Intervistë ekskluzive me znj.Luljeta Fetahaj
Intervistoi: Dashnim HEBIBI
“Tashmë gruaja shqiptare në çdo lëmi është sukseshme si pjesë e diasporës. Falë suksesit të gruas shqiptare dhe të rinjve të diasporës, sot, Kosova gëzon respekt më të madh nga të gjitha shtetet. Gruaja shqiptare e diasporës rritë dhe edukon gjeneratat e reja“, na tha, ndër të tjera, zonja Fetahaj.
Ju lutem të na përshkruani profilin tuaj! Me se merreni? Çfarë profesioni keni?
Me profesion jam motër medicinale, mbi 20 vite punoj në repartin e gjinekologjisë në Kantonsspital Baden. Në fillim ishte vetëm repart i gjinekologjisë, mirëpo viteve të fundit është shndërruar në një repart të përgjithshëm, ku kemi edhe pacientë të diciplinave të ndryshme, si kirurgji, kardiologji dhe pediatri. Këtu punoj me 70% të kohës së punës. Kam dhe një profesion të dytë. Unë posedoj edhe një studio për masazha të ndryshme dhe këtu punoj vetëm disa orë në javë. Këtu ofroj masazha të ndryshme kundër dhembjeve në kurriz apo qafë.
Na tregoni, ju lutem, kur keni migruar në Zvicër?
Kam emiguruar, bashkë me prindërit në vitin 1990 në Zvicër. Atëherë isha vetëm 10 vjeçe.
Cila është struktura aktuale e familjes suaj?
Jam e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, vajzës Laura 19, vjeçe dhe birit, Lorisit, 14 vjeç.
Si e kujtoni veten gjatë ditëve të para në Zvicër?
Çdo fillim është i vështirë.Mua më mungonte vendlindja dhe nëfillim isha shumë e mërzitur. Më mungonin shoqet dhe shokët e klasës, më mungonte edhe pjesa tjetër e familjes që i lamë në vendlindje.Erdhëm në vend të huaj, ku nuk e njohëm askë dhe ishte shumë e vështirëpër t’u adaptuar në këtë vend të huaj. Mirëpo, shumë shpejt, prindërit u angazhuan që ne, së paku, të inkuadrohemi në mësimin plotësues në gjuhën shqipe që u organizua nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindëve në Kantonin e Aargausë. Aty mu kthye shumë shpejt buzëqeshja. Gjuhën gjermane e mësova shumë shpejt, pasi u angazhova edhe me njëklub hendbolli në fshatin ku jetonim.
Cila është veprimtaria juaj publike (jashtë punës së zakonshme)?
Qysh në vendlindje, si fëmijë e kam dashur këngën. Bashkë me motrën, Dritën, gjithmonë kemi kënduar duet dhe si idhuj i kishim Motrat Mustafa. Me mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, gjithmonë ishim prezentë në manifestimet që mbaheshin në kuadër të shkollës shqipe. Aty shfaqeshim bashkë me motrën me këngë të bukura folklorike. Pastaj, nga viti 1994 u formua Shoqëria Kulturore Artistike ‘Bajram Curri’ në Baden Wettingen.Disa vite me radhë kemi qenë pjesëe asaj shoqërie.
Kemi kënduar në shumë koncerte nëZvicër. Nga viti 2000-2008 ishim aktivë edhe në brëmje të ndryshme në tërëZvicrën. Që nga viti 2017, jam aktive nëKorin ‘Lyra’, korin e parë të grave shqiptare në Zürich të Zvicrës.
Merreni edhe me këngë e poezi. Sa është e vështirë të jesh krijuese e diasporës?
Sot jam aktive vetëm në Korin e Grave ‘Lyra’. Tashmë, kënga shqipe nuk dëgjohet si më parë. Arsyeja se pse unë nuk e gjeta veten në mbrëmjet që mbahen në Zvicër, ishte se kërkesat për të kënduar tallava u shtuan. Këndoja vetëm këngën popullore dhe kështu që vendosa të tërhiqem nga skena. Në korin e grave këndojmë vetëm këngë të bukura qytetare nga të gjitha trojet shqiptare.
Sa keni arritur të integroheni në shoqërinë zvicerane?
