/ Nga Prof. Dr. Isak Shema /
I.
Jusuf Gërvalla, poet dhe personalitet i shquar i kulturës shqiptare, gjatë viteve është student i dalluar i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Prishtinës. Studimet universitare i regjistron me korrespondencë në vitin akademik 1968/1969. Në këtë kohë u zhvilluan demonstratat e vitit 1968 dhe po ashtu shumë ngjarje të tjera të rëndësishme patriotike, të cilat shënuan një epokë të re. Gjatë këtij viti, dhe sidomos në vitet që pasuan, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës dhe posaçërisht në degën e Albanologjisë organizohen aktivitete të ndryshme politike dhe kulturore të rinisë universitare. Jusuf Gërvalla, edhe pse që nga viti 1969 dhe deri në vitin 1979 në fillim punon në Teatrin Krahinor të Prishtinës, pastaj në Flakën e Vllaznimit në Shkup, në gazetën Rilindja të Prishtinës etj., merr pjesë aktive në jetën kulturore, letrare dhe sidomos në lëvizjen e rezistencës për realizimin e synime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kombëtare. Kujtimet e këtyre viteve kur punoja si asistent i lëndës mësimore Letërsia shqipe dhe si ligjërues i lëndës Letërsia e sotme shqipe në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe janë të paharrueshme.
Jusufin e kam njohur më herët. para se të vinte në provime në vitin e katërt për të dhënë edhe provimin në Letërsinë e sotme. Në konsultimet për punimin seminarik dhe sidomos për përgatitjen e lëndës në tërësi, më bënte përshtypje të veçantë përgatitja e tij profesionale dhe shquaja talentin e tij si krijues, të një poeti të talentuar. Poezitë e tij, të botuara në shtypin dhe në periodikun e pjesës së parë të viteve shtatëdhjetë, i lexoja me interesim dhe i vlerësoja si krijime poetike, të krijuara në qaste të frymëzim të vrullshëm krijues. Zgjedhja e motiveve dhe mënyra e trajtimit të tyre, idetë e spikatura me origjinalitet të theksuar, shprehja e zgjedhur figurative etj më lanë mbresa të posaçme.
Në tufën poetike, të botuar në revistën “Jeta e re”, nr 3 e vitit 1974, përfshiheshin poezitë: Dita, Epitaf për shëtitësin që shkroi memoare, Fluturojnë dhe bijnë, Gjyshi im tregoi si matet mosha, Nga të ftohtit ose vera, Njeri që në saksinë prej bronze ujit lulen prej rriskave të shtojit, Odiseu, Paradreke këmbonaresh, Qyteti buzë dritave. Këto e afirmuan Jusufin. Biseduam një ditë me Jusufin për këto poezi dhe për poemën “Baballarët” të Dritëro Agollit, të ribotuar po ashtu në jetën e re të vitit 1974. Unë fola për poezitë e Jusufit, ndërsa ai për poemën e Agollit.
Unë sapo isha kthyer nga Tirana, pas qëndrimit atje për qëllime studimi dhe ia dhashë përmbledhjen poetike “Mesditë” të Agollit, në të cilën po ashtu ishte poezia “Baballarët” e Agollit. Jusufi mori si angazhim të bëjë një vështrim për veprën poetike të këtij poeti, të cilin e adhuronte. Në kabinetin 87 të Degës së Albanologjisë në Fakultetin Filologjik takoheshim edhe gjatë ditëve të tjera dhe bisedonim për tema letrare por dhe për çështje të angazhimeve të tij të punës. Ai më tregonte edhe disa vështrime të tij letrare, kushtuar poezisë së Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt, Beqir Musliut, Rexhep Elmazit etj.
Në vitin 1975 Jusufi në Edicionin e botimeve të Rilindjes botoi përmbledhjen poetike “Flutorojnë e bien”.
Në afatin e provimeve të shtatorit të vitit 1976 Jusufi hyn te unë në provimin me shkrim në Letërsinë e sotme shqipe. Hartoi një punim për poemat e Ismail Kadaresë. Si gjithherë, Jusufi shkruante bukur dhe tregoi nivel të lartë të kulturës gjuhësore dhe letrare. Pasi kishte kaluar afati i provimeve të rregullta, gati një muaj më vonë, kur ishte përfunduar provimi me gojë, Jusufi, ashtu siç ishte i heshtur, por shumë i respektuar, paraqitet te unë, në kabinetin tim, ta japë provimin me gojë.
