Sot, me datë 11.11.2024, u bënë katër vite, që nuk e kemi fizikish njërin nga atdhetarët më të devotshëm të Krahinës së Mollës së Kuqe, Medvegjës, që jetoi e veproi me familje në Zvicër, por me shpirt gjithmonë në Medvegjë. Jo vetëm atdhetarë, por ishte edhe bëmirës i dëshmuar, ku djemtë e tij, Ismeti, Fadili, Shabani dhe nipat e mbesat po e vazhdojnë, duke punuar shumë dhe duke ndihmuar gjithashtu.
Në orët e para të kësaj date 11.11. të vitit 2020, ndërroi jetë, bëmirësi, patrioti i njohur medvegjas, z. Liman Selmani, babai i tre vëllezërve lobistë: Ismeti, Fadili dhe Shabanit nga Medvegja, që jetojnë dhe veprojnë në Gjenevë të Zvicrës. Baci Liman ishte shtylla kryesore e Shoqates Humanitare “Medvegja”, njëri nga themeluesit e kësaj shoqate me seli në Fully të Valisit /Zvicër. Ai ishte frymëzimi, ai ishte forca , ai ishte i jashtëzakonshëm. Baci Liman, nga veprimtarët e shumtë medvegjas, vlerësohet si emblemë e shoqatës Humanitare “Medvegja”.
Baci Liman, shumë shpesh shkonte në Medvegjë e Kosovë dhe kësaj here mbylli sytë përgjithmonë në Kosovë, për të mbetur i gjallë në zemrat e shpirtat tanë.
Jeta dhe vepra e tij, çmohet lart nga të gjithë medvegjasit që jetojnë në diasporë, Medvegjë e Kosovë.
Përkushtimi i tij për dekada për çështjen kombëtare e në veçanti për Medvegjën ishte i veçantë. Ai kur fliste të gjithë e dëgjonin. I urtë, i fjalës, i besa-besës, trim, zërin e Medvegjës e përcillte gjithandej. Ai donte të bashkoheshin edhe në diasporë dhe ashtu ndodhi, kur themeluan shoqatën “Medvegja”. Shoqatë, që është e njohur në të gjitha trevat shqiptare dhe në gjithë europën e botën për punën madhore që ka bërë për çështjen kombëtare. Do të kujtohet edhe për vendosjen e flamurit kombëtarë në Medvegjë së bashku me veprimtarë të tjerë medvegjas nga shoqata, në takimet e diasporës shqiptare.
Liman Selmani, ishte i lindur më 03.03.1946 në fshatin Tupallë komuna e Medvegjës. Ishte djali i vetëm i gjashtë fëmijëve të çiftit të Shaban Rexhep Selmani dhe Halime Salihu Selmani.
Medvegja dhe i gjithë kombi ynë, ka mbetur edhe pa një veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare, por në anën tjetër, gjenerata e gjenerata do ta kenë shembull, se nuk duhet ndalur kurrë për të mirën e kombit. Këtë shkrim, do ta mbylli me një ndër fjalët e Bacit Liman, që çdo herë kur e takoja më thonte: “ Vetëm me punë dhe shkollim do të ecim te para”. I përjetshëm kujtimi! Do të kalojnë vite e vite pa Ty fizikisht, por do të kujtojmë përjetësisht!
helveticALforum