Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Procesi i harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe përvojat e vendeve të tjera. Probleme teorike dhe praktike.” 



Konferenca përfshiu
panele diskutimesh me pjesëmarrjen e studiuesve të njohur nga Shqipëria, Italia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut
. Diskutimet u fokusuan në sfidat e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe ndikimin e këtij procesi në përmirësimin e jetës dhe institucioneve shqiptare.



Rektori Tonin Gjuraj në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e integrimit europian dhe sfidat socio-ligjore të këtij procesi: “Përafrimi formal i legjislacionit me atë të BE-së është i domosdoshëm, por duhet të shoqërohet me një europianizim real të shoqërisë shqiptare, duke përmirësuar mirëqeverisjen, respektin për dinjitetin njerëzor dhe jetën e qytetarëve.”
Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Irma Baraku, theksoi prioritetet e UNISHK-ut në kërkimet shkencore për reformën në drejtësi dhe integrimin europian, duke vlerësuar bashkëpunimet kombëtare e ndërkombëtare në këtë drejtim.
Aktiviteti shërbeu si një forum i rëndësishëm për shkëmbimin e ideve dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, duke pasuruar debatin shkencor për një të ardhme më të mirë ligjore dhe sociale në Shqipëri.