Gjatë këtyre ditëve, Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës të RMV-së e vizituan themeluesit dhe anëtarët e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” nga Borasi i Suedisë, të cilët u mirëpritën nga drejtori Granit Osmani.
Në këtë takim dypalësh u diskutua për gjuhën shqipe, zhvillimin, si dhe mësimin e saj nëpër shkollat shqipe në Suedi. Krahas kësaj, themeluesit në fjalë, si dhe mësuesit Sokol Demaku, Rizah Sheqiri dhe Xheladin Dedia shprehën gatishmëri të lartë për bashkëpunim të mirëfilltë me Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës, si urë lidhëse në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, ata diskutuan edhe rreth kushteve dhe mbështetjes morale e materiale që ia siguron shteti suedez që nga krijimi i kësaj qendre e deri tani.
Siç theksuan ata, Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” bën edhe shtypin dhe përkthimin e librave nga suedishtja në shqipe, si dhe anasjelltas. Në këtë takim u diskutua edhe rreth mbështetjes dhe ndihmës që AZGj-së mund t’ia ofrojë Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni”, si në sferën e gjuhës dhe të letërsisë, po ashtu edhe në sferën e artit dhe të kulturës. / Agjencia e Zbatimit të Gjuhës