Intervistë ekskluzive me Enver Cakiqi, mjeshtër dhe kampion shqiptar i karatesë dhe i arteve marciale
Intervistoi: Dashnim HEBIBI
“Duhen skenaristët, regjisorët e filmit të cilët i kemi mjaft të talentuar e ndoshta dhe kjo intervistë bëhet shkas që të ngacmoje fantazinë e tyre për ta kurorëzuar me një film…do ishte bukur! Më shumë po qëndroj në Shqipërinë tonë të dashur ku dhe jam nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me titullin Mjeshtër i Madh. Jam President Nderi i Federatës Shqiptare të Karatesë, jam vlerësuar Ambasador i Paqes nga Universal Peace Federation si dhe ku kam katër shkollat e mia të karates”, na tha ndër të tjera z.Cakiqi.
Ata që e duan sportin e karates është e pamundur të mos ken dëgjuar për një sportist të njohur, ose mjeshtrin e madh të karates, Enver Cakiqi. Kam pasë nderin ta takoj disa herë në Zvicër nëpër gara të ndryshme dhe më kujtohet sikur sot, zemërbardhësia e tij, modestia e tij. Edhe pse ishte i ngarkuar me punët e tija në sport, ai dinte të respektonte, me buzëqeshje. Shumë i dashur. Patriot. Shembull me plot kuptimin e fjalës për brezin e ri. Fjalë pak, por me vepra të mëdha. Në Kosovën dhe Shqipëri ka sjell sportista të njohur të karates. Ai nuk di çka është pushimi, por gjithnjë përgadit brezin e ri dhe ky sport është si zemra për trupin. Ka investuar shumë në karate. Është ekspert i këtij sporti. I lexon mirë çdo lëvizje të sportistit dhe është e pamundur ti ikë diçka pa e pa. Me qindra mirënjohje nëpër turnire të ndryshme si në Shqipëria, Kosovë, Maqedoni, Evropë e në gjithë botën. Kemi lexuar dhe parë disa intervista të z.Cakiqi, por ne po ndalemi paksa më ndryshe.
Ai tani është mes Shqipërisë, Kosovës e diasporës. Kudo që shkon ka miqësi edhe ate me plot kuptimin e fjalës. Në Shqipëri e kënaq zemrën, në Kosovë shpirtin dhe në diasporë kompletohet për të shërbyer deri në ditën e fundit të kësaj jete për sportin e karates. Ka miqësi të shumtë gjithandej. Shumë shok, secilin që merret me karate dhe me e pyet se si është z.Cakiqi, krejt do të thojnë, një është, ai është njëshi dhe më i dashuri. Ate që ia do vetes ia do edhe gjeneratave të reja. Sot në rolin e trajnerit, drejton që nga viti 1994 SG ’28 e.V. dhe SKG-Kosova-Franfkurt, ekipet shqiptare në WTKA, EIKO dhe IKF përfaqëson Shqipërinë dhe Kosovën, me bashkëpunëtorët dhe sportistët nga Gjermania, Zvicra në ndeshjet ndërkombëtare në botë edhe Europë, me flamurin Shqiptarë.
Enveri ua ka trashëguar edhe vëllezërve të tij
Enveri është figurë e respektuar në Federatën Botërore të Karatesë dhe arteve marciale (WTKA), jo vetëm si arbitër ndërkombëtarë, por është i famshëm dhe ndër shqiptarët e Kosovës e rrallë që kanë dhënë kontribut në këtë fushë. Pozicionimi i tij në bordet drejtuese të Federatës Botërore të Karatesë (VTKA), kampion në rininë e tij në rang ndërkombëtar, trajner me tituj europianë dhe botërorë me Shqipërinë dhe tani në Federatën Botërore, arbitër ndërkombëtar dhe anëtar i bordeve si ekzekutiv e tregon më së miri edhe guximin dhe talentit e tij të paçmueshëm.
Sot mban rolin si Drejtor Teknik i Europës, në WTKA (World Traditional Karate Asocaacion, dhe shef instruktor për Evropën në WTKA.)
Enver Cakiqi është një sportist, një personalitet i sportit të artit të bukur të karatesë. Mjeshtër i disa arteve marciale siç janë Kick Boxing, Jiu Jitsu, Tactical defense. Cakiqi, ish karateist, me nënshtetësi gjermane, kontribues i madh i karatesë
Cakiqi është themeluesi i shoqatës së parë të karatesë në Tiranë, në vitin 1991 dhe themelues i Unionit Mbarëkombëtar të Arteve Marciale në Tiranë, në vitin 1996. Enver Cakiqi është iniciatori dhe kontribuuesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Federatat Ndërkombëtare të Karatesë. Ai mban titullin e Arbitrit Ndërkombëtar.
