Një lajm i mirë na erdhi nga Kamenica. Është fjala për Rilind Morinën, me të cilin patëm rastin të takohemi në fund të muajit tetor të këtij viti në Zvicër, i cili ishte i shoqëruar me Prof. Burhan Morinën. Rilindi, një djalë i qetë, modest dhe i motivuar për një të ardhme.
Padyshim se në zemrën e tij ishte një dilemë, të zhvillojë karrierën si pjesë e diasporës apo në Kosovë. Padyshim se në Kosovë më mirë, por e vështirë ti realizosh disa dëshira jetësore me një pagë minimale si doktor. Perspektiva nuk është aq e mirë. Megjithatë, i edukuar nga prindë që nuk e shikojnë materialen shumë, por jetën e dinjitetshme. Pasi i kishte kryer të gjitha provimet dhe kishte studjuar në Universitetin e Prishtinës-Fakulteti i Mjekësisë, ai, për disa ditë qëndroi në Zvicër.
Gjatë bashkëbisedimit me të për një orë, sa patëm mundësi të pimë një kafe, shihet edhe dëshira e tij që të jetë në një të ardhme më të mirë e më të sigurtë, duke ditur se dallimi mes Zvicrës e Kosovës është shumë i madh edhe në fushën e mjekësisë. I urtë, ashtu me një buzëqeshje të lehtë, z. Morina fliste dhe jipte përgjigje ndaj pyetjeve për të ardhmen e tij.
Sipas tij, primar është shkollimi, respekti e dashuria ndaj familjes. “Edhe prindërit e mi dhe familja ime e ngushtë, kur më shohin se jam mirë, padyshim se edhe ata lumturohen. Nuk është e lehtë të mbijetosh si duhet me këtë profesion. Të hapësh ndonjë ordinancë private, të punosh në ndonjë spital privat, të vazhdosh me specializim e deri në doktoratë.
Duhet edhe mjete. Dëshira është, por unë do të arrij më të mirën.” Optimizëm, djal studioz. Rinia jonë me dilema në atdheun tonë për të ardhmen e tyre. Shihet se dita ditës largohen me të madhe shumë të rinj të profesioneve të ndryshme. “Shpresojmë se do të bëhet më mirë”, na tha z. Morina. Pikërisht dje pranoi edhe diplomën, apo mbrojti titullin doktor i mjekësisë së përgjithshme.
(Gjatë takimit në Cyrih)
Ja se çka na tha ai, mes tjerash: „Ecejakes së studimeve në fushën e mjekësisë, sot, më datë 05.12.2024 i erdhi fundi. Gjashtë vite shumë sfiduese dhe me përkushtim do t’i kujtoj si vite të arta. Ky rrugëtim do të ishte i pamundur pa ndihmën e familjes, shokëve e kolegëve, profesorëbe të mrekullueshëm, e me theks të veçantë mentorit tim Prof. dr. Ibrahim Rudhani. Ju jam shumë falenderues. Për një shëndet më të mirë, I juaji, Dr. Rilind Morina.”.
Po shpresojmë se edhe institucionet tona do të punojnë më shumë që të mendoj për intelektualët e rinj. /
Nga Dashnim HEBIBI
helveticALforum.ch