Jeton ARIFI, M.A. & Dashnim HEBIBI, PhD.
Roli i mërgatës shqiptare në çlirimin e Kosovës është i pamohueshëm dhe si i tillë është i një rëndësie të veçantë. Mërgata shqiptare ka pasur rol të padiskutueshëm e vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe ky kontribut i saj është shumëdimensional.
Pjesët e shkëputura ndër vite të bërthamës së demografisë kombëtare kanë dëshmuar përkatësinë e pakontestueshme, si pjesë e pandashme e trungut më të lashtë në Ballkan, duke shprehur në vepër solidaritetin me popullin e Kosovës në shumë dimensione. Pavarësisht që gatishmëria për të kontribuar nuk ka munguar asnjëherë, ajo, më dinjitetshëm u vërtetua gjatë periudhës më të rëndë, nëpër të cilën po kalonin shqiptarët autoktonë në territorin e Kosovës.
Në periudhën e para luftës dhe të pasluftës, kontributi kryesor i mërgatës mbetet i njëjti – ai financiar. Kurse, gjatë ditëve kritike të kombit, luftës për çlirimin e vendit, mërgata e ka treguar veten edhe në dimension të përfaqësimit, e sidomos në ofrimin e kuadrove ushtarake, profesionale dhe vullnetare.
Diaspora shqiptare ishte dhe do të mbetet arterja kryesore e të mirës për atdheun. Kontributi i mërgatës gjatë vitit 1998-2008 për shtetformimin e Kosovës ishte, jo vetëm i pakursyer, por edhe vendimtar.
Veprimi i mërgatës shqiptare, veçanërisht në periudhën e viteve të fundit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të njëzetë, ishte aktiv. Bazuar në kontributin e tyre edhe në bëmirësi, politikë dhe pjesëmarrje në luftë.
Përfshirja e mërgatës në procese politike brenda vendit të origjinës, nuk është e rastësishme.
Për ta përforcuar mbështetjen e parezervë të të mërguarve shqiptarë për kauzën kombëtare, mund të thuhet se përpjekjet njëshekullore të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës ishin gjithmonë të mbështetura nga mërgata, si përmes lobimit politik në qendrat vendimmarrëse botërore, po ashtu edhe me përkrahjen financiare, logjistike dhe njerëzore që kulmoi në përkrahjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të gjithë jemi dëshmitarë të kontributit të pashoq që ka dhënë mërgata shqiptare në financimin e projekteve për arsim të Qeverisë së Kosovës në Ekzil gjatë decenies së fundit të shekullit të kaluar, duke e dëshmuar veten edhe më denjësisht me financimin e luftës për çlirim, përmes mbështetjes në logjistikë, dërgimin e vullnetarëve në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e madje edhe me përmasa simbolike të përfaqësimit diplomatik aty ku ka pasur hapësirë dhe mundësi.
Lëvizjet politike në mërgatën shqiptare të Evropës, me synimin e patjetërsueshëm të shtetformimit të Kosovës, kanë dhënë një kontribut të pamohueshëm dhe shumë specifik përgjatë tërë dhjetëvjetëshve të fundit të mijëvjeçarit të fundit. Këto lëvizje datojnë që herët, herë me dinamikën dhe format e veprimit më të hovshëm, apo me intensitet të ulur, por në vazhdimësi, gjithmonë duke ngritur zërin e tyre kundrejt gjithë padrejtësive, dhunës dhe represionit serb që ushtrohej ndaj kombit shqiptar në Kosovë.
Organizimet e këtilla politike dhe kulturore, gjithashtu, ia kanë dalë të funksionojnë si të organizuara në forma të ndryshme, siç ishin klubet shqiptare, shoqëritë kulturore, organizatat politike etj., duke bërë kështu një punë të madhe, kryesisht në organizimin e komunitetit shqiptar, e mbase edhe duke e bërë të njëtrajtshëm këtë komunitet në drejtim të kontributit ndaj kauzës së Kosovës.
Vullnetarët e UÇK nga diaspora
Megjithë kontributit të larmishëm e të gjithanshëm të mërgatës shqiptare në periudha të ndryshme, pjesëmarrja direkte e bijave dhe bijve të kombit në luftën për çlirimin e Kosovës përfaqëson stadin kulmor të mbështetjes praktike të të mërguarve shqiptarë ndaj atdheut.