Z.Cakiqi pas disa viteve, po kam nderin të realizojmë edhe një intervistë. Edhe për çdo ditë me bashkëbisedu, padyshim se nga ti edhe unë, por edhe lexuesit kanë se çka të mësojnë, sepse ti je në lëvizje dhe me rezultate konkrete. Të falënderoj për kohën.
Përshëndetje i nderuar edhe për Ty! Ndjehem i vlerësuar si gjithmonë në intervistë me Ju dhe të Faleminderit shumë. Gjithashtu të uroj shumë suksese me këtë platformë mediale.
Edhe njëhere, Z. Cakiqi, të falënderoj për kohën që keni ndarë për këtë intervistê. Ka kohë që nuk jemi takuar, por jo me u harru. Herë në Gjermani, Kosovë e Shqipëri. Ku e kemi më shumë z. Cakiqi?
Vend ndodhja ime është andej e këndej, pra shumë në lëvizje nga angazhimi në aktivitetet që organizohen kudo për karat. Por, më shumë po qëndroj në Shqipërinë tonë të dashur ku dhe jam nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me titullin Mjeshtër i Madh. Jam President Nderi i Federatës Shqiptare të Karatesë, jam vlerësuar Ambasador i Paqes nga Universal Peace Federation si dhe ku kam katër shkollat e mia të karates. Në fillimet e viteve të para të demokracisë jam themelues i karatesë në Shqipëri e sot Shqipëria me bujari më vlerëson në çdo hap dhe unë i jam mirënjohës dhe nuk di të ndalem.
Të kujtohet, se kur e filluat sportin e karates dhe që tashmë jeni mjeshtër i madh?
Natyrisht që fillimet i kam të pashlyera … hapat e parë i kam nisur në vitin1978 ne Podujevë. Vitet kalojnë e hapat rriten bashkë me dashurinë për sportin që jeton në simbiozë me mua ! Fillimisht e kam filluar në vitin 1976 – ‘77 ku kam luajtur futboll në klubin “Llapi”, në Podujevë. Aty ka luajtur edhe legjenda Fadil Vokrri. Ai ka qenë 2 vite më i madh se unë. Më pas, një vit gjimnastikë në Prishtinë dhe më pas ‘77-‘78 është hapur për herë të parë “Karate”, në Podujevë. Me shokun tim që tashmë e kam si vëlla, Gëzim Ibrahimin jemi regjistruar dhe kemi filluar sportin e bukur të karatesë, fillimisht nga trajneri Avdi Ahmeti dhe pastaj është hapur seksioni i Klubit “Karate Kosovatrans”, nën patronatin e Kosovatans-it, në Podujevë deri ne vitin 1983. Më pas kjo u ndërpre në atë kohë.Unë dhe Ismet Hasani, Gazmend Havolli e kemi riorganizuar dhe riformuluar klubin e karatesë në “Kosovatrans Podujevë”, që ka qenë klubi më i suksesshëm në Kosovë, dhe një ndër klubet më të suksesshme në ish-Jugosllavinë. Kemi patur kushte të mira, kemi patur garues të mirë, sportista të mirë, dhe kemi korrur suksese të mëdha. Suksesi im i parë ka qenë kur mora titullin Kampion Kosove, në vitin 1984-‘85, pastaj në vitin ’87. Pastaj marrja e titullit nën kampion Kosove 2-herë. Medalja e marrë në ish-Jugosllavinë për Kosovën e kam sjellë unë në vitin 1987, Lutfi Mengjiçi, Muhamet Rexhepi dhe Zeqir Sopi. Pastaj nën-kampion Evrope në vitin 1988 në Beograd, për “Kosovatrans-in”, e Podujevës isha përsëri unë si student, në Kampionatin Europian të Studentëve. Në vitet ’78-’88-’89, u shpalla Kampion Absolut Ndërkombëtarë në Umag të Kroacisë. Kurse në vitin 1990 Kampion Ndërkombëtarë, në Poloni. Leh Valenca më ka dhënë medaljen. Ka qenë present Sensei Nishijama një ndër mësuesit më të mëdhenj aty, kur më dhanë diploma dhe medalje. Pastaj në vitin 1991 Kampion Europe në ITKF( International Traditional Karate Federation). Nën-kampion bote në vitin 1992, në Forli të Italisë, ndërsa Kampion i Gjermanisë në EIKO Federation( Europeishe International Karate Organizacion), katër vite me radhë kam mbajtur këtë titull dhe kampion i Esenit. Kam qenë edhe në IKF kampion i Gjermanisë tre vite më radhë, edhe në DVWS është një federatë ku dhe aty kam qenë tre vite Kampion i Gjermanisë. Kemi kaluar në vitin 1994 në SG28, në Bashkësinë e Sporteve, e cila është formuar në vitin 1928 dhe ka patur hendbollin, futbollin, basketbollin etj. Në vitin 1994 kam filluar të luaj futboll për 6 vite aktiv si lojtarë, pastaj si trajner i moshave të vogla, dhe më kanë mundësuar që ta kem një palestër, ta masivizoj më shumë sportin e karatesë aty. Që nga viti 1994 e deri më sot e kam Akademinë SG28 Frankfurt.
