/ Regensdorf, 6 nëntor /
Kaluan nëntë ditë nga 28 nëntori, Dita e Flamurit Kombëtar dhe 112 vjetori i shtetit shqiptarë si dhe datëlindja e heroit dhe komandantit legjendar Adem Jashari. Po ate ditë dhe disa ditë pas festës kombëtare, si në shumë xhami të tjera, por edhe në xhaminë shqiptare të Regensdorfit, rrethina e Cyrihut ka pasur ligjëratë dhe një ditë tjetër edhe program me fëmijë mërgimtarë, ku edhe kemi shkruar për ate ngjarje. Ndërsa sot, pas nëntë ditëve nga festa kombëtare, përsëri në ligjëratën kryesore (Hudbeja) të imamit të kësaj xhamie, z. Mr.Ferit Zekiri, ishte tema kombëtare e lidhur edhe në aspektin fetar.
Të rinjë e të moshuar, që ishte përpot xhamia me mbi 1.000 bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare e përcollën hiq më pak se për 30 min ligjëratën me një interesim të jashtëzakonshëm. Nuk është hera e parë, që në këtë xhami dhe xhami të tjera të drejtuara nga bashkëkombasit tanë, ka ligjërata të fuqishme kombëtare, tribuna, bashkëbisedime dhe tubime shkencore, duke ligjëruar profesora nga të gjitha trevat shqiptare. Kontributi i madh kombëtar e humanitar padyshim se ishte e do të jetë edhe nga këto xhami shqiptare. Ja se cila ishte tema e ligjëratës së sotme. Për lexuesit tanë po e japim:
A e duam vërtetë shtetin?
Ligjëratë nga Mr.Ferit Zekiri, imam i Xhamisë Shqiptare në Regensdorf të Zvicrës
Të dashur vëllezër të të gjitha trevave shqiptare. Para një jave patëm festën më të madhe kombëtare. U festua gjithandej, në forma të ndryshme. U festua në të gjitha trevat shqiptare dhe jo vetëm, por e gjithë mërgata shqiptare. Kjo, padyshim se është një tregues për dashurinë ndaj vendlindjes, ndaj atdheut. Dhe tash po parashtoj një nga pyetjet të rëndësishme:
A e duam vërtetë shtetin?
Ta duash shtetin nuk do të thotë thjesht vetëm të këndosh, të vallëzosh, të urojsh, të dëshirosh… Dashuria për shtetin nuk është vetëm një ndjenjë emocionale, por të përmbushësh detyrat e tua si qytetar ndaj shtetit, të kontribuosh në ndërtimin dhe zhvillimin e tij, në çdo aspekt dhe fushë, në arsim, në mjekësi, në industri, inxhinjieri…
Nëse dikush nuk ia paguan tatimin shtetit, a e don vërtetë shtetin?! Nëse e vjedh rrymën, a e don vërtetë shtetin? Dhe këto raste nuk janë të pakta. Kemi edhe nga ata që ditën qajnë për shtetin, e natën e vjedhin ate. Ai që është i korruptuar, a e don vërtetë shtetin? Udhëheqësit e korruptuar, institucionet e korruptuara, pastaj themi: e dua shtetin! Shtetin e don ai i cili e ndihmon që të zhvillohet, jo ai i cili e vjedh.
Në anën tjetër, shteti do të duhet të siguroj drejtësi, siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. Të vendos rend dhe drejtësi në shoqëri. Shteti duhet të sigurojë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të jetojnë të barabartë dhe në paqe.
Ja një shembull se si duhet shteti: ( Në aspektin fetar)
Omeri ibn Abdulaziz, kalifi (Udhëheqës) i devotshëm, kalifi i pestë i drejtë, ishte një shembull i padiskutueshëm i përkushtimit, drejtësisë, devotshmërisë dhe kujdesit për të varfërit. Ai ishte një model i qeverisjes së mirë.
Ai qeverisi për dy vjet e pesë muaj, duke mbushur tokën me drejtësi, dhe duke i rikthyer të drejtat e të shtypurve. Ishte njeriu që refuzoi kalifatin, por populli i thanë: “Ne të duam vetëm ty“. Kur mori sundimin, ai u distancua nga jeta e tij luksoze. Pasi u zgjodh për kalif, e thirri gruan e tij, Fatimen, vajzën e kalifit paraprak, dhe i tha: “Më është ngarkuar përkujdesja për popullin e Muhamedit a.s., prandaj nëse dëshiron Allahun dhe botën tjetër, atëherë dorëzoje arin dhe pasurin e çmuar në arkën e shtetit.
Nëse dëshiron këtë botë, atëherë mund të kthehesh në shtëpinë e babait tënd – pra je e shkurorëzuar.”Ajo iu përgjigj: “Pasha Allahun, jeta jote është jeta ime, dhe vdekja jote është vdekja ime.” Ajo dorëzoi pasuritë e saj në thesarin e shtetit. (Kështu duhet shteti …)
Omeri ndiente barrën e madhe dhe përgjegjësisë ndaj umetit (popullit), ai shpesh mendonte për vuajtjet e të varfërve, të sëmurëve, të shtypurve, pleqve në gjithë vendin. Ai qante, duke u frikësuar se mos do të pyetet për ta ditën e Kiametit.
Përderisa në vendet tona shpenzohen shuma marramendëse për zbukurime të lloj-llojshme dhe në anën tjetër shkollat, spitalet, infrastrukturën etj i kemi në gjendje të mjerueshme. Edhe për operacionet më të thjeshta duhet trajtuar pacientët jashtë shtetit, se nuk ka kushte brenda shtetit.
Ende duhet të ndërtohen shtëpi për të varfërit nga ndihmat humanitare, ende duhet jetimat, rastet sociale, studentët të mirëmbahen nga shoqata apo organizata humanitare. Njëherë, pas kthimit të Omer ibn Abdulazizit nga një varrim, ku dukej i mërzitur, njëri e pyeti për shkakun. Omeri iu përgjigj: “Për atë që kam përgjegjësi, duhet të mërzitem. Nuk ka njeri në popull, përveçse dua që të siguroj se ai merr të drejtat e tij nga unë.” Ai mori masa të menjëhershme kundër ministrave të korruptuar që kishin shërbyer në hilafetin e Sulejman ibn Abdulmelik, duke i larguar ata nga postet e tyre. Ai i qortoi, duke u thënë: “Shko, o njeri shtypës. Ke bërë që njerëzit të ulen në diell dhe i ke rrahur, ndërsa ti po qëndroje në pallate luksoze.”
Prandaj të dashur bashkëkombas, ne e dijmë se të gjithë e duam shtetin tonë, por duhet të punojmë edhe më shumë, që të mos ketë të korruptuar, por të punojë i përkushtuar për shtetin dhe kombin. Meritojmë të jemi më të bashkuar, sepse si popull kemi vuajtur shumë, që të kemi lirinë dhe tash i kemi dy shtete shqiptare. Të respektohemi mes veti.
Duke e parë edhe kohën që po afrohemi për faljen e namazit të xhumasë të lutemi për kombin tonë, për dëshmorët dhe për të gjithë ne. Lutje për familjet tona, për miqtë e shokët tanë, për miqtë tanë ndërkombëtarë, për Zvicrën mike dhe për të gjithë ata që punojnë dhe e duan paqen“. Këto ligjërata dhe shumë ligjërata të tjera që kemi pasur mundësi ti dëgjojmë me një përgaditje maksimale e shumë përgjegjësi e përgëzojmë imamin dhe kryesinë e kësaj xhamie.
HelveticALforum.ch