/ Nga PhD. Dashnim HEBIBI /
Tashmë që ka filluar fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, shohim gjithandej militantë të partive të caktuara. E drejtë e secilit, normalisht. Por, ndërkohë po shohim disa që zhvaten për një vend pune dhe pastaj nëse i humbë partia e harron që e ka përkrahur, mundohet të fshijë të gjitha gjërat që i ka postuar apo edhe ua ka thënë miqve për ti hyrë në hatër partisë fituese. Me këtë formë nuk e besoj se do ti shërbejmë shtetit e hiç më pak asaj partie. Nuk është e thënë të gjithë të merremi me aktivitete politike.
Nëse ka mbetur ajo formë, nuk do të kemi të ardhme të mirë e të sigurtë. Kërkohet origjinaliteti, përgatitja e personalitetit të çdokujt. Vjen njëra e pastaj tjetra parti, kur ta shohësh veten herë aty e herë atje. Habitesh edhe me veten se si është e mundur të jesh aq i lëvizshëm. Nuk na duhen zvarranikë në fusha të ndryshme të jetës dhe aq më pak edhe në politikë.
Kur do të vijë koha që do ti jipet hapësirë asaj apo atij që e meriton në një veprim në të mirë të shtetit?! Vrapo pas asaj partie se nuk do të kesh vendin e mirë të punës. Ky është mjerim. Të gjithë nuk do të merremi me përkrahje të partive, sepse atëherë nuk e besoj se do të rezonojmë drejt për një kritikë apo sugjerim ndaj një subjekti politik të caktuar. Pastaj, lëvizja herë majtas e herë djathtas, përsëri tregon se mungon boshti kurrizor.
Ku do të ketë sukses kur nuk ka bosht?
Sidoqoftë, ne të diasporës po shikojmë se si do të shkojë fushata. Ka edhe nga ata që janë të angazhuar në fushatë, e mirë bëjnë, por mbi të gjitha të mos na kontrollojnë emocionet, por të japin mendimet e tyre reale, duke u bazuar në fakte me atë që është bërë e që do të bëhet. Ta japim kontributin tonë siç e kemi dhënë gjithmonë, por një është e dukshme dhe shumë e sigurtë.
Shumë pak është bërë për diasporën apo hiç, qoftë atje ku jetojnë mërgimtarët apo edhe në atdheun e tyre. Diaspora shqiptare ishte kontribuese dhe vazdhon të jetë edhe sot e kësaj dite e shumë proçeseve dhe nuk e meriton të jetë e harruar apo e kujtuar një muaj para fushatës dhe vetëm gjatë fushatës. Mirë thonë disa të rinj në mërgatë, ne hamë bukë evrope, nuk mashtrohemi leht. Dimë ta masim mirë temperaturën tonë emocionale.
Mos e harroni vërtetë diasporën?
Gjeneratat e reja po vijnë dhe po vijnë me mentalitet evropian, profesional e që e mbajnë fjalën dhe nuk dinë mashtrime, por shihet vetëm meritokracia. Të shfrytëzohet për të mirë kjo pasuri e madhe kombëtare. Ata që sillen me ngjyra politike e që nuk e kanë vendin për atë që po pretendojnë, mirë do të ishte të gjejnë vendin e tyre aty ku janë dhe të mos humbin kohë apo të mos u zihet vendi i punës profesionistit, sepse dëmi është parë e do të shihet. Mjaft më me të njofshëm! Mjaft më duke i „mësuar“ të diturit! Nuk shkon kungulli gjithmonë mbi ujë, fjalë e popullit. Humbja e kohës është humbja më e madhe!
helveticALforum