/ Intervistoi: PhD.Dashnim HEBIBI /
„Personalisht mendoj se mërgata, para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës e ka kryer obligimin e vet, edhe pse për të punuar për atdhe nuk është asnjëherë e mjaftueshme.
Mërgatës, politika, tani i nevojitet vetëm për të krijuar raporte të mira me popullatën e shtetit ku jeton. Tani, politika duhet të zhvillohet përmes institucioneve shtetërore, ambasadave dhe konsullatave“, na tha ndër të tjera z.Maliqi.
Intervistë ekskluzive me veprimtarin e njohur të kauzës sonë kombëtare, z.Isa Maliqi, që jeton e vepron në Zvicër. Z.Maliqi ka takuar shumë personalitete të kohës, në ditët më të rënda që ka përjetuar Kosova dhe kontributi i tij është i madh dhe nuk ndalet as sot e kësaj dite.
Ju falenderoj për kohën që po ndani për këtë intervistë! Kisha dashur të dij se si po e shihni situatën aktuale në Kosovë në prag të zgjedhjeve parlamentare?
Falemnderit shumë, i nderuar, për këtë intervistë! Do të mundohem të jem direkt dhe I shkurtë në përgjigje. Të përgëzoj për këtë platformë mediale, ku po dëshmon se do të jetë fjala e lirë e diasporës, ashtu si duhet të jetë. Situata momentale për zgjedhje është e mirë, por disi fushata parazgjedhore ka filluar si herët. Momentalisht, të gjitha partitë po mundohen ta përvetësojnë sa më tepër elektorat për vete. Do të doja që fushata të jetë e qetë, pa tensione dhe e bazuar në programe për zhvillimin e shtetit. Thuajse të gjitha televizionet dhe mediumet tona, së bashku me analistët, janë të interesuar më tepër të krijojnë huti te populli se sa të interesohen për gjërat, të cilat i nevojiten popullit dhe shtetit. Ato shumë po merren me patriotizëm populist që nuk çon askund. Mendoj se më tepër duhet të flitet për zhvillim, arsim, shëndetësi dhe drejtimet tjera që të krijojnë një optimizëm për popullatën, se edhe në Kosovë dhe viset tjera mund të punohet dhe jetohet. Të them të vërtetën, më ka marrë malli të dëgjoj një lajm të mirë dhe optimist për trojet shqiptare.
Jeni atdhetar i njohur. Keni pritur e takuar shumë aktorë të kohës të çështjes kombëtare. Përveç Presidentit Historik të Kosovës, cilin personalitet e kishit veçuar?
Gjatë viteve të ’90-ta, thuajse se me të gjitha personalitet shqiptare jam takuar dhe kam punuar me ta. Do të veçoja Akademik Fehmi Aganin, Dr. Sali Berishën, Prof. Avdyl Ramën, Akademik Nexhat Dacin, Prof. Latif Berishën, Akademik Mark Krasniqin, Bardhyl Çaushin, Fatmir Rexhepin, Lutfi Hazirin, Edita Tahirin, Adnan Merovcin, Rexhep Gjergjin, Don Lush Gjergjin edhe shumë të tjerë, të cilëve po u mbetem borxh që nuk po ua permend emrin.
Do të duhej që mërgata të infektohet edhe më tutje me politikë nga atdheu?
Personalisht mendoj se mërgata, para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës e ka kryer obligimin e vet, edhe pse për të punuar për atdhe nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Mërgatës, politika, tani i nevojitet vetëm për të krijuar raporte të mira me popullatën e shtetit ku jeton. Tani, politika duhet të zhvillohet përmes institucioneve shtetërore, ambasadave dhe konsullatave. Por, siç po duket, ne ende nuk po i kuptojmë detyrat që i kanë këto institucione, por po dergojmë militantë sa për të i punësuar.
Pajtoheni se politikanët po e dinë se ekziston mërgata vetëm ateherë kur po u afrohen zgjedhjet?
Pajtohem plotësisht. Mërgata duhet të trajtohet si pjesë e popullit, jo vetëm për interes. Nuk duhet të krijohen urrejtje dhe ndasi «ne dhe ata», por të jemi të njejtë të gjithë.
Çka është bërë e mirë, sipas jush, për mergatën prej kur është shpallur shtet Kosova?
Mendoj se shtrirja e institucioneve shtetërore në shtetet ku na kanë njofhur, përmes
ambasadave dhe konsullatave, është një arritje e madhe, ku mund të perfaqësojmë shtetin tonë, edhe pse ka shumë vende ku na mungon përfaqësimi. Dhënia e dokumentacionit personal. Edhe kjo është një e arritur për mërgatën.
Ka kohë që kemi dalur me një ide dhe kemi kërkuar që ta kemi muzeun e diasporës. Por, si duket, edhe kjo ide ka kaluar pa u vënë re, sepse nuk kemi asnjë përgjigje. Do të ishte mirë ta kemi Muzeun e Diasporës në Kosovë, kur e dimë se kjo diasporë ka dhënë shumë për të mirën e Kosovës dhe po jep edhe sot e kësaj dite?
