/ Nga PhD.Xhavit LIPAJ /
Në zemër të një nate pa yje,
ku errësira gllabëronte çdo frymëmarrje,
unë, si një shpirt i përhumbur,
gërmoja ndër plagë që koha s’i shëroi.
Në gjakimin tim, mbajta mallin e një nëne,
që zërin s’e dëgjova më kurrë,
mbajta shëmbëlltyrën e një babai,
që vdekja ma rrëmbeu pa u rritur ende.
Oh, Kosovë, ti djep i dhimbjes sime,
në çdo hap të tokës tënde,
unë ndjej hapat e humbur të fëmijërisë,
përzier me britmat e luftës dhe hijet e tradhtisë.
Më quajtën të huaj, të papastër,
më thyen shpresat, më helmuan gjakun.
Në burg të padrejtësisë pyeta Zotin,
por heshtja e Tij më mësoi të mbijetoj.
Në mallkimet e jetës,
që më hodhën në baltë,
unë ngrita kështjella nga dheu i shpirtit,
sepse aty, mes errësirës,
gjej forcën, dhe dashurinë
që s’e mund dot as vdekja.
Në lotët e mi që bjeshkët i derdhin,
në thyerjet që vetëm shpirti i njeh,
unë mbeta një luftëtar i heshtur,
me zemrën që digjet,
por kurrë nuk dorëzohet.
Dhe në fund, kur më kërkojnë të dorëzohem,
unë qesh mes hirit të plagëve të mia,
sepse dhimbja ime është emri im,
dhe shpresa ime është amaneti im.