ademi, ishte ish zv. Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Diplomati z. Andon Gurakuqi, me prejardhje nga Shkodra që kishte ardhur për vizitë familjare në Zvicër.
Me të dëgjuar, ai deshi ti nderonte bashkëkombësit e tij nga Lugina e Preshevës. Ishte nder i madh që e takuam dhe patëm një bashkëbisedim interesant, duke ecur nëpër histori të kohës nëpër Shqipëri.
Atëherë edhe kur pritetj të fillonte programi, gazetarja nga Lugina e Preshevës, znj. Ardita Behluli, me një zë kumbues dhe me profesionalizëm e filloi këtë takim. Programi shihej se do të shkonte mirë, duke e pasur parasysh edhe përvojën e këtij stafi të unionit.
Prezentimi i Unionit të Afaristëve Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Prezentimi i Realizueshmërisë së Planit për Luginën
Shpalosja e Konkluzioneve të Dala nga Konferenca e II Ekonomike
Gjendja Aktuale e Ekonomisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë
Diskutime.
Prof. Asoc. Fatgëzim Latifi, me një finesë ligjerate, prezentoi një punim shkencor, duke treguar në detaje gjendjen reale në atyre trevave dhe se pse është imediate që të punohet. Nga konferenca kishin dalur 7 konkluzione dhe konferenca e tretë do të mbahet gjatë vitit 2025 edhe atë në Medvegjë. Të pranishëm ishin disa afaristë që jetojnë në Zvicër, Finlandë, Gjermani e Austri. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të disa shoqatave nga Lugina e Preshevës. Takimi e prezentimi ishte në detaje i projekteve dhe prej Cyrihut, nga ajo që ka mësuar ‘HelveticAlForum’, organizatorët do të shkojnë edhe nëpër disa shtete të tjera të Evropës dhe ShBA-së.
Kryetari i Departamentit për Zhvillim, z. Muhamed Ramadani, që njihet si ekspert dhe me një përvojë të gjatë, bëri një prezentim të mrekullueshëm para të pranishëmve, ku shpesh afrohej edhe tek të pranishmit për ti dhënë edhe fjalën. Ishte me përgatitje maksimale dhe me qëndrim. Të pranishëm ishin edhe: z. Meti Krasniqi, z. Albert Gjukaj, z. Kristian Cuku, z. Nexhmedin Ahmeti, z. Alisjan Loshaj, z. Dalip Gashi dhe znj. Ilirjana Bejta nga ‘Neofilms’, z. Feti Demolli dhe shumë të tjerë.
Prezentimi i projektit të parë për bujqësi dhe blegtori kishte interesim, gjersa prezentohej. Kostoja e projektit të parë ishte rreth 450.000 euro, në saje të të cilit do të bëhet pika e grumbullimit dhe hapësirat tjera të nevojshme të përgatitura nga ekspertë.
Z. Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bern, pasi i përshëndeti organizatorët dhe të gjithë të pranishmit, përcolli përshëndetjet edhe të Ambasadorit dhe stafit të tij. Ai i ofroi organizatorëve bashkëpunim. “Diaspora shqiptare është e organizuar dhe unë jam habitur për të mirë me punën që po bën diaspora. Lugina e Preshevës ka 26 shoqata në Zvicër. Të gjitha kanë kontribuar dhe kontribuojnë edhe sot. Të mos ndalemi e të punojmë për ato treva”, theksoi ndër të tjera z. Gashi. Një fjalë përshëndetëse e pati edhe z. Omer Nura, Kryetar i ri i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, i cili kishte ardhur enkas nga Finlanda.
Z. Nura theksoi se Lugina e Preshevës duhet ndihmuar. “Duhet të angazhohemi të gjithë për të mirën e asaj treve”. Ndërsa, Kryetarja e Komunës së Preshevës, me një video-mesazh, iu drejtua mërgatës që të kontribuojë për Luginën e Preshevës, e në këtë rast, për Preshevën.
Znj. Sinani, ndër të tjera, tha: “Ju mirëpresim për të kontribuar për tokën tuaj. Bashkëpunimi dhe përkrahja jonë nuk do të mungojnë. Ne kemi një diasporë të fortë dhe i jemi mirënjohës për punën që ka bërë e që po bën”. Nga organizatorët u përmend se për një projekt është punuar hiç më pak se gjashtë muaj. Kryetari i Departamentit për Zhvillim z. Muhamed Ramadani, njoftoi të pranishmit se 750 familje marrin asistencë, duke dhënë shifra të tjera të papunësisë, se sa të rinj studjojnë, e kështu me radhë. Janë shifra të dhimbshme.
Kryetari i Unionit të Afaristëve ‘Vizioni PMB’, z. Xhelal Memeti, pasi përshëndeti të pranishmit, foli për projektet dhe i njoftoi më gjerësisht edhe për dy konferencat. Ai u ndal edhe në një biografi të tij, duke prezentuar punën e deritanishme, njëherë si drejtues shoqate, pastaj në politikë dhe tregoi arsyen pse është larguar nga politika dhe përmendi edhe politikbërjen aktuale në Bujanoc.
Ai theksoi se në projekt janë 50 persona. Gjithçka është bërë nga xhepi, pra në mënyrë vullnetare dhe se ekonomia e shpëton Luginën. Pas disa minutave iu dha mundësi të pranishmëve që të diskutojnë. Fjalën ia dhanë edhe Ph.D. Dashnim Hebib, i cili përshëndeti të pranishmit dhe përgezoi edhe këto projekte të prezentuara dhe në fund tha se zemra e pastërtë dhe truri me dije, do t`na sigurojnë të ardhme të sigurtë dhe të gjatë. Më pastaj, organizatorët filluan bashkëbisedimin me të pranishmit.
Menjëherë edhe u hapën aksionet për të investuar me shuma modeste. Tri firma, nga ajo që mundëm ti dëgjojmë, ofruan 1% të shumës së përfitimit total të firmave të tyre dhe ishin 27 aksionarë që do ti bashkohen projektit. Krejt në fund u realizua edhe një foto kujtimi nga të pranishmit. Edhe organizatorët, por edhe afaristët, bashkëkombës të asaj etnie, presin që të vijnë ditë të mira me këto organizime apo edhe me projekte të tjera nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova.
Stafi i Unionit të Afaristëve ‘Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc’, nga ajo që kuptuam u nda i kënaqur, duke shpresuar se edhe gjatë ditëve në vazhdim do të rritet numri i atyreve që do të ndihmojnë, por nuk do të mungojnë edhe prezentime në shtete të tjera ku ka bashkëkombës.
Mbetemi me shpresë, se ditë të mira do të vijnë për Luginën e Preshevës!
Përgatiti: Dashnim HEBIBI