Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, realizoi një vizitë pune në Mbretërinë e Danimarkës, gjatë së cilës e shoqëruar nga konsulli i Republikës së Kosovës, z. Valdrin Grainca, zhvilloi takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të institucioneve daneze.
Në kuadër të vizitës, zëvendësministrja Gashi zhvilloi takime të veçanta me Sekretarin e Shtetit për Punë Evropiane dhe të Arktikut, Jonas Bering Liisberg, kryesuesin e Komisionit për Politika të Jashtme, z.Michael Aastrup Jensen, dhe me kryesuesen e Komisionit për Punë të Jashtme, znj.Lise Bech.
Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në tregti dhe ekonomi, sfidat e sigurisë rajonale, si dhe përkrahja e vazhdueshme e Danimarkës për avancimin e agjendës euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Në takimet e zhvilluara u shpreh gatishmëria për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të reja, derisa u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim të ndërsjellë ndaj zhvillimit, demokracisë, paqes dhe sigurisë, njofton Konsullata e Kosovës në Danimarkë.