Në librin e saj të ri, “The art of power” (Arti i pushtetit), politikania dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA Nancy Pelosi, tregon se si ajo e ushtron ndikimin – dhe si mund ta bëni edhe ju.
Presidenti Joe Biden tronditi botën muajin e kaluar, kur hoqi dorë nga kandidatura e tij për zgjedhjet presidenciale këtë vit.
Sipas raportimeve, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ishte një nga njerëzit kyç, në një fushatë prapaskenash, për të inkurajuar presidentin të largohej.
Pelosi e ka minimizuar ndikimin e saj dhe ka refuzuar të ndajë, atë që ka folur me Biden në biseda private.
Por është e qartë, se ajo është e përqendruar në një fitore demokratike në nëntor dhe nuk e pa që kjo të ndodhte me Biden: “Ne nuk kishim një fushatë, që ishte në rrugën e fitores,” u tha ajo gazetarëve në gusht.
Pelosi, e cila ishte kryetarja e parë grua e Dhomës së Përfaqësuesve, ka shërbyer në Kongres nën shtatë presidentë dhe ka ndërmjetësuar legjislacionin gjithëpërfshirës, që rishikonte kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe financave.
“Unë i kam fituar pothuajse të gjitha betejat legjislative, që kam filluar – dhe ato që nuk i kam fituar, thjesht i quaj si “ende të paarritura”, deklaron ajo në librin e saj.
Më poshtë shpjegohen dy sugjerime nga libri i Pelosit, që mund t’i përdorni për të ‘lundruar’ në politikën e vendit të punës si një profesionist, pavarësisht nëse jeni apo jo një politikan:
- Dini kur dhe si të përdorni njohjet për të marrë rezultatet që dëshironi
Një nga arritjet më të rëndësishme të Pelosit si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve është mbledhja e 220 ligjvënësve progresivë dhe konservatorë të Dhomës, për të votuar për Aktin e Kujdesit të Përballueshëm (ACA) në nëntor 2009.
Gjatë betejës për ACA, ajo bënte telefonata me 50 anëtarë të ndryshëm të grupit parlamentar brenda një dite.
Pelosi kultivoi me kalimin e kohës një marrëdhënie, që mund ta përdorte në momentin e duhur me personin e duhur, për të marrë atë, që ajo e çmon më shumë: votën e tyre.
Udhëheqësit e mirë janë të shkëlqyeshëm për të ditur, se kur duhet të përdorin të dyja taktikat e fuqisë ‘së fortë’ – pazaret, ultimatumet dhe mbajtjen përgjegjësisë së njerëzve – si dhe taktikat e fuqisë ‘më të butë’ si bindja, krijimi i aleancave dhe zbulimi se çfarë i motivon njerëzit, tha Lisa Zigarmi, psikologe organizative bashkëautore e një artikulli të Harvard Business Review, se si gratë mund të ndihen më mirë me politikën e zyrës.
- Dini arsyen “pse”
Në librin e saj, Pelosi jep vazhdimisht në mesazhe se pse ajo është në politikë: “Duhet të jesh në gjendje të luftosh… Për Fëmijët”, shkruan ajo. Tri çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet Kongresi? “Fëmijët tanë, fëmijët tanë, fëmijët tanë.”
Në vendin e punës, kjo mund të nënkuptojë të mësoni se si t’i kushtoni rëndësi rrjetit të kontakteve profesionale që krijoni.
Krijimi i kontakteve profesionale (networking) mund të jetë ajo që ju ndihmon të gjeni një punë ose një projekt, por mund të jete i lodhshëm, nëse bëhet në një mënyrë që ju duket e rreme. Kështu që bëjeni të këndshëm takimin me njerëz të rinj.
Informohuni se çfarë mund të keni të përbashkët, që mund t’ju ndihmojë të nisni një bisedë dhe pyesni veten se çfarë ju pëlqen të ndani për veten ndërsa njiheni me dikë, sugjerojnë ekspertët e karrierës. Të kuptuarit se cilët janë vendimmarrësit, të kuptosh se si merren vendimet, të kuptosh kulturën e një vendi është me të vërtetë kritike, nëse do të jesh i suksesshëm në çdo organizatë, qoftë në qeveri apo në biznes./ HuffPost