Të ardhurat nga turizmi në ekonomi, gjatë 9-mujorit të vitit 2024, kanë regjistruar shifër rekord në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të publikuara në raportin e Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë të ardhurat nga turizmi arritën në 3.8 miliardë euro në 9-mujorin e këtij viti, me një rritje 640 milionë euro me bazë vjetore.
Statistikat gjithashtu konfirmojnë fluksin në rritje të turistëve në vendin tonë, jo vetëm gjatë sezonit veror por edhe në sezonin e vjeshtës, ndërsa po vijon shtim i vizitorëve edhe në stinën e dimrit.
Sipas INSTAT, mbi 9.6 milionë të huaj vizituan vendin gjatë periudhës 9-mujore janar-shtator 2024.
Ndërsa pritshmëritë janë që vitin që vjen numri vizitorëve dhe turistëve të huaj të jetë edhe më i lartë, si rezultat i investimeve të reja në infrastrukrurë dhe sistemet akomoduese të hotelerive. Zhvillimi i turizmi po jep një kontribut kryesor në përmirësimin e ekonomisë shqiptare, sa i takon të ardhurave, punësimit dhe rritjes së konsumit në vend, njofton rtsh.al.