/ Nga PhD. Dashnim HEBIBI /
Winterthur, 07 dhjetor 2024
Edhe pse kanë kaluar disa ditë kur ishte 28 Nëntori, manifestimet kanë filluar në diasporë që nga fillimi i nëntorit. Meqë ka shumë manifestime nëpër shumë qytete të Zvicrës dhe zakonisht janë mbajtur të shtunave ose të diellave, LAPSH për Kantonin Cyrih, ka menduar që të organizojë festën më të madhe kombëtare me datë 07.12.2024 në Winterthur të Zvicrës. Ishin pjesmarrëse 53 pika shkollore, ose 53 paralele të shkollës plotësuese shqipe të Kantonit Cyrih.
Salla ishte e përmbushur. Kjo dëshmoi se bashkatdhetarët tanë nuk janë bezdisur me ngjarjet festive, ose e respektojnë dhe e çmojnë punën e madhe që po bënë LAPSH. Në gjithë Zvicrën, vetëm sonte kishte mbi 5 manifestime, disa për 28 Nëntorin dhe disa të përziera, si fushatë dhe manifestim festiv kushtuar Ditës së Flamurit.
Si redaksi, kishim ftesë në disa manifestime, por zgjodhëm me shumë respekt që të ishim pjesë e manifestimit të organizuar nga LAPSH për Kantonin Cyrih. Përgatitjet e sallës kishin filluar që në mëngjes, sepse ka vërtetë punë shumë dhe ia dolën me notën më të mirë të mundshme. Skena e bukur me flamurin tonë kombëtar ishte emocion në vete, por edhe foltorja ishte e rrethuar me flamurin kombëtar. Fëmijët që janë lindur në Zvicër, vinin me veshje kombëtare, ndërsa prindërit ishin ata që kishin emocione se si do të dilnin fëmijët e tyre.
Por, mësueset dhe mësuesit kishin barrën më të madhe që të mos kenë ndoj gabim nxënësit e tyre në skenë. Manifestimi filloi në orën 18:00. Kishte musafirë nga e gjithë Zvicra, mësues e dashamirës të LAPSH-së, por edhe nga Gjermania kishte ardhur mësuesi veteran i LAPSH-së për Gjermani z. Hamzë Halabaku që ishte i shoqëruar nga mësuesi veteran, njëherit ish kryetar i LAPSH-së në nivel Zvicre, z. Hamzë Morina. Mysafiri nga Gjermania, mësuesi i njohur, z. Hamzë Halabaku kishte sjellë edhe librin më të ri që ishte në bashkëautorësi me dy arsimtarëdashës të shkollës plotësuese shqipe në Gjermani, z. Tahir Z. Berisha, Çerkin Bytyqi me titull „Emra që nuk harrohen“, arsimtarë shqiptarë në diasporë pjesa e IV-të botim i vitit 2006.
Salla e përmbushur, organizatorët e këtij manifestimi, LAPSH për Kantonin Cyrih, kishte menduar edhe për mysafirët më specialë nga diplomatët që veprojnë në Zvicër, që ti rezervojnë vende. Kishte edhe nga ata që rrinin në këmbë në mesin e prindërve, sepse salla mbi 1000 ulëse ishte përplot.
Telefonat e shumtë shiheshin në dorë, që para fillimit të programit, prindërit fotografonin fëmijët e tyre. Kishte edhe fëmijë shumë të vegjël, disa muajsh, që i kishin marë me vete disa prindër, sigurisht që nuk kanë pasur mundësi se ku ti lënë dhe padyshim, që të kenë edhe kujtime, që kur të rriten ata, ti kujtojnë këto manifestime.
Fëmijët, gjithandej, ecnin dhe flisnin shqip. E takuam edhe bukuroshin Joni Sabriu nga Dollogozhda e Strugës që jeton në Bülach. Kishte ardhur me babain e tij, z. Përparim Sabriu, kryetar i LAPSH-së për Bülach. Joni luan edhe futboll. I kishte thënë babait të tij që në mëngjes se donte të vinte e të ndihmonte atë për ta rregulluar sallën. Gjithë ditën me dëshirë kishte qendruar që të recitonte poezinë e tij me titull ‘Kruja’. Edhe fëmijët e tjerë të të gjitha trevave shqiptare, kishin barrën kryesor të organizimit. Hyrja ishte pa bileta, pra pa pagesë.
Organizimi i mrekullueshëm, kur dihet se kemi të bëjmë me fëmijë. Nëse do të kishte nota për organizatorët, padyshim se e meritojnë 10. Të mos harrojmë, kemi të bëjmë me fëmijë të moshave të ndryshme. Në hyrje të sallës, edhe kësaj here, si në disa manifestime të tjera, e takuam aktorin e merituar Çun Lajçi që kishte pasur disa nga librat e tij për ti shitur. Edhe z. Lajçi ishte mysafir i ftuar për të recituar. Ishte Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-së për Zürich. Edhe pse ishte organizator e duhej ti nderonte mysafirët, ai gjente mundësi që të shkonte me vrap edhe të nxënësit e tij, që do të paraqiteshin pas pak në program.
