Enkas për HelveticAlForum kemi nderin dhe kënaqësinë që të kemi një pronocim nga ish-Zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Anton Gurakuqi, një diplomat i karrierës e mbi të gjitha një patriot e atdhetar i madh. Ai vjen nga familja e Luigj Gurakuqit, një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës.
Me z. Gurakuqi u takuam dje në një takim që ishte organizuar nga Unioni i Afaristëve ‘Vizioni – Preshevë, Medvegjë, Bujanoc’. Z. Gurakuqi kishte ardhur për një vizitë familjare, por iu përgjigj zërit të asaj etnie shqiptare. Meqë jemi në muajin e nëntorit të kombit tonë, siguruam këtë prononcim ekskluziv edhe pse z. Gurakuqi nuk njihet i fjalëve, por i veprave, ai ndër të tjera, na tha:
„Kam shumë për të thënë për kontributin e diasporës. Kontributi i diasporës është i madh, apo ishte jetik për të mirën e kombit nëpër periudha kritike e vendimarrjeje. E sot, duhet ti drejtohet vetes më shumë, që të ruajmë gjuhën dhe traditat tona kombëtare.
Zemra më bëhet oqean kur shoh se sa kanë arritur shqiptarët në diasporë. Diaspora ishte dhe mbetet ambasadori më i mirë i kombit. Gjeneratat e reja po kanë suksese edhe me shkollim. Ky është, padyshim, investim i madh. Si në Evropë edhe andej oqeanit, mërgata është vlerë, ose zemra e tokave shqiptare. Kam vetëm respekt të veçantë. Kujtoj historinë e lavdishme kombëtare. Kontributin e të parëve tanë për Shqipërinë natyrale.
Duhet të punojmë edhe më shumë e të jemi të bashkuar. Për mua nuk ka shqiptarë Kosove dhe të trevave të tjera, por shqiptarë. Me pak fjalë, kam nderin ti drejtohem vëllezërve të mi të gjakut e gjuhës. Shumë kemi vuajtur si komb, por kurrë nuk jemi dorëzuar. Kemi dhënë shumë trima e dijetarë. Atdheu është i të gjithëve.
Të ruajmë gjuhën, kudo që jemi. Është kënaqësi e veçantë të kem nderin e jashtëzakonshëm t’i uroj diasporës 28 Nëntorin, festën e të gjithë shqiptarëve, kudo në botë, të cilët me shumë përkushtim, sakrifica dhe dashuri të pakufishme për gjuhën e bekuar shqipe, për flamurin e Skënderbeut dhe për tokën e të parëve, kanë sjellë një kontribut të paçmuar për të gjithë trevat shqiptare!
Me shumë përulesi dhe mirënjohje të pafundme, ndihem shumë i vlerësuar që po më jepni mundësi ti drejtohem kësaj pjese të kombit – diasporës sonë. Flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare na bashkon e do t`n bashkojë për jetë. Gëzuar“.
Dashnim HEBIBI