Për gati një muaj, subjektet politike dhe kandidatët pritet të prezantojnë platformat e tyre për të bindur qytetarët për votën në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Gjatë kësaj periudhe, janë planifikuar aktivitete të shumta, përfshirë tubime publike e takime me qytetarët në të gjithë vendin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar gjithsej 28 subjekte politike për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Këto subjekte përbëhen nga 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Në total, janë certifikuar 1,280 kandidatë për deputetë nga këto subjekte politike. Organizatat joqeveritare kanë bërë thirrje për një fushatë të qetë dhe për respektimin e rregullave zgjedhore nga të gjitha palët.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të marrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe për të shmangur incidentet. Fushata do të zgjasë deri më 8 shkurt 2025, ndërsa periudha e heshtjes zgjedhore do të mbahet në ditën e zgjedhjevem, pra më 9 shkurt, njofton rtk.