Ishin pikërisht shqiptarët e kësaj mërgate, të cilët, në fund, u orientuan edhe fizikisht për të marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës. Kjo ishte bërë me organizimin e kësaj mërgate në të gjitha shtetet evropiane. Krejt kjo tregon vitalitetin e mërgatës shqiptare në drejtim të çlirimit të Kosovës.
Veprimtaria atdhetare e shqiptarëve që përfaqësonin mërgatën e koncentruar në shtetet e Evropës Qendrore u intensifikua edhe më shumë pas ngjarjeve të marsit 1998 në Prekaz të Drenicës. Reagimi i karakterit mobilizues filloi të bëhej përmes mekanizmave ekzistues në kuadër të organizatave e shoqatave që në atë kohë vepronin me shtrirje ndërshtetërore, të organizuara me degë e nëndegë të tyre për të mbledhur rreth vetes sa më shumë përfaqësues të mërgatës shqiptare, të cilët jetonin në shtetet përkatëse evropiane.
Nuk do mend që rolin thelbësor në këtë aspekt e luante Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila, në kuadër të shtrirjes së saj nëpër nëndegë për secilin shtet evropian, ku ishte e organizuar dhe funksionale, kishte këshillat e rretheve të caktuara, nga ku organizohej mbledhja e fondeve humanitare për Kosovën, duke mos e përjashtuar as mobilizimin e rekrutëve për t’iu bashkëngjitur strukturës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mobilizimi i vullnetarëve për t’iu bashkëngjitur radhëve të UÇK-së ishte një ndër segmentet, për të cilin ishin të angazhuar njerëzit e organizuar nëpër shoqata e organizata kulturore nëpër shtetet kryesore të Evropës. Organizimi dhe orientimi i vullnetarëve individualë e gruporë, të moshës prej 18 deri 50 vjeç, për të depërtuar në territorin e Kosovës, përmes Shqipërisë, ishte prioriteti më i lartë në periudhën pas Konferencës së Rambujesë. Vetëm në prill të vitit 1999 ishin paraqitur 50.000 vullnetarë për t’u kthyer në Kosovës si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bashkatdhetarët, të cilët paraqiteshin si vullnetarë tek përfaqësuesit e organizuar, siç ishin njerëzit brenda strukturave të Lëvizjes Popullore të Kosovës, nuk i nënshtroheshin ndonjë presioni apo detyrimi për të dalë si luftëtarë vullnetarë. Kjo bëhej nga motivi shumë i pastër, sepse secili ndjente obligim moral që t’i dilte zot vatrës që kishte lënë prapa supeve, diku në Kosovë, kur kishte marrë rrugën e mërgimit.
Për më tepër, aplikohej edhe strategjia e mosndërhyrjes te mërgimtarët që ishin në marrëdhënie punë, sepse ata përbënin potencial kontributdhënës, në kuptimin financiar, për luftën që po zhvillohej me intensitet edhe më të madh pas fillimit të bombardimeve të NATO-së ndaj caqeve të ushtrisë serbe në Kosovë dhe në pikat strategjike brenda territorit të Serbisë.
Ideja më e besueshme rreth dimensionit më efektiv të mërgatës shqiptare, me shtrirje globale, të dëshmuar se kishte ndikuar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës është ai i përfaqësimit të interesit kombëtar në raport me qarqe perëndimore, të cilat përfaqësonin aleatë potencialë për Kosovën.
Në saje të aktiviteteve të zhvilluara nga mërgata shqiptare në Evropë, pikërisht kur po vendosej për fatin e të ardhmes së Kosovës, një delegacion pesanëtarësh nga organizata të ndryshme shqiptare me seli nëpër vende të ndryshme të shteteve evropiane, më 7 mars 1999 u dërgoi fizikisht një peticion organizatorëve të Konferencës së Rambujesë në Gjuhën Shqipe, Angleze dhe Frenge, përmbajtja e të cilit kishte karakter kryesisht ndërgjegjësues ndaj organizatorëve, të cilëve, mes tjerash, u bëhej thirrje të përmirësonin gabimet historike që kishin bërë ndaj popullit shqiptar dhe një herë e përgjithmonë ta mundësonin pavarësimin e Kosovës për të sjellë paqe në Ballkan.