Pra, kishte detyrë të dyfishtë. Z. Lulzim Hasi, përgjegjës për administratë, regjistronte me kamerë dhe fotoaparat pjesë nga programi. Bënte shumë foto që ti kenë kujtim. Ndërsa, Fation Bajrami, anëtar i kryesisë, kujdesej për ti nderuar mysafirët specialë me pije të freskëta, së bashku me Përparim Sabriun. Njëri nga Bujanoci e tjetri nga Struga.
Mësueset e LAPSH-së për Zürich, si znj. Elfete Hasi, znj. Afërdita Veliu, znj. Remzije Shabani, znj. Sabahate Krasniqi, znj. Drilona Maloku, znj. Armend Dërmaku, znj. Dafina Haziraj dhe mësuese e mësues të tjerë ishin me grupe me fëmijët, pra me nxënësit bënin ushtrimet e fundit. Stres shumë i madh. Vërtetë mësuesit janë të shenjtë, sepse bëjnë një punë jashtëzakonisht të madhe. Sytë e tyre ishin të skuqur nga lodhja për këtë përgatitje.
Mysafir special ishte Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri, Zv. Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj znj. Shukrije Ramadani, nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, znj. Arjeta Gallopeni, e shoqëruar nga zv. konsullja, znj. Makfire Azemi.
Si mysafirë të veçantë ishim edhe ne nga platforma mediale helveticALforum, si dashamirës dhe kontribues për LAPSH-në në nivel Zvicre për 24 vjet me radhë, z. Orhan Spahiu, Kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, mësuesja e nderuar znj. Saime Isufi, mësuesi Naser Ramabaja, SHKA “Dardania”, Shoqëria Kulturore Artistike “Vatra”, pastaj Ansambli “Trojet”, afaristë, intelektualë të fushave të ndryshme, sportistë, krijue të fushave të ndryshme dhe nga të gjitha trevat shqiptare.
Programin e moderoi z. Ramadan Morina. Përveç programit artistik që ishte me përkujdesje të mësuesve dhe nxënësve, me disa këngë u paraqit edhe këngëtari Kol Oroshi dhe me një recitim aktori i merituar Çun Lajçi dhe Naser Shtrolli që kishin ardhur nga Kosova.
Programi u hap me fjalë përshëndetëse nga Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH, i cili falenderoi të gjithë të pranishmit dhe uroi për nëntorin e shqiptarëve. Z. Ulaj, edhe kësaj here u zotua se nuk do të ndalen për të mirën e gjuhës shqipe, duke falenderuar shtetin zviceran për mundësitë e krijuara. Falenderoi që të gjithë që kanë kontribuar që të festojmë sonte së bashku. Nuk u zgjat shumë, përmendi disa vargjet të Sami Frashërit për rëndësinë e gjuhës shqipe dhe i bëri thirrje që të gjithëve që ti sjellin fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe LAPSH. Sigurisht se kishte edhe shumë për të thënë, por meqë kishte mysafirë, dëshiroi ti linte hapësirë atyre dhe tha se fjalën kryesore e kanë nxënësit. Pas fjalës përshëndetëse, disa nxënës të tij i dhanë lule të freskëta dhe një skulpturë unike të Komandantit Legjendar Adem Jashari. Pa dyshim se z. Ulaj u emocionua shumë, dhuratë falënderimi për punën e madhe që po e bën.
Fjala e Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesisë së Tij, z. Rexhep Demiri:
“Përshëndetje për të gjithë të pranishmit e në veçanti organizatorët e LAPSH-së për Zürich, pastaj për zonjën Ramadani, për konzullen e Kosovës në Zürich dhe zëvendësen e tij, PhD. Dashnim Hebibin për punën e madhe që po e bën, mësues veteran, mësuese e mësues, nxënës e prindër. Kam emocione sonte. Për mua është njëri ndër organizimet më të mira, sepse ma kujton veten kur isha i ri, kur babai im më dërgonte në shkollën plotësuese shqipe, duke qenë mërgimtar, që të mësoj gjuhën e mjaltë shqipe, duke bërë mbi 7 km në një drejtim. Pa dyshim se i jam mirënjohës. Ti kushtojmë shumë rëndësi gjuhës. Duke kujtuar dëshmorët, të gjithë ata që kanë kontribuar për çështjen kombëtare do të jenë në zemrat e çdo shqiptari. Të respektojmë mësuesit të përkrahim LAPSH-në sa të mundemi, sepse vërtetë po bëhet një punë e madhe dhe shumë e rëndësishme. Ju përgëzoj dhe duke e parë kohën, po ia lëmë fjalën të tjerëve. Gëzuar.”