Mendoj që jam integruar shumë mirë. Edhe pse qe 30 vite, gjithmonë kam qenë aktivë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, gjithmonë kam qenë aktive edhe në komunitetin zvicran.Në vitin 1993, fillova të luaja hendboll në KH‘Ehrendingen’, në fshatin ku u rrita dhe vijova shkollën fillore. Në vitin 1996 u zbulua talenti im si hendbolliste dhe për dy vite isha pjesëe ekipit zvicran U-18. Kur fillova shkollën e medicinës, atëherë filluan problemet organizative, punoja me ndërrime dhe fundjavëve, kështu që e ndërpreva karrierën si hendbolliste në ligën e lartë dhe vazhdova të luaja vetëm si hobi në Ligën e Dytë në Regensdorf të Zürihut. Si hendbolliste isha aktive deri sa më lindi vajza në vitin 2005, pastaj mu shtuan obligimet. Me një profesion, si motër medicinale dhe nënë me fëmijë të vegjël, ia përkushtova kohën e lirë familjes dhe fëmijëve.
Sa shpesh e vizitoni vendin e lindjes suaj?
Vendlindjen e vizitoj disa herë në vit.Tashmë e kemi leht, kur më merr malli, udhëtoj edhe për njëfundjavë.
Cila grua (fytyrë publike) në atdhe [Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, etj.] mendoni se ka bërë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë tonë?
Për mua, Presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani, permanent është angazhuar në avancimin e gruas shqiptare në shoqëri. Gruaja e parë shqiptare që i mposhti të gjithë burrat dhe me votën e popullit u zgjodh presidentja e parë në trojet shqiptare.
Në cilin dimension mendoni se gruaja shqiptare e diasporës ka kontribuar më së shumti për çlirimin e Kosovës?
Tashmë, gruaja shqiptare e diasporës, në çdo lëmi është e suksesshme. Çdo sukses i gruas shqiptare tëdiasporës lobon në të mirë të vendit. Falë suksesit të gruas shqiptare dhe të rinjve të diasporës, sot, Kosova gëzon respekt më të madh nga të gjitha shtetet. Gruaja shqiptare e diasporës rritë dhe edukon gjeneratat e reja.
Sa premtuese, sipas jush, është gjenerata e fëmijëve në ruajtjen e traditës kombëtare [etnokulturës tonë]?
Gjenerata e fëmijëve tanë është shumë premtuese. Unë kam punuar dhe jam angazhuar shumë rreth edukimit të fëmijëve të mi. Qysh në fillim të shkollimit, unë jam angazhuar që fëmijët e mi të rriten dhe të mësojnë paralelisht edhe gjuhën amtare shqipe. Edhe fëmijët e mi, si unë vijuan mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Vajza ime është aktive në Ansamblin ‘Shota’ dhe këndon rrjedhshëm në gjuhën amtare. Unë mendoj se prindërit duhen të kujdesen më shumë për fëmijët e tyre dhe t’u ofrojnë fëmijëve mundësi për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonëjashtë atdheut. Fëmijët tanë i kanë të gjitha rrugët e hapura për të arritur sukses.
Në cilat segmente vlerësoni se gruaja shqiptare e diasporës ka nevojë të mbështetet nga shteti amë?
Deri më tani nuk kam vënë re mnështetje institucionale në asnjë lëmi. Shteti amë duhet që, së pari, t’i mbështesëmësimdhënësit e diasporës të shkollave shqipe, të cilët kontribuojnë për ruajtjen e gjuhës amtare.
Jeni model dhe shembull i shumë vajzave të reja që po rriten në Zvicër për sukseset e juaja. Komenti juaj?
Unë mendoj që kam qenë gjithmonë shumë e angazhuar rreth ruajtjes së gjuhës dhe kulturës sonë. Unë kisha fatin që mbështetja e familjes dhe e bashkëshortit nuk më munguan kurrë. Me përkushtim dhe dashuri,çdo femër mund të arrijë suksese.
Sipas jush, po dëgjohet sa duhet zëri i gruas shqiptare të diasporës?
Tashmë kemi shumë femra të sukseshme të diasporës dhe mendoj që ato po dëgjohen.
Do të duhej që gruaja shqiptare e diasporës të jetë më e organizuar?
Gruaja shqiptare e diasporës është e organizuar mirë.Ashtu e mendoj unë. Të jetosh në një shtet si Zvicra, patjetër që duhet të jesh e organizuar mirë. ( Intervista është realizuar për librin “Gratë Frymëzuese të Diasporës Shqiptare (II)”
helveticALforum.ch