Ideja është shumë e qëlluar dhe është shumë e nevojshme. Në bazë të pervojës po them se ne e kemi traditë të flasim, por jo të shkruajmë dhe t’I arkivojmë punët dhe faktet. Unë do ju inkurajoj dhe mbështes në këtë ide dhe duhet të fillojmë të bëjmë diçka në këtë drejtim, punët dhe kontributet e dhëna nëse nuk shkruhen dhe arkivohen, shumë shpejt harrohen dhe lënë hapësirë që secili të I interpretojë sipas dëshirës së vet. Nëse ndalemi dhe e analizojmë çdo ngjarje historike të kaluarës, nuk i kemi dokumentet tona, por vetëm ato të cilat na i kanë shkruar të tjerët.
Ka meritokraci në Kosovë?
Meritokracinë po e bën i forti. Nuk ka meritokraci të mirëfillët në Kosovë. Meritokracia duhet të vlerësohet në bazë të veprave dhe kontributeve të cilat i/e ka kryer, por jo të shfrytëzohet si trampolinë për të i arritur majat më të larta të pushtetit.
Mërgata, a po lihet anash?
Po, ashtu është, por mirë që po mbahen zgjedhjet dhe politikanët e kanë kuptuar se jemi faktorë determinues se kush i fiton zgjedhjet dhe po na vizitojnë. Ne duhet të jemi syçelë dhe votën të ua japim atyre që do të punojnë në përmirësimin e pozitës sonë.
Jeni i pajtimit që ne, si mergatë, duhet ti kthehemi më shumë fëmijëve tanë, nipave tanë, që të ruajmë bërthamën kombëtare, gjuhën e traditat tona?
Bërthama e një shteti është familja. Nëse ke një familje të shëndoshë, sigurisht se baza e shtetit do të jetë e fortë. Ne duhet, dy herë më tepër, të punojmë me fëmijët tanë, nipat dhe mbesat tona për ta ruajtur gjuhën dhe traditat tona. Nëse nuk punojmë në këtë drejtim, kot thirremi në shqiptarizëm.
Ku, sipas jush, do të duhej që të investojë shteti i Kosovës në mergatë?
Shteti i Kosovës, më së shumti, duhet të investojë në arsim dhe kulturë. Në arsim, për ta ruajtur gjuhën tonë të ëmbël dhe në kulturë për të i ruajtur traditat tona. Në sferat tjera investon edhe shteti ku jetojmë.
Pse, sipas jush, nuk po pranohen kandidatët për deputetë nga mërgata, ose ata që janë pranuar, janë shumë pak?
Mendoj se qasja e partive politike për përfaqësim të mërgatës në Parlament të
Kosovës është e gabuar. Sipas mendimit tim, për të pasur përfaqësim, mërgata duhet të i ketë vendet e rezervuara (aq sa ka mundësi) dhe të na jipet mundësia që vet mërgata, sipas shtetit, të i zgjedhë përfaqësuesit e tyre.
Jeni veprimtar i njohur, keni raporte të mira edhe me politikanë të njohur në Kosovë. I keni kritikuar ndonjëherë?
Të them të drejtën, në çdo takim dhe bisedë me politikanë, problemet i shtroj pa hezitim, por edhe kritikat i jap sipas natyrës së temës. Nëse problemet nuk identifikohen dhe nuk kritikohen, rezultatet janë të dobëta.
Si e shihni çështjen shqiptare në përgjithësi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Malt të Zi. Na duhet uniteti?
Po e filloj me një thënie të Akademik Fehmi Aganit:
« Unitetin, të cilin shumë shpesh e zëmë në gojë, te ne duhet të krijohet në mënyrë natyrore dhe të kultivohet si unitet vëllazëror, pa ndërskamca dhe pa hile e të vihet në shërbim të çështjes kombëtare, por nëse uniteti krijohet vetëm për shkak të dhunës së okupatorit, është i paqëndrueshëm.» Nuk e di a e kemi arritur këtë nivel të unitetit. Në atë moment kur ne flasim me një gjuhë unike, problemet shqiptare në të gjitha trojet i kemi të zgjidhura. Çështja shqiptare është në rrugë të mbarë, por nevojitet kohë deri sa ne të merremi vesh në mes vete. Hapi i parë rreth bashkimit kombëtar është bërë më 1972 me unifikimin e gjuhës shqipe, hapi i dytë është unifikimi i arsimit, pastaj unifikimi i kulturës dhe ekonomisë.
Shumë shpesh jeni në Kosovë, por si duket ende nuk e keni vendosur që të ktheheni përgjithmonë. Ku kishit dashur ta pinit gotën e fundit të ujit të kësaj bote?
Meqë tani jam pensionist, po kam kohë më tepër për ta vizituar Kosovën, për ti vizituar familjarët, shokët dhe vendet ku kam punuar.Por, shumë gjëra kanë ndryshuar, disa për të mirë, por disa edhe për të keq. Kosovën e kam ëndërruar ndryshe, por ja që disa gjëra nuk u realizuakan sipas dëshirës. Gotën e fundit të ujit të kësaj bote, kisha pasur dëshirë ta pij në shtëpinë time në Kosovë.
Për fund të kësaj interviste, si e shihni vitin 2025?
Të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, u uroj Vitin e Ri 2025, duke u dëshiruar shëndet, mbarësi dhe çdo të mirë! Uroj të kemi zgjedhje të suksesëshme pa probleme dhe të pranueshme! Le të jetë vit i realizimeve tona shekullore! Qoftë vit i unitetit të të gjithë shqiptarëve, kudo që janë!
helveticALforum