Në Tiçino të Zvicrës, ditë më parë, konkretisht më 26.11.2024, u mbajt konferenca me titull: „Kosova, një plagë e shëruar“, në kuadër të projektit të Fondacionit „Spitzer“, ‘Një Urë në mes Ballkanit dhe Tiçinos’.
Kjo konferencë u organizua nga Fondacioni Spitzer në krye me Presidentin Prof. Moreno Bernasconi. Ndërsa nikoqire e konferencës ishte Komuna e Muraltos, në të cilën, kryetari z. Gilardi, mik i vjetër i shqiptarëve, hapi mbrëmjen.
Një ndër panelistët ishte edhe Ambasadori Raomond Kunz, i cili bëri një rezyme shumë të drejtë historike e kronologjike të Kosovës dhe popullit shqiptar deri në ditët e sotme, që u çmua jashtëzakonisht shumë nga të pranishmit. Ambasadori nuk la pa e përmendur faktin se shqiptarët në Zvicër janë faktor, që sipas tij, janë më shumë se 300.000 dhe rëndësinë që ka ky komunitet këtu në potencialin që ka mërgata shqiptare për të luajtur rolin e “influencuesit “ në Kosovë për promovimin e demokracisë dhe modelit zviceran. Nënvizoi edhe relacionet e veçanta që ka Zvicra me Kosovën, populin e saj dhe sigurisht me mërgatën tonë, të cilët, përsëriti se i çmon shumë.
Gjithashtu, u paraqit edhe një reportazh i shkurtë i gazetarit Steinmann Luca, i cili, si mesazh kishte se bashkëjetesa mes popujve është e mundur, megjithë vështirësitë që mund të ketë. Ndërsa, pas ambasadorit, fjala iu dha përfaqësuesit të komunitetit shqiptar, z. Remzi Durmishi, i cili falenderoi Ambasadorin Kunz dhe përmes tij institucionet zvicerane dhe popullin zvicran për kontributin e dhënë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si në aspektin ekonomik, shoqëror, politik, ushtarak e humanitar.
Duke nënvizuar se kontributi zviceran në diplomacinë ndërkombëtare ka qenë esencial për të filluar hapat e parë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pikërisht në atë kohë, një ndër figurat e rëndësishme ka qenë vet Ambasdori Kunz.
Durmishi nënvizoi faktin që Kosova ka bërë përparim të paimagjinueshëm nga viti 1999 e këtej. Kosova, sot është një shtet i pavarur, i njohur nga shumica e shteteve që bëjnë pjesë në OKB, ka një kushtetutë, e cila ka bazat e një shteti demokratik, multietnik, laik dhe modern. Përmendi të drejtat e pakicave, vendet e rezervuara në kuvendin e republikës, qeveri dhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike.
Gjithashtu, përmendi faktin që Kosova, populli shqiptar, nuk ka pasur dhe nuk ka probleme me asnjë popull tjetër e sigurisht as me serbët, por me regjimin serb të asaj kohe dhe që deri sot ka vazhduar të mbetet i gjallë, falë disa figurave politike të asaj kohe.
Kosova dhe populli i saj nuk ka pasur asnjëherë pretendime për territore jashtë kufinjve të saj. Të drejtat e serbëve në Kosovë janë në stadin më të lartë të mundshëm dhe përmendi faktin se do të kishim dëshirë, duke parë nevojën iminente që të njëjtat të drejta t`ju njihen edhe shqiptarëve të cilët jetojnë në Kosovën Lindore, por që gjenden në territor të administruar nga Serbia, siç është Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Fjalën e mori edhe një serb, i cili përshkroi ardhjen e tij në Zvicër në vitet ’70-ta, por pa përmendur asnjëherë Kosovën apo politikat serbe në raport me Kosovën.
Kurse gazetari në pension, Zlatko Hodzic, shpjegoi, në mënyrë koncize, se si Kosova ka qenë pjesë kushtetuese e Jugosllavisë dhe ka pasur të drejta të barabarta me Kushtetutën e 1974, por që me represion dhe nën kërcënimin e tankeve të Millosheviqit, autonomia i ishte hequr Kosovës, pikërisht nga parlamenti i saj, dhe si është përdorur Kosova nga Milosheviqi për të ardhur e rritur pushtetin e tij dhe për të filluar luftat në Ballkan nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe në fund Kosova. Bëri paralele dhe konstatoi ngjashmërinë e presidentit aktual z. Vuçiq, që siç e quajti ai, pinjoll dhe ish minstër të diktatorit Milosheviq, i cili po përdorë Kosovën për të fuqizuar pushtetin e tij brenda Serbisë. Ambasadori Kunz përmendi dhe çmoi lart kontributin e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Më pas e mori fjalën edhe znj. Lindita Osmani, Kryetare e Swiss Albanian Women dhe e LAPSh-së në Tiçino, ku prezentoi aktivitetet e bujshme të shoqatës së tyre, duke nënvizuar rihapjen e shkollës shqipe në Tiçino pas shumë vitesh dhe aktiviteteve të tjera në drejtim të integrimit në përgjthësi dhe të gruas në veçanti. Kontributi i shoqatës u vlerësua lart edhe nga presidenti i Fondacion “Spitzer”, z. Bernasconi.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe njëri nga Komandantët e Swisscoy në vitin 2005/2006, z. Stefano Brunetti, i cili evokoi kujtime të bukura nga shërbimi i tij në Kosovë dhe paraqiti situatën në Kosovë me plot pozitivitet dhe progres. Vlen të theksohet se paraprakisht, me ftesë të Fondacionit Spizer, Remzi Durmishi dhe Lindita Osmani patën një takim të veçantë me Ambasadrin Kunz në një darkë pune.
helveticALforum.ch