Fjala e zv. Ambasadores së Kosovës në Bern, Shkëlqesisë së Saj znj. Shukrije Ramadani:
“Përshëndetje për të gjithë të pranishmit. Përshëndes edhe Ambasadorin Demiri, konsullen dhe zëvendësen e saj, PhD. Dashnim Hebibi, Orhan Spahiu, z. Ulaj me stafin e tij dhe të gjithë mësueset e mësueset dhe prindërit e nxënësit e LAPSH-së. Edhe unë kujtoj ditët e mia si mësuese e LAPSH-së. Ishin ditët më të mira. Të punojmë pa ndërprerë për të mirën e gjuhës e traditave tona. Mësuesit po bëjnë punë të madhe me plot mund për të ruajtur gjuhën. I drejtohem të gjithë atyre prindëve që nuk i kanë fëmijët e tyre në shkollë, ti dërgojnë, sepse duke e ditur gjuhën amtare, do ti mësojmë edhe gjuhët e tjera. Lavdi dëshmorëve! Respekt për punën e madhe të arsimtarëve e gëzuar Dita e Flamurit!”
Edhe z. Orhan Spahiu, Kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, pasi përshëndeti përfaqësues të misionit diplomatik, kryetarin e LAPSH-së për Zürich, kryesinë, mësuesit dhe të gjithë prindërit dhe nxënësit, uroi për festën më të madhe kombëtare, duke dëshiruar që të jemi edhe më punëtorë, që të ruajmë gjuhën.
Festa e Flamurit të Kombit Shqiptar nisë nga 28 nëntori i vitit 1443 kur i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës, e shkon deri te 28 nëntori i vitit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Dita e Flamurit të Kombit Shqiptar është festë që i bashkon shqiptarët anë e mbanë botës rreth idealit dhe vlerave që përbëjnë identitetin e një populli e kombi.
Dashnim Hebibi, në emër të Institutit Helvetik të Evropës Juglindore, të Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” dhe në emër të platformës mediale helveticALforum.ch i përshëndeti të pranishmit me këto fjalë:
Të nderuar organizatorë;
Të respektuar përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve shqiptare;
Të dashur të pranishëm;
Sa herë që ftohem nga drejtuesit e LAPSh-së, pavarësisht karakterit të organizimit, unë ndjehem si në shtëpinë time, jo vetëm se dikur pata dhënë një kontribut modest në cilësinë e mësimdhënësit, por ngaqë LAPSh simbolizon kulmin mbrojtës të identitetit tonë shqiptar dhe, jo vetëm.
Përmes kësaj vatreje alternative arsimore, familjet shqiptare të mërguara këtu, u kanë dhënë mundësinë fëmijëve të tyre të mësojnë thesarin më të çmuar të kombit tonë – gjuhën e lashtë shqipe edhe atë hiç më pak se mbi 30 vjet. Këtu e shoh Naser Ulajn, Nexhat Malokun e shumë të tjerë. Puna që është bërë në LAPSH është e shenjtë. Në mësojtoret e orëve plotësuese në gjuhën shqipe, LAPSH, brezit të ri të familjeve të mërguara shqiptare i është ofruar mundësia që të mësojë historinë, sa të dhimbshme, po aq krenare e të lavdishme të popullit më të motshëm të Mesdheut.
Bashkatdhetarë të respektuar,
Kam besim të palëkundshëm që secili prej jush është i vetëdishëm për rëndësinë që ka mësimi plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët tanë, i cili nuk do të duhej braktisur në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye. Kjo vatër do mbështetje financiare, logjistike, me burime njerëzore profesionale dhe jo vetëm. Çdo qindarkë e ndarë prej secilit prej nesh për këtë mision të shenjtë është investim në ruajtjen e etnokoluturës sonë. Krahasuar me dekadat e mëparshme, sot jemi në pozitë shumë më të favorshme.
Në Shtetin e Zvicrës, të cilit i jemi shumë mirënjohës për gjithçka, sot kemi përfaqësues diplomatikë shqiptarë të tri shteteve tona. Kultivimi i gjuhës shqipe duhet të jetë i garantuar përmes institucioneve shtetërore. Mërgata shqiptare, historikisht ka ndarë bukën e gojës për mirëqenien e kombit tonë të shpërndarë. Sot, vlerësoj që misionet tona diplomatike, përmes mekanizmave të ligjshëm e konkretë, duhen dëshmuar veten, duke përfshirë çështjen e arsimimit në gjuhën shqipe për komunitetin shqiptar në Zvicër, si pjesë të një planprogrami zyrtar të shtetit, me qëllim që mësimi në gjuhën shqipe të jetë i organizuar në shkolla shtetërore, veçanërisht nëpër komuna, ku komuniteti shqiptar plotëson kriterin demografik për të pasur klasët e veta të posaçme që ta zhvillojë mësimin e rregullt në gjuhën shqipe në të gjitha lëndët.
Shtetet dërguese të këtyre misioneve diplomatike duhen shfrytëzuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Shtetin Zviceran që këtë projekt, sot ideor, e në një të ardhme të afërt, të realizuar, ta shohin e konsiderojnë si një ndërmarrje të përbashkët shtetërore, duke i ofruar mbështetje me kuadro profesionale dhe literaturë përkatëse nga atdheu. Kushdo që mund ta cilësojë këtë projekt si të pamundshëm, unë u them se gjithçka fillon si një ide dhe asgjë nuk është e parealizueshme. Mjafton të besojmë në të dhe të punojmë konkretisht në jetësimin e një projekti kaq fisnik. Nga një komunitet i arsimuar, pavarësisht origjinës, përfiton çdokush, e më së shumti vet Shteti Zviceran.
Ftoj secilin prej jush që të përkushtoheni në mbrojtjen e unitetit tonë, si komunitet shqiptar këtu në CH, duke mos lejuar përçarjen mbi baza partiake apo interesave të tjera trumbetimi. Sot është koha e fundit që shtetet shqiptare ta dëshmojnë veten se vërtetë e vlerësojnë diasporën shqiptare dhe i janë mirënjohëse asaj për kontributin gjatë shumë dekadave në shumë dimensione. Ju falemnderit për vëmendjen tuaj! Gëzuar! Le të jehojë zëri real, i bashkimit, integrimit, ruajtjes së gjuhës e traditave tona përmes LAPSH-së, sepse është institucioni i vetëm që bashkon pejanin me gjilanasin, preshevarin me ulqinakun, tetovarin me shkodranin, katolikun me muslimanin, ortodoksin me bektashiun, bashkë dhe vetëm bashkë. Gëzuar!
Pas intonimnit të hymnit kombëtar dhe atij të Kosovës, filloi edhe programi kulturo-artistik, valle, këngë, recitime. Këngë kushtuar dëshmorëve, poezi kushtuar bashkimit kombëtar, gjuhës shqipe. Ishin nxënësit që dëshmuan,l se do ta përcjellin brez pas brezi gjuhën shqipe, nuk do ta harrojnë atë.
Respekt për secilin mësuese/s që kanë punuar me nxënësit e tyre. Me këngë të mrekullueshme, që i gjasonin një koncerti të mirëfilltë. Na la përshtypje edhe durimi i prindërve në sallë, që pas çdo pike që jepnin fëmijët merrnin edhe duartrokitje. U ndanë edhe disa mirënjohje për kontributdhënie për LAPSH-në.
Kori i grave “Lyra” me qendër në Zvicër pati një program të pasur dhe kur doli në skenë 14 gra të moshave të ndryshme, na u duk se jemi në Tiranë apo Prishtinë.
Gjithashtu, meritojnë përkrahje për punën që po bëjnë. Poezi pas poezie, këngë e pas valleve erdhi edhe fundi i programit. Pasi përfundoi programi me nxënësit, me disa këngë u paraqit edhe këngëtari Kolë Oroshi i cili me disa këngë bëri që shumë prej mysafirëve të marrin vallen. Stafi i LAPSH-së, z. Lulzim Hasi, përgjegjës për administratë dhe regjistronte me kamerë dhe fotoaparat pjesë nga programi, z. Gëzim Kasumaj z. Fation Bajrami, anëtar i kryesisë, Përparim Sabriu, kryetar i LAPSH-së për Bülach, Elfete Hasi mësuese, Afërdita Veliu, Remzije Shabani, Sabahate Krasniqi, Drilona Maloku, Armend Dërmaku, Dafina Haziraj, që të gjithë së bashku dhe shumë të tjerë, dëshmuan se LAPSH në Kantonin e Zürichut do të punojë me shumë përkushtim për të mirën e gjuhës.
Krejt në fund, që të gjithë u ndanë të kënaqur me organizimin dhe presin që pushimet dimërore të kalohen mirë dhe të punojnë për festën e shkurtit, atëherë kur është edhe festa e pavarësisë së Kosovës. Në vend të pikës për këtë tekst që tregon fundin, vjen edhe një fjalë e vetme, LAPSH ka bërë një punë shembullore. I vetmi që po bashkon të gjithë shqiptarët.
helveticALforum.ch
( Falënderojmë edhe z.Lulzim Hasi për disa foto që na siguroi)