/ Gjenevë, 08 dhjetor /
Se diaspora shqiptare po e vazhdon ruajtjen e gjuhës e traditave dhe zakoneve tona po shihet dita ditës. Edhe shumë popuj të tjerë, sigurisht se do t`na marin lakmi. Përshembull në raste vdekje, kur hapim të pame për një të afërm tonin është një rast i jashtëzakonshëm që vijnë me qindra e mijëra miq, shokë e dashamirë për ngushëllime. Përveç se në atdhe, kemi të pame, edhe në diasporë dhe kjo tregon se po ruhet me vite kjo traditë. Sot, ishim në Gjenevë dhe aty pamë lumë bashkatdhetarësh që vinin nga katër anët e Zvicrës për ti shprehur ngushëllime familjes Selmani nga Medvegja dhe Iseni nga Gostivari.
Familja Selmani nga Topalla e Medvegjës është e njohur, duke u nisur nga i ndjeri tashmë, z.Liman Selmani dhe tre djemtë e tij, Ismeti, Fadili e Shabani, që nuk kanë kursyer e as që po kursejnë për të mirën e asaj treve dhe të kombit në përgjithësi. Më 16.11.2024, ndërroi jetë në Forinë të Gostivarit, znj.Halime Selmani Iseini, bija e atdhetarit nga Tupalla e Medvegjës, që njihet si „Flamurtari i Medvegjës“, Baci Liman (Shaban) Selmani dhe motra e tre vëllezërve, atdhetarëve, që jetojnë në Zvicër, Ismetit, Fadilit dhe Shabanit. Zonja Halime Selmani Iseini ishte e martuar me një atdhetarë që kurrë nuk ju tremb syri për çështjen kombëtare.
Ajo këtë e dëshmoi për 27 vite me radhë (që kur dora e zezë sllave e privoi nga bashkëshorti i saj, Dëshmori i Kombit Dr.Shpend Iseini), ku me mund e sakrificë dhe pa u nënshtruar kurrë i rriti, shkolloi dhe i drejtoi ka e mbara dy djemtë e saj të mrekullueshëm, Shpati dhe Shkëmbi. Medvegjasja, Halime Selmani Iseini, simbol i krenarisë, moralit e nderit, një hyjneshë e rrallë!
Ata sot, kishin edhe të pamen për motrën e tyre, Halime Selmani Iseini. E pamja për burra u mbajt në sallën e restorantit Sur l’pouce Sadiki, ndërsa për gra në KMSH (adresa e njejt).
Familja Selmani Kapiti dhe Iseini pritën bashkëkombas nga ora 09.00-16.00. Zonja Halime ishte e vetmja motër e vëllezërve Selmani dhe ajo la pas vetes dy djemtë e saj. Ishte një zonjë që la shumë vepra të mira e cila arsimoi shumë gjenerata. Ngushëllime familjeve! Me një fjalë edhe diaspora jonë, po e ruan edhe këtë pjesë të traditës dhe zakoneve tona.
helveticALforum