E dijmë se je me plot medalje të fituara gjithandej evropës. Cila për ty është më e veçant dhe pse?
Ashtu siç ju thoni, vërtet kam shumë medalje aq sa në shtëpi në Kosovë kam krijuar një dhomë muze, por për ti qëndruar pyetjes tuaj do të veçoja medaljen e parë individuale që shënon histori për Kosovën në vitin 1987 në ish Jugoslavi si dhe Graden 9 DAN që mu akordua më 27 tetor 2024 në Kampionatin Botëror të Arteve Marciale, WTKA në Carrara Itali.
Cila garë apo luftim sportiv për ty ka qenë më e vështira?
Një garë në vitin 1991, kampionati evropian ITKF, në Gjermani…ishte konkurencë e forte e kërkonte shumë impenjim, garë në të cilën u shpalla Kampion evrope ITKF – Kumite, -70 kg.
Me Enver Idrizin e di se keni miqësi të hershme. A po respektoheni sa duhet Ti dhe Enver Idrizi nga shtetet tona apo mendoni se kur nuk jemi fizikisht, me ja ditë vlerën?
Me fanatizëm ruaj kontakte e miqësi me sportistë e mjeshtra të Karates kudo ku ne shqiptarët jetojmë, pasi e vleresoj si pasuri miqësinë!
Keni bashkëpunim edhe me miq të njohur evropian dhe botëror në karate, ku disa prej tyre edhe i keni sjell në Shqipëri dhe Kosovë. Si e shohin ata rininë shqiptare?
Me Enverin, Legjendë e Karatesë botërore, jemi si vëllezër! Degjohemi e takohemi sa herë të mundemi jo vetëm në aktivitete por dhe në jetën e përditshme. Jetojmë me hallet e gëzimet familjare të njëri tjetrit ! Sa per vlerësim Shqipëria ka hap zemrën tej për tej me dashuri e vlerësim për kontributin tim në karate, ndërsa Kosovën time jam duke e pritur.
Sa është interesimi i rinisë shqiptare për sportin e karates?
Ndërgjegjesimi i rinisë e i prindërve që ti angazhojnë fëmijët me këtë sport sa vjen e rritet, duke kuptuar filozofinë se karateja është sporti i mendjes, i karakterit e personalitetit !
Në Kosovë është me i përhapur , po ashtu po ecën mirë edhe në Shqipëri, por edhe në trojet e tjera shqiptare po zhvillohet. Veç si kudo dhe në karate ne shqiptarët e ngrejmë lart flamurin kuq e zi në çdo cep të globit duke u bërë kështu ambasadorë të shqiptarisë në botë.
Keni trajnuar e trajnoni shumë të rinj. Jeni i kënaqur me sukseset e tyre?
Po është e vërtetë, miq e bashkëpunëtorë në evropë e më përtej të cilët vlerësojnë karateistët tanë për suksese, rezultate të larta e komplimentojnë buzagaz temperamentin unik shqiptar!
Keni menduar, duke e ditur se kemi sportista të mëdhenj të karates si legjendën Enver Idrizi, juve dhe të tjerë, që të kemi një film?
Hahaha …këtu duhen skenaristët, regjisorët e filmit të cilët i kemi mjaft të talentuar e ndoshta dhe kjo intervistë bëhet shkas që të ngacmoje fantazinë e tyre për ta kurorëzuar me një film…do ishte bukur!
Cila do të ishte porosia juaj si mjeshtër i madh i karates për sportistët e rinj?
Puneë, punë, djersë e pasion!
FALEMINDERIT JU E JAM MIRËNJOHES PËR VEMENDJEN TUAJ E DASHAMIRESINË QË TREGONI ME PROFESIONALIZËM PËR BREZIN TONË TE KARATEISTËVE. OSS !
Të falënderoj edhe njëherë për kohën e mirupafshim herave të tjera.
Nderime. Meqë kanë mbetur edhe pak ditë deri te 28 nëntori festa jonë më e madhe kombëtare, uroj të gjithë shqiptarët kudo që gjenden. Gëzuar, na duhet unitet dhe përbesë vetëm punë e dashni.
helveticALforum.ch