Pa e pyetur për arsyen e vonesës, meqenëse nuk kishte marrë leje për paraqitjen e provimit, i thash se mund të hyjë në provimin me gojë. E pyeta; je përgatitur? Në atë çast m`u kujtua profesori im i Shkollës Normale të Prishtinës, Zekeria Rexha, të cilin e kishim kujdestar të klasës. Kur mungonin nxënësit dhe nuk vinin ndonjë ditë në mësim, ai i arsyetonte mungesat dhe thoshte se ju keni pasur arsye, ndonjë punë, pengesa të posaçme, apo diçka tjetër që ju arsyeton, pra keni pasur një arsye, prandaj të mos mungojë në mësim asnjë nxënës. Unë i dija cilat janë arsyet që e kanë shtyre Jusufin të vonohet në provim, prandaj e lejova të hyjë po atë ditë, në provim, pa studentë të tjerë.
Pyetjet i shkroi në një fletore xhepi: Lirika e Dritëro Agollit, Romani me temën e luftës (ai zgjodhi romanin “Para agimit” të Shevqet Musarajt. Analizoi edhe romanin “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit. Pyetja e tretë “Mendimi kritik letrar për dramaturgjinë”, iu duk shumë e gjerë. Më tha: mund të analizohen dramat e Anton Pashkut“- Drama “Sinkopa” është moderne…Provimin e dha me sukses dhe u përshëndetëm me urimet më të mira.
Provimi i diplomës është mbajtur më 15 tetor 1976 para komisionit: Enver Gjerqeku, Latif Berisha dhe Isak Shema. Pas shpalljes së rezultatit të provimit të diplomës, Jusufit i sugjeruam të vazhdojë studimet e magjistraturës. Ai vazhdoi studimet e letërsisë shqiptare, krijoi dhe botoi disa vepra të tjera letrare. Më 1978 pranohet anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Më 1979 është anëtar i Shoqatës së Përkthyesve të Kosovës.
Shumë vjet me radhë gjatë tërë jetës Jusuf Gërvalla angazhohet me përkushtim të jashtëzakonshëm për të realizuar synimi e çlirimit të popullit shqiptar dhe të bashkimit kombëtar. Jusuf Gërvallën dhe bashkëluftëtarët e tij, heronjtë dhe dëshmorët e kombit i kujtojmë me nderime dhe me krenari. Vepra e Jusufit mbetet trashëgim i çmuar brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
- Imazhi i Kosovë në novelën “Baladë për vdekjen e J. G “ është përfshirë në kuadër të studimit tim të botuar. MAZHI I KOSOVËS NË ROMANET E ISMAIL KADARESË
(South-Estern, East-Central Europe, West in South-Eastern and East- Central Europe Europe throughout History
The Image(s) of South-Estern, and East-Central Europe The throughout History. The Image(s)of the West in South-Eas¬tern and East-Central Europe throughout History
25-26 octobre 2013, “Ivo Pilar” Institute of Social Sciences, Zagreb (Croatia)
Kumtesa: L`image de Kosova fans les romans modernes de Ismail Kadare)
Objekt studimi i këtij punimi është trajtimi i temës së Kosovës në romanet e Ismail Kadaresë, me vështrim të veçantë imazhi i Kosovës në romanet: „Tri këngë zie për Kosovë”, “Krushqit janë të ngrirë”, dhe në novelën “Baladë për vdekjen e J.G.”.
Në përvjetorin e nderimit dhe të kujtimit të Jusuf Gërvallës, të Kadri Zekës dhe Gërvallës, si memoriam përfshijmë në fragment të studimit.
Në novelën “Baladë për vdekjen e J. G “ Kadare paraqet tragjedinë e dëshmorit Jusuf Gërvalla, emigrant politik shqiptar, të cilin së bashku me Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën më 17 janar të vitit 1982 e vranë agjentët e UDB kriminale serbe në Gjermani. Jusuf Gërvalla, studenti im, gjatë studimeve universitare e ka qenë shumë i zellshëm. Shumë vjet me radhë është angazhuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për të realizuar synimin e çlirimit të popullit shqiptar dhe të bashkimit kombëtar. Vepra e Jusufit mbetet trashëgim i çmuar brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Jeta dhe lufta
Shenjat e shenjta. Fletë testamenti Lufta dhe arti
“Tutje gjithnjë akull
Këndej gjithë zjarr
E shoh veten si Diogjeni
Në betejën e tmerrshme
Të fjalës e të mendimit”.
Vrasja mizore e Jusuf Gërvallës dhe e dy veprimtarëve të idealit atdhetar, pikëlloi të gjithë shqiptarët. Shkrimtari në veprën letrare paraqet dhembjen dhe revoltën, analizon faktet dhe synon të ndriçojë me vërtetësi rrethanat e tragjedisë njerëzore dhe kombëtare.
