Dr. Bilalli është mjek i njohur dhe i respektuar, aktualisht është Kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës. Kryesia, imami dhe gjithë të pranishmit u ndanë shumë të nderuar dhe kënaqur me ligjëratën që e prezentoi para tyre ditën e premte të datës 13 dhjetor. Ja se si e përshkruan edhe vetë Dr.med.Mentor Bilalli:
„Një mbrëmje e shkëlqyer me një tematikë atraktive dhe tejet domethënëse për shëndetin e njeriut në përgjithësi dhe për të rinjtë në veçanti. Dr. med. Mentor Bilalli ligjëroi me mjeshtëri për sëmundjet e traktit gastrointestinal dhe të mëlçisë në moshë të re, duke shpalosur simptomat më të zakonshme dhe sfidat e përditshme me të cilat përballen të rinjtë.
Në vazhdim, ai diskutoi për masat e mundshme për të parandaluar këto sëmundje, duke ofruar këshilla të vlefshme për menaxhimin dhe trajtimin e tyre, me qëllim shmangien e përkeqësimeve të mëtejshme.
Mes tjerash, ai përmendi edhe llojet e sëmundjeve të mëlçisë që mund të shfaqen në moshë të re, metodologjinë e diagnostifikimit, trajtimin dhe faktorët më të rëndësishëm për suksesin e këtij trajtimi.
Një pjesë e rëndësishme e ligjërimit të tij u përqendrua tek përhapja e infeksioneve të hepatitis B, duke e ilustruar me statistika globale dhe duke diskutuar rrezikshmërinë, shkaqet e infeksionit dhe trajtimin e duhur mjekësor.
Pas ligjërimit, filloi një diskutim i frytshëm me të pranishmit, të cilët ishin mjaft aktivë përmes pyetjeve të ndryshme. Kjo zgjoi kërshërinë e audiencës dhe afirmoi përkushtimin e dr. med. Mentor Bilallit si një mjek shumë i përgatitur dhe i përkushtuar.
Në emër të kryesisë së Xhamisë së Bardhë, shprehim mirënjohje të thellë dhe falenderime për kontributin e dr. med. Mentor Bilallit, për angazhimin dhe përkushtimin e tij të palodhur“. Këto ligjërata janë pritur, po priten e do të priten mirë edhe në të ardhmen nga të gjithë. Është për të vlerësuar këtë nismë të imamit, kryesisë së kësaj xhamie, që herë pas here kanë tribuna me tema në të mirë të shoqërisë nga dijetarë brenda Zvicrës, por edhe nga atdheu.
helveticALforum.ch