Në këtë vështrim përfshijmë një fragment të prozës.
XII
“J.G. emigrant politik shqiptar i arratisur nga Jugosllavia, me nënshtetësi gjermane, gazetar, poet dhe muzikant vdiq më 17 janar 1982, në orën 3.15, pas mesnate, gjatë operacionit. Ky ishte shënimi për mbarimin e tij në librin e spitalit të Untergrupenbah-ut.
Policia nuk arriti asnjëherë të zbulonte vrasësin. Akuzat e bashkëshortes së tij kundër mjekut Vidiç, megjithëse të formuluara nga një avokat i dëgjuar, nuk u morën parasysh për mungesë provash. Mjeku Vidiç u largua nga Untergrupenbahu qysh të nesërmen, në ditën e ftohtë të ngjashme me atë ditë në të cilën kishte ardhur. Veçse në ndryshim me ardhjen, largimi i tij nuk figuronte në asnjë shkresë, protokoll, ose shtojcë protokolli. Për të u fol një farë kohe në rrethe të ndryshme, por ato që fliteshin ishin në përgjithësi gojëdhëna. Delire të ndryshme të sëmurësh në spitale psiqiatrike, pendesa, vrasje ndërgegjesh etj. u dhanë disa herë si të tijtë, por asnjëherë nuk u saktësua kjo gjë. J.G. u varros në varrezën e Shtutgartit.
Ndërsa kërkonin një tekst sa më domethënës për ta gdhendur mbi varrin e tij, njerëzit e familjes dhe dashamirësit e tij dëgjuan me radhë disqet me këngë e balada që ai kishte shkruar, kompozuar dhe kënduar vetë, pjesën më të madhe të shoqëruara me kitarë. Duke i dëgjuar në heshtje, ata erdhën në një mendje se shumica e këtyre teksteve ishin të përshtatshme për t’u gdhendur në mermerin e varrit. Kjo binte në sy kaq qartë, sa që një ditë, në një nga ato ditë kur e qeshura dhe humori, rifituan më në fund të drejtën të pranoheshin në bisedat për kujtimin e të ikurit, si për ta bërë edhe më brilante dhembjen, njëri nga miqtë e tij tha se kishin të drejtë të akuzonin J. se kishte përgatitur ai vetë vrasjen e vet.
Teksti i mbishkrimit u zgjodh më në fund prej njërës prej baladave të tij, por drejtoria e varrezës nguli këmbë që të bëhej një ndryshim në të. Ishte prerja, ose për të përdorur një fjalë më të kohës, censurimi i fundit që iu bë J.G. në jetën e të cilit kishte patur disa herë ndërhyrje të tilla, duke përfshirë këtu edhe vdekjen e tij, e cila në fund të fundit s’ishte veçse një prerje”.
“Vlerat e veprës së tij janë të begatshme dhe të shumëllojshme, sikurse është vetë ajo e begatshme dhe e shumëllojshme. Në tërësinë e letërsisë shqipe, dhe, në kuptimin e mirëfilltë letrar, ajo është më e pasura, më e madhja dhe më e rëndësishmja. Risuese në poezi, në prozë, veçanërisht në roman, dhe, shpesh mbi nivelin e përgjithshëm të saj, ajo e ka ngritur letërsinë shqipe në shkallaret më të larta, herë-herë të njëjta me letërsitë e tjera evropiane dhe botërore”. Imazhi unik i Kosovës është në romanet e Ismail Kadaresë , është ai i krijuesit humanist. Vepra e tij përfshin shumë aspekte të qytetërimit shqiptar dhe të atij botëror.
Mesazhi i tij në letërsi është paqedashës dhe i kushtohet lirisë së popullit shqiptar, por edhe të mbarë njerëzimit. Ismail Kadare në prozën e tij moderne në mënyrë të mrekullueshme spikat imazhin dhe mesazhin artistik për Kosovën. Në mesazh i tillë paraqitet edhe në veprën artistike figurative “Paqe në Kosovë” të piktorit të famshëm, Ibrahim Kodra. Ismail Kadare është shkrimtar i shquar i letërsisë shqiptare me famë botërore. Me opusin letrar, që ka vlerë të lartë artistike, paraqet edhe imazhin e Kosovës. Kontributi i tij letrar kushtuar Kosovës është i shumë i çmuar. Jusuf Gërvalla ëshë figura ëmblematike e patriotizmit, e luftës për liri dhe e kulturës shqiptare. Trashëgimia e tij letrare është e çmuar dhe është vlerësuar lart nga personalitete të shquara dhe nga